• e premte, 08 nëntor 2024

ISHMJ në gjysmën e dytë të vitit 2023 me 955 mbikëqyrje inspektuese, 244 procedura kundërvajtëse dhe dy kallëzime penale

ISHMJ në gjysmën e dytë të vitit 2023 me 955 mbikëqyrje inspektuese, 244 procedura kundërvajtëse dhe dy kallëzime penale

Shkup, 12 mars 2024 (MIA) - Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (ISHMJ) në gjysmën e dytë të vitit të kaluar nga 821 mbikëqyrje të planifikuara inspektuese ka realizuar 955 ose për 11,6 për qind më shumë se sa është planifikuar me çka ka përgatitur 244 vendime për parregullsi të konfirmuara dhe ka ngritur procedura kundërvajtëse kundër personave juridikë dhe personave fizikë në vlerë prej mbi 300 mijë euro, ndërsa ka ngritur edhe dy kallëzime penale kundër një kryerësi të panjohur për rrezikimin e llojeve të mbrojtura të florës dhe faunës dhe uzurpim të patundshmërisë në fshatin Kalishtë të Strugës dhe kundër subjekteve juridike "Recikl eko-start" dhe "Satus" nga Shkupi për lënien e mbeturinave të rrezikshme në një lokacion në fshatin Orman të Shkupit. 

Për kallëzimin penal kundër subjekteve juridike "Recikl eko-start" dhe "Satus" nga Shkupi janë dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme në Prokurorinë Themelore Publike ndërsa janë kërkuar edhe shtesë të cilat do të dorëzohen sot ose nesër.

Siç theksoi drejtori i ISHMJ-së, Sreten Stojkovski në prezantimin e sotëm të Raportit të dytë gjashtëmujor për punën e Inspektoratit për periudhën nga korriku deri në dhjetor të vitit 2023, numri i rritur i mbikëqyrjeve inspektuese ka të bëjë me 180 mbikëqyrjet e jashtëzakonshme inspektuese para së gjithash për shkak të tejkalimit të pragut për alarmim për shkak të ndotjes së ajrit në shumë komuna dhe kërkesës së MPB-së për kontroll të mbeturinave të cilat trajtojnë mbetje të automobilëve dhe mbeturina të tjera. 

"Në këtë periudhë të raportuar, inspektorët më së shumti kanë vepruar sipas Ligjit për mjedisin jetësor, Ligjit për menaxhimin e mbeturinave, Ligjit për ujërat dhe ligjeve tjera. Gjatë kësaj periudhe janë pranuar 52 ankesa nga qytetarët, nga të cilat vetëm pesë kanë qenë të lidhura me ISHMJ-në dhe 47 të tjerat kanë të bëjnë me inspektorët e autorizuar mjedisor dhe komunal. Ato janë përcjellë. Më shpesh, ankesat kanë të bëjnë me menaxhimin e mbeturinave, djegien e mbeturinave dhe kashtës, zhurmat në objektet e hotelierisë, aroma të pakëndshme nga kanalet e atmosferike dhe ujërat e zeza. Kemi pranuar edhe katër kërkesa për qasje të lirë në informata të karakterit publik, të cilave u është përgjigjur plotësisht brenda afatit ligjor dhe për to nuk është paraqitur asnjë ankesë në Agjencinë për Qasje të Lirë në Informata të Karakterit Publik", tha Stojkovski në konferencën e sotme për media.

Theksoi se javën e kaluar filloi kthimi i mbeturinave të rrezikshme nga Ormani në një lokacion në komunën Çuçer Sandevë, gjegjësisht në kompaninë "Recikl eko-start" të cilës më 25 janar të këtij viti i është ndryshuar leja e integruar A me çka i është dhënë mundësi ta trajtojë këtë mbeturinë të rrezikshme në subjektin juridik.

"ISHMJ kishte vërejtje për ndryshimin e lëshuar në lejen e integruar A dhe pas kësaj Drejtoria e Mjedisit Jetësor bëri ndryshim në lejen e integruar A, e cila ende nuk na është dorëzuar. Me lejen e integruar A të ndryshuar 'Recikl eko-start' mund të bëjë trajtimin mekaniko-fizik të mbetjeve që ndodhen në Orman dhe mbetjeve të tjera me të njëjtin kod mbetjesh – mbetje skorje ekstensive nga përpunimi i mbetjeve të akumulatorëve. Këto mbeturina do të deponohen në kuadër të subjektit juridik 'Recikël eko-start' ku është ndërtuar një pishinë me gjeomembranë dhe do të trajtohet në instalimin për përpunimin e mbeturinave të tilla që tashmë janë bërë në subjektin juridik", theksoi Stojkovski dhe shtoi se e gjithë procedura do të kryhet me mjetet e "Recikëll eko-start".

