• e shtunë, 23 nëntor 2024

Italia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së fluksit të emigrantëve

Italia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së fluksit  të emigrantëve

Romë, 25 prill 2023 (MIA) - Qeveria italiane ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme gjashtëmujore për t'u përballuar me rritjen e numrit të emigrantëve që mbërrijnë në brigjet jugore të vendit.

Televizioni shtetëror informoi se  pritet të emërohet një komisar special për këto çështje. 

Qeveria e kryeministres Xhorxha Meloni miratoi edhe financimin prej pesë milionë euro, raporton Radio Evropa e Lirë. 

 

 

Qeveria bëri të ditur se gjendja e jashtëzakonshme është e nevojshme me qëllim që urgjentisht të zbatohen masat e jashtëzakonshme për uljen e fluksit të refugjatëve që mbërrijnë në ishullin italian të Lampedusa.

Qeveria aktuale italiane, si dhe të mëparshmet, kryesisht po përpiqet pa sukses të fitojë mbështetje dhe solidaritet më të madh për pranimin e refugjatëve nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. 

Që nga fillimi i vitit në Itali kanë mbërritur mbi 30 mijë emigrantë. Ata u shpëtuan në Detin Mesdhe nga autoritetet lokale ose anijet humanitare. Theksohet se kjo është pothuajse katër herë më shumë krahasuar me dy vitet paraprake  në të njëjtën periudhë, kur mbërritën rreth tetë mijë emigrantë.

 Emigrantët deri më tani kanë ardhur kryesisht nga bregu i pjesës perëndimore të Libisë, ndërsa së fundmi kanë ardhur edhe nga Tunizia. ar/

 Foto: Arkivi i EPA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR