• e enjte, 26 dhjetor 2024

Informata të klasifikuara në të ardhmen do të lexohen në "dhomën e shurdhër" në Kuvend, e vetmja në vend

Informata të klasifikuara në të ardhmen do të lexohen në

Shkup, 21 tetor 2024 (MIA) - Në Kuvend sot do të lëshohet në përdorim dhoma e mbrojtur, e para e llojit të tillë në Maqedoninë e Veriut, e disejnuar në nivel më të lartë për mbrojtjen e dokumenteve rreptësisht të besueshme. Hapësirën fillimisht do ta shfrytëzojë Kuvendi dhe komisionet, të cilat punojnë me informata të klasifikuara, por në të njëjtën kohë ajo do të mund t'u lëshohet për shfrytëzim organeve tjera shtetërore nëse kanë nevojë për këtë dhe me miratimin e Kuvendit.

Hapësira, siç tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i plotëson të gjitha standardet audio dhe kundër rrezatimit dhe posedon pajisje e cila garanton sigurinë e informacionit të klasifikuar, duke iu përmbajtur standardeve më të larta TEMPEST të mbrojtjes nga rrezatimi.

Gashi, në promovimin e sotëm tha se zyrtarisht Kuvendi furnizohet me "Dhomë të mbrojtur", e cila është pjesë e një projekti të gjerë dhe shumëvjeçar, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Zvicra, BE-ja dhe Holanda, falë bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe organizatën zbatuese DECAF. 

"E mbrojtur, e heshtur, apo e shurdhër, kjo dhomë është ndërtuar posaçërisht për të bllokuar valët elektromagnetike që të hyjnë apo dalin prej saj", tha Gashi.

Ai përkujtoi se në vitin 2017, deputetë të pushtetit dhe opozitës ranë dakord se një sallë e tillë është më se e nevojshme të ndërtohet në Kuvend, si pjesë e pakos së masave për mbikëqyrjen më të mirë të shërbimeve sekrete. Ndërtimi i kësaj dhome është shumë më tepër sesa përmirësimi i kushteve të punës së tre komisioneve përkatëse për monitorimin e punës së shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës.

"Dhoma e Mbrojtur rrit rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në të cilin kemi qenë veçanërisht të fokusuar që nga fillimi i mandatit tonë. Dhoma e mbrojtur nuk është vetëm një kërkesë që rrjedh nga Memorandumi i Mirëkuptimit me DECAF; por është një kërkesë e NATO-s. Prandaj, procesi për ndërtimin e saj, prokurimi i pajisjeve dhe funksionalizimi ishin veçanërisht procese komplekse. Është kënaqësi e veçantë për mua të them se paraardhësit e mi, deputetët e përbërjeve të mëparshme parlamentare, së bashku me shërbimet dhe partnerët, qëndruan stoik në angazhimin për ndërtimin e kësaj dhome sipas standardeve më të larta të NATO-s, duke respektuar një procedurë tenderimi veçanërisht të ndërlikuar dhe duke zbatuar standarde. që janë në përputhje me standardet e NATO-s", tha kryetari i Kuvendit.

Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se me ndërtimin dhe lëshimin në përdorim të Dhomës së mbrojtur rrumbullaksohet një punë, mund dhe angazhim pothuaj shtatëvjeçare, që të përforcohen kapacitetet e Kuvendit për kryerjen e Mbikëqyrjes parlamentare ndaj shërbimeve të sigurisë.

"Integrimi euroatlantik i vendit tonë, nënkupton edhe reforma themelore në sektorin e sigurisë dhe zbulimit në institucionet, të cilat kryejnë mbikëqyrje dhe kontroll, që nënkupton edhe përforcimin e kapaciteteve për mbikëqyrje të Kuvendit", tha Micevski.

Në pajtim me Ligjin për informata të klasifikuara, të miratuar në vitin 2019 si pjesë e paketës së ligjeve reformuese, Kuvendi me ndërtimin e një dhome të tillë, i ndërmerr masat dhe aktivitetet më të larta për sigurinë administrative, fizike dhe industriale, sigurinë e komunikimit - sistemeve të informacionit, si dhe të sigurisë së personave - përdorues të informacionit të klasifikuar .

Në ngjarjen fjalime mbajtën edhe ambasadorja zvicerane Veronik Ulman, kryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e shërbimeve për sigurisë dhe zbulim, deputet në Kuvendin e Republikës së Sllovenisë, Janez Zhakelj, drejtori i DCAF - Lubjanë, Andrej Rupnik dhe drejtori i Drejtorisë për Siguri të Informacioneve të Klasifikuara, Stojan Sllaveski.

Ambasadorja zvicerane Ulman tha se në Kuvend do të mund të punohet në nivelin më të lartë të sigurisë, por se kyçe për ralizimin e "dhomës së shurdhër" është bashkëfinancimi i vendeve dhe dhe DCAF.

Zhakelj tha se mbikëqyrja parlamentare është më e rëndësishme dhe se është kyç roli i tij për sigurinë, por megjithatë këto shërbime duhet t'i mbrojnë të drejtat e qytetarëve.

Për realizimin e të a.q. "dhoma e shurdhër" në Kuvend ka pasur gjashtë thirrje publike. bsh/

Foto: MIA/Kuvend/DCAF

QËNDRONI TË LIDHUR