ISHMJ, shtoi, ka ngritur procedura kundërvajtëse për shumë subjekte juridike siç janë TAB MAK Probishtip për të cilin procedura udhëhiqet në gjykatë njëjtë si edhe për Drisllën, SANS AG Shtip për ndotje të ajrit me mbeturina të rrezikshme.

"Janë sanksionuar të gjitha firmat ku ka tejkalim të vlerave kufitare për emetime në ajër ose ndotje të tjera. Vlera prej mbi 300 mijë euro tregon se është vepruar për të gjithë ndotësit pavarësisht nëse janë persona fizikë ose persona juridikë. Deri më tani është sjellë aktvendim vetëm për firmën 'Eko living' nga Gostivari të cilët bënë ndotje me djegien e mbeturinave të rrezikshme. Është shqiptuar gjobë prej vetëm 100 euro edhe pse gjoba e paraparë sipas Ligjit për menaxhim me mbeturina është nëntë deri 10 mijë euro", theksoi Stojkovski.

Saktësoi se deri më 31 dhjetor 2023 në ISHMJ ka pasur gjithsej 29 persona të punësuar me çka nga gjithsej 53 vendet e sistematiziuara të punës janë plotësuar 52,8 për qind, ndërsa plotësimi i vendeve të punës për inspektorë është 63 për qind, gjegjësisht nga gjithsej 38 vende të sistematizuara janë plotësuar 24 vende. Buxheti i ISHMJ-së për gjysmën e dytë të vitit 2023 është realizuar me 53 për qind, ndërsa buxheti për vitin 2024 është ulur për 600 mijë denarë në krahasim me vitin 2023 dhe nuk është lejuar furnizimi i paraparë i dy automjeteve për teren.

"Në gjysmën e dytë të vitit 2023 nuk ka pasur punësime dhe avancime të reja. Vetëm një kryeinspektor i ujit u largua nga ISHMJ me kërkesën e tij. Në gjysmën e dytë të vitit janë realizuar tre trajnime gjenerike në përputhje me Programin vjetor për trajnime gjenerike përmes platformës e-mësim të Këshillit Inspektues. Nga prilli i këtij viti do të fillojë implementimi i platformës digjitale e-inspektor – sistemi elektronik për inspektime, i cili do të përmirësojë planifikimin dhe menaxhimin e rrezikut të inspektimeve, në mënyrë që të kemi efikasitet, transparencë dhe përgjegjësi më të mirë në punën e inspektorët dhe ndërveprueshmëri", tha Stojkovski dhe shtoi se të gjithë inspektorët kanë marrë nënshkrime elektronike, kështu që procesverbalet dhe vendimet do të nënshkruhen me nënshkrim elektronik.

Ai tha se është shqetësuese struktura e moshës në ISHMJ, ku gjithsej 14 inspektorë nga të tre profilet janë mbi 55 vjeç dhe mbi 57 vjeç. Ministria e Financave, siç tha ai, nuk e ka pranuar planin vjetor për punësimin në ISHMJ në vitin 2024, i cili parashikonte punësimin e dy inspektorëve dhe tre punonjësve administrativë. Tashmë është korrigjuar nga ISHMJ dhe tani kërkohet punësimi i tre inspektorëve, dy prej të cilëve për mjedisin jetësor dhe një për menaxhimin e ujërave dhe është në fazë miratimi në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Në shkurt të këtij viti, shtoi ai, një tjetër inspektor i ujit u largua nga ISHMJ në sektorin real për shkak të pagës më të lartë që i ishte ofruar. Në proces është edhe miratimi për marrjen në detyrë të inspektorit komunal të autorizuar për mjedis, për të cilin mund të merret pëlqimi nga Ministria e Financave pas përfundimit të proceseve zgjedhore.

Në ISHMJ ekzistojnë shumë mënyra të dorëzimit të ankesave, gjegjësisht përmes Fejsbukut, mesingjerit, ueb denoncimeve në faqen zyrtare dhe përmes porosive elektronike, si dhe në numrin zyrtar të telefonit i cili është në dispozicon çdo ditë pune në periudhën prej orës 8:30 deri në orën 16:30. Në ueb-faqen e ISHMJ publikohen raportet javore për punën e të gjthë inspektorëve të mjedisit jetësor, si dhe aktet dhe vendimet inspektuese të cilët i sjellin inspektorët e mjedisit jetësor. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR