• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Inaugurimi i presidentit të ri duhet të bëhet më së voni më 12 maj, kur i skadon mandati Pendarovskit

Inaugurimi i presidentit të ri duhet të bëhet më së voni më 12 maj, kur i skadon mandati Pendarovskit

Shkup, 9 maj 2024 (MIA) - Pas zyrtarizimit të rezultateve zgjedhore, më së voni më 12 maj duhet të mbahet seanca parlamentare për inaugurimin e presidentes së sapozgjedhur Gordana Siljanovska Davkova. Ajo para deputetëve nga përbërja e vjetër duhet të japë deklaratë solemne, pas së cilës dhe fillon mandati i saj. Më 12 maj i skadon mandati presidentit aktual i cili ishte edhe kandidat për president, Stevo Pendarovski.

Mbledhjen për inaugurimin e presidentit të ri duhet ta thërrasë presidenti aktual i Kuvendit Jovan Mitreski. Në takimin me gazetarët në fund të marsit, Mitreski ka bërë të ditur se ky do të jetë një nga aktivitetet e fundit të përbërjes së vjetër të Kuvendit, para konstituimit të përbërjes së re parlamentare.

Nëse inaugurimi i presidentit të ri do të ndodhë më 12 maj, ai duhet t'i ndajë mandatin përbërjes së re të Qeverisë.

Në bazë të Kushtetutës presidenti i Republikës është komandant suprem i forcave të armatosura. Presidenti ushtron të drejtat e tij në bazë dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve, ndërsa zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhjet e drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, për një periudhë pesë vjeçare.

Për president zgjidhet kandidati i cili ka fituar shumicën e votave nga votuesit të cilët kanë votuar, nëse kanë votuar më shumë se gjysma e votuesve.

Zgjedhja për president të Republikës kryhet në 60 ditët e fundit të mandatit të presidentit të mëparshëm. Në rast të përfundimit të mandatit të presidentit të Republikës prej cilave do arsye, zgjedhja e presidentit të ri bëhet brenda 40 ditëve nga dita e përfundimit të mandatit.

Para marrjes së detyrës, presidenti i Republikës jep deklaratë solemne para Kuvendit ku merr përsipër të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Në rast të vdekjes, dorëheqjes, pamundësisë së përhershme për të kryer funksionin ose përfundimin e mandatit në bazë të Kushtetutës, deri në zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, funksionin e presidentit të Republikës e kryen kryetari i Kuvendit.

Kushtet për ndërprerjen e funksionit të presidentit të Republikës e përcakton Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë në bazë të detyrës zyrtare.

Detyra e presidentit të Republikës është e papërputhshme me kryerjen e një funksioni, profesioni ose pozicioni tjetër publik në një parti politikë. Presidenti i Republikës gëzon imunitet. Gjykata Kushtetuese vendos heqjen e imunitetit të presidentit me dy të tretat e shumicës së numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë e cakton mandatin për përbërjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë; emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët dhe deputetët e Republikës së Maqedonisë jashtë vendit; merr akreditimet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatik; propozon dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë; propozon dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor Republikan, emëron tre anëtarë të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Maqedonisë; propozon anëtarët e Këshillit për marrëdhënie ndërkