• e enjte, 26 dhjetor 2024

“Independent”: Pse duhet të zëvendësoni liqenin e Komos me Maqedoninë e Veriut

“Independent”: Pse duhet të zëvendësoni liqenin e Komos me Maqedoninë e Veriut

13 korrik 2023

"Independent"

Verë freskuese në një tarracë në diell, pikërisht pranë ujit; Shëtitjet me varkë dhe Qyteti i Vjetër në listën e UNESKO-s: Liqeni i Ohrit ka gjithçka që mund të dëshironi për një pushim elegant me një buxhet të vogël, zbulon Sara Holt.

Njerëzit pinë Aperoli dhe espreso dhe hanë pica, me kokën e kthyer nga uji me ngjyrë  të gjelbër si pallua, i rrethuar nga kodra të mbushura me vila. Skena nuk është ndryshe nga liqeni i Komos – por unë jam 1300 milje larg nga Italia Veriore, në Ohër, në jugperëndim të Maqedonisë së Veriut. Ohri po hyn dalëngadalë në radarin e turistëve nga Britania e Madhe, falë fluturimeve direkte të prezantuara  së fundmi në “TUI” nga Mançesteri dhe “Getuik”.

Qyteti i Ohrit dhe liqeni i tij me të njëjtin emër statistikisht tejkalojnë edhe konkurrentin italian.

I përhapur në mbi 138 milje katrore, Liqeni i Ohrit është më shumë se dyfishi i madhësisë së Komos, një fakt që vlerësohet më së miri në një udhëtim vajtje-ardhje me varkë. Shkëmbinjtë karstikë me ngjyrë të kallajit dhe rozës së hapur, shtrihen me kilometra, duke i lënë vendin gjelbërimit të Parkut Kombëtar të Galiçicës, kaq i dendur sa ngjan me lulet e brokolit.

Varka ime ndalon në rrëzë të Manastirit të “Shën Naumit” në majë të kodrës, një manastir ortodoks i ndërtuar fillimisht në shekullin e 10-të. Prej këtu ke pamjen e liqenit të madh, nga një lartësi ku bredhin lirshëm pallonjtë (simbolet e të cilëve janë edhe në afreske). Hyj edhe në kishën e manastirit dhe zbuloj dhomën e mbuluar me afreske ku është varrosur Shën Naumi. Legjenda thotë se nëse vendos veshin në sipërfaqen e varrit, mund të dëgjosh ende rrahjen e zemrës së tij, por me përulësi vendos të mos e vë në provë këtë teori.

Për më shumë se një milion vjet, Liqeni i Ohrit është gjithashtu më i vjetër se liqenet italiane, dhe qyteti i Ohrit njihet si një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në Evropë. Duke ecur nëpër Qytetin e Vjetër dhe deri në kështjellën e “Car Samuilit” të shekullit të 11-të, duke parë muret, kam ndjenjën se po eci nëpër histori.

Vendet historike të Ohrit përfaqësojnë çdo fazë të së kaluarës së Maqedonisë së Veriut dhe nxjerrin një trashëgimi nga luftërat e shumta të perandorive dhe kombeve në territorin e saj. Ka porta të qytetit që janë ndërtuar fillimisht në shekullin e IV para Krishtit; një amfiteatër helenistik me pesë mijë vende; një listë e gjatë kishash të shekullit të 14-të; shtëpitë e qytetit të shekullit të 18-të; dhe Kisha e Shën Sofisë e shekullit të 6-të (kjo është vetëm një pjesë e asaj që është në këtë qytet).

Është kjo shumëplanëshe historike që i dha qytetit të vjetër të Ohrit një vend në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s në vitin 1997. Zonat përreth liqenit janë gjithashtu të përfshira në listë pasi ato janë shtëpia e më shumë se 200 llojeve të bimëve dhe 17 llojeve endemike të peshqve.

Ecni nëpër çdo rrugë në qendër të qytetit dhe do të zbuloni një tjetër pjesë unike të Ohrit: dyqanet e tij të bizhuterive. Ekranet e dritareve plot filigran argjendi të punuar me dorë, me dizajnë delikate. Pastaj vijnë perlat. Perlat apo margaritarët  e Ohrit, të tilla si ato të veshura nga Mbretëresha Elizabeth II dhe Princesha Diana, janë të ndryshme nga ato që do të gjeni kudo tjetër në botë, sepse ato janë të punuara me dorë. Dy familje - Talevi dhe Filevi, i krijojnë ato duke përdorur receta sekrete, të vjetra që përfshijnë lëvozhgë të bluar, emulsione të bëra nga luspat e troftës së Ohrit dhe një proces të mundimshëm prodhimi me shumë faza.

Unë personalisht u futa në dyqanin e njërit prej dy ekspertëve të rubinit maqedonas në qytet. Ata klasifikohen si rubin origjinal, por përmbajnë më pak krom, duke i bërë ato të errët dhe më të zbehtë në ngjyrë. Unë largohem me një gjerdan të vënë me një varëse rubini sa bizele.

Liqeni i Ohrit është gjithashtu një lojtar kyç në rilindjen aktuale të verës në Maqedoni. Zbulimi i mbetjeve të lashta të farave të rrushit sugjeron se vera është prodhuar në zonën e Maqedonisë së Veriut që nga Neoliti. Megjithatë, në mesin e shekullit të 20-të, kur vendi ishte nën sundimin e Jugosllavisë komuniste, vera prodhohej për sasi dhe jo për cilësi.

Tani, kantinat e verës më të mëdha ekzistuese të vendit po punojnë me ekspertë nga e gjithë Evropa për të përmirësuar ofertat e tyre. Një numër në rritje i kantinave butiqe të pavarura po hapen me synimin për ta bërë Maqedoninë e Veriut një lojtar të ri të respektuar në skenën botërore të verërave.

Standardin e verës së Maqedonisë së Veriut e përjetoj drejtpërdrejt në dhomat e degustimit në Villa dhe Veraria "Mal Sveti Kliment", në qytetin e vjetër. E hapur në vitin 2016, kantina e verës prodhon verëra duke përdorur rrush të marrë nga vreshti i saj, i punuar nga vreshtarët vendas. Dhomat e saj të degustimit menaxhohen nga somelierët e WSET, Almir Rahimoski dhe Elena Mitrevska, të cilët janë të përkushtuar për të ekspozuar verërat nga kantinat e verës në mbarë  vendin.

Bebëzat e syve të mi zgjerohen ndërsa provoj një gotë verë të gazuar nga kantina Peshkov. E bërë duke përdorur metoda tradicionale të shampanjës, është një version i ri për vitin 2023. Elena sjell një pjatë brusketë të bërë sipas recetës së saj, të mbushur me krem ​​limoni, molle dhe lajthie për të shoqëruar verën, një alkimi e menjëhershme që rrit shqisat në një nivel më të lartë.

Interesi im për verën e Maqedonisë së Veriut po rritet, guxoj të vizitoj Kantinën e Verës “Manastiri” të nesërmen. E pozicionuar në fund të një rruge me çakull, 15 minuta me makinë nga Ohri, kantina e verës u ndërtua në vitin 2005 në vendin e një kishe të mëparshme. Në vitin 2018, prifti dhe një inxhinier vendas filluan të bëjnë verë në bodrumin e manastirit dhe kështu lindi "Veraria e Manastirit" - e cila tani prodhon dhjetë mijë shishe në vit. Unë provoj shtatë lloje të verës së kantinës “Manastir”, së bashku me një pjatë me djathë lope dhe dele, mish të pjekur dhe një pjatë ajvar (një shtresë për të lyer bukën të bërë nga speca të kuq).

Duke pirë verë dhe duke ngrënë meze në diell, ndihem sikur mund të jem sërish në Itali. Por mendimi shpejt kalon - sepse Ohri është shumë më tepër se pamja e liqenit Komo. Është një destinacion i pasur me histori, i mbushur me nuancat e veta.

"TUI - liqene dhe malet" ofron aranzhime pushimesh shtatë-ditore në Liqenin e Ohrit, Qëndroni në resortin me spa “Junik” nga 661 £ për një natë me mëngjes të përfshirë dhe biltë kthimi  në aeroportin “Getuik” të Londrës.

Foto: Printskrin “Independent”

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR