• e enjte, 26 dhjetor 2024

Integrimi në BE duhet të jetë çështje e konsensusit nacional, deputetët të mendojnë për të ardhmen evropiane të shtetit, porositën Shalenberg, Vllahovski dhe Lipavski

Integrimi në BE duhet të jetë çështje e konsensusit nacional, deputetët të mendojnë për të ardhmen evropiane të shtetit,  porositën Shalenberg, Vllahovski dhe Lipavski

Shkup, 13 korrik 2023 (MIA) – Integrimi në BE duhet të jetë çështje e konsensusit nacional dhe të gjithë deputetët në Kuvend ta tejkalojnë politikën partiake dhe të mendojnë për të ardhmen evropiane të shtetit. Sa më parë sillen ndryshimet kushtetuese aq më shpjetë Maqedonia e Veriut do të arrijë drejt BE-së, ndërsa zgjedhjet e parakohshme do të jenë kundërproduktive.

Këtë e porositën në konferencën e përbashkët për shtyp ministrat e Punëve të Jashtme të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë.

Ministri federal i Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare i Austrisë, Aleksander Shalenberg, vizitën e sotme e vlerësoi të rëndësishme, duke potencuar se kanë pasur takime të suksesshme me të gjithë spektrin politik në vend, në Kuvend dhe në Qeveri.

"Me të gjithë që kemi biseduar, me të gjithë të cilët kanë përgjegjësi politike u takuam dhe ata dëshmuan se janë proevropianë, se dëshirojnë që vendi të jetë në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE. Kemi ndjenjën se të gjithë janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë se ky është momenti, ky është moment i veçantë në zhvillimin e rrugës drejt BE-së", deklaroi Shalenberg.

Besoj, potencoi Shalenberg se ia vlen të kalohet kjo rrugë.

"Vërtetë mezi e presim momentin kur gjuha, kultura dhe historia maqedonase do të jenë pjesë e gjuhës, kulturës, historisë së BE-së në të gjithë atë diversitet. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për çështjen që është para nesh, ndryshime dhe plotësime të Kushtetutës, amendamenteve dhe nuk ka mënyrë kjo të shmanget dhe ekziston vetëdije për punën që duhet bërë dhe kjo është diçka në të cilën mund të punojmë", deklaroi Shalenberg.

Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Jan Lipavski, potencoi se agresioni rus mbi Ukrainën me të vërtetë e ka ndryshuar dinamikën e procesit të zgjerimit të BE-së dhe se vendi ka mundësi të madhe ta shfrytëzojë këtë dinamikë të rritur madje edhe këtë vit me kushtin që t'i miratojë plotësimet e kushtetutës lidhur me pakicën bullgare.

"Jemi të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e kësaj çështje dhe vërtetë i kemi të qarta qëndrimet edhe të opozitës edhe të pozitës. I kemi dëgjuar komentet e tyre dhe shqetësimet, megjithatë jemi të bindur se asnjëherë nuk do të ketë situatë më të volitshme dhe gjendje më të volitshme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE sesa që është tani momenti", deklaroi Lipavski.

Sa më parë sillen këto amendamente, sipas Lipavskit, aq më shpejtë Maqedonia e Veriut do të mbërrijë në BE.

"Në rrugën tonë do të bëjmë gjithçka mundemi për të parandaluar kërkesa shtesë lidhur me çështjet e hapura bilaterale", deklaroi Lipavski dhe u bëri thirrje deputetëve në Kuvend ta tejkalojnë politikën partiake dhe të mendojnë për të ardhmen evropiane të shtetit dhe për përfitimet e qytetarëve.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Sllovakisë, Mirosllav Vllahovski, potencoi se integrimi në BE duhet të jetë çështje e konsensusit nacional.

"Maqedonia e Veriut e ka mundësinë unike, këtë ta dëshmojë tani dhe duhet ta shfrytëzojë këtë moment. Definitivisht nuk duhet humbur, veçanërisht pasi nuk ka alternativë tjetër që të avancohet më tej lidhur me integrimin e BE-së", potencoi Vllahovski.

Gjatë takimeve, Vllahovski tha, se kanë potencuar se zgjedhjet e parakohshme janë kundërproduktive.

"I potencuam këto momente lidhur me politikën e brendshme dhe se nëse caktohen zgjedhje të hershme kjo do të ishte kundërproduktive dhe se të gjithë liderët duhet të arrijnë konsensus lidhur me këto çështje", deklaroi Vllahovski.

I pyetur për takimet e sotme të opozitës, Shalenberg, potencoi sërish se vizita e tyre nuk ka për qëllim ndërhyrjen në punët e brendshme..

"Nëse tani e tregojmë çdo detaj për çfarë kemi biseduar, mendoj se do të jetë kundërproduktivem pasi do të bëhemi pjesë e debatit, ndërsa dëshirojmë të jemi pjesë e zgjidhjes", deklaroi Shalenberg.

Lidhur me bllokimet e mundshme të reja të Bullgarisë, Lipavski tha se procesi i zgjerimit të BE-së kërkon konsensus nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, kështu që askush nuk mund ta përjashtojë ndikimin e politikës vendore.

"Ky është realiteti dhe mënyra se si funksionojnë gjërat. Duhet ta kuptojmë se ekziston atmosferë mjaft e mirë në BE ndaj zgjerimit. Kjo është mundësia e vetme. Para dy vitesh nuk ekzistonte atmosferë e tillë dhe nuk e dimë se çfarë mund të sjellë e ardhmja", tha Lipavski, duke potencuar se do të bëjnë gjithçka që të parandalohen kërkesat në bazë bilaterale, por se nuk mund të jepen garanci.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR