• e diel, 24 nëntor 2024

ITSHKSH bën bashkë poetët në Letnicë me krijimet e tyre kushtuar Nënës Terezë

ITSHKSH bën bashkë poetët në Letnicë me krijimet e tyre kushtuar Nënës Terezë
Shkup, 28 gusht 2022 (MIA) – Karvani i Manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” sot vazhdoi marshutën në Letnicë të Vitisë, me organizimin e orës letrare në të cilën u lexuan krijime letrare kushtuar Nën Terezës. Ora letrare u mbajt në Kishën e Letnicës, me ç ‘rast ITSHKSH falënderon famullitarin e kësaj kishe, Don Marjan Demën i cili ofroi mikpritje dhe kushte që kjo orë letrare të mbahet në një atmosferë sa më dinjitoze. Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani tha se kjo orë letrare po mbahet jo rastësisht në Letnicë, sepse pikërisht këtu Nëna Terezë e ka marrë dritën nga Zoti dhe bekimin për të qenë në shërbim të miqësisë dhe dashurisë botërore, duke e shndërruar Gonxhen shqiptare nga Shkupi në Nënën Terezë të botës. Ora letrare u bë në bashkëpunim me Ars klubin letrar “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe Shoqata e shkrimtarëve “Ramadan Musliu” nga Vitia. I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe Don Lush Gjergj, i cili tha se ideja për të organizuar këtë orë letrare pikërisht në Letnicë ndërlidhet me thirrjen që Nëna Terezë kishte marrë më 14 gusht 1928 për të qenë misionare e paqes dhe dashurisë. Poetët që lexuan në këtë orë letrare erdhën nga disa rajone dhe përfaqësues të disa brezave, duke filluar nga Ibrahim Kadriu, Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala e deri te Sabit Rrustemi, Sadete Tërnava, Gani Bytyçi, Nexhat Rexha, Ahmet Selmani, Alisa Bekteshi, Sarë Gjergji dhe Marigona Muja. Udhëheqësi i kësaj ore letrare, Emin Azemi, në cilësinë e kryeredaktorit të revistës “Drita e Gonxhës”, duke u ndërlidhur me misionin e shenjtë të Nënës Tereze tha se përderisa astronautët për të shkuar në hapësirë iu nevojitet një stacion astronomik, Nën Tereza Letnicën e pati stacion prej ku u nisë në misionin e saj të shenjtë. “Itaka që u përdor si metaforë poetike për të gjithë ata që duan të kthehen aty ku kanë lindur, që nga Homeri e deri në ditët e sotme, në mendësinë e Nënën Terezë, kishte pësuar një përmbysje, sepse ajo jetën e saj nuk e përfundoi në vendlindjen e saj por në Kalkutë, ku edhe u bë pjesë e dhembjes dhe vetmisë, duke hequr dorë vullnetarisht nga kënaqësitë që sjell jeta në këmbim të shërbimit ndaj të tjerëve, ndaj të sëmurëve dhe ndaj të vetmuarve”, tha Emin Azemi. Ai në fund elaboroi edhe kuptimin e një toposi poetik, siç është El Dorado. “Të gjithë e synojnë El Doradon, vendin e premtuar, për të realizuar ëndrrat e jetës, por vetëm Nënë Tereza u bë vet El Dorado për të tjerët, sepse vetëm ashtu ajo do të përmbushte qëllimin dhe vendimin që kishte marrë në Letnicë në natën e 15 gushtit të vitit 1928, për të të shkuar në mision për t’i përkushtuar tërësisht Zotit dhe shpëtimit të shpirtrave”, nënvizoi Azemi. Ndryshe, ITSHKSH falënderoi Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Vitisë, sidomos drejtorin Valmir Sahitin për mbështetjen institucionale të kësaj ore letrare.

QËNDRONI TË LIDHUR