• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e fuqisë punëtore në fokus të konferencës së 19-të të MASIT-it

Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e fuqisë punëtore në fokus të konferencës së 19-të të MASIT-it

Shkup, 29 tetor 2024 (MIA) - Sfidat dhe mundësitë në kontekst të transformimit të shpejtë digjital dhe ndikimi i inteligjencës artificiale (IA) ndaj fuqisë punëtore janë në fokus të konferencës së 19-të vjetore të Odës Ekonomike për teknologji informative dhe komunikuese MASIT, që filloi sot në Shkup.

Kryetarja e MASIT-it, Aneta Pesheva, në hapje të konferencës theksoi se, edhe pse IA do të ndihmojë në jetën e njerëzve, kjo do të sjellë shumë trazira. Ajo potencoi se institucionet kryesore financiare parashikojnë që në pesë deri në dhjetë vjet, 300 milionë persona do të humbasin punën e tyre dhe programuesit do të duhet të bëhen serviserë të rrjeteve dhe robotikës.

"Problemi më i madh nuk është momental, ajo do të ndodhë për dhjetë vite", tha Pesheva, duke theksuar nevojën për rregullim për të balancuar interesat e atyre të cilët do të mbeten pa punë.

Ministri i Tansformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka potencuar rolin e rëndësishëm të teknologjive informative dhe kompanive në zhvillimin kombëtar.

"MASIT kontribuon në mënyrë aktive në pozicionimin e Maqedonisë në hartën globale të TIK . Temat për Ndërthurjen e IA-së dhe fuqisë punëtore janë thelbësore për të ardhmen tonë digjitale dhe shoqërinë në përgjithësi", tha Andonovski.

Ai tha se kanë filluar proceset për zhvillimin e strategjisë kombëtare për TIK, tërësisht në përputhje me qëllimet e BE-së, me ambicjen që Maqedonia të jetë lider digjital në transformimin.

Drejtori i zyrës për rritje ekonomike të USAID-it në Maqedoni, Timoti Ong, theksoi se janë të përkushtuar të ndihmojnë sektorin që të rritet.

"Përmes transformimit digjital mund të parandalohet korrupsioni, të mbahen talentet e rinj dhe ta bëjë vendin tërheqës për investime", tha Ong, duke theksuar se IA po ndryshon mënyrën në të cilën punojmë dhe se patjetër duhet të punohet në inovacione dhe trajnime të të punësuarve. rq/bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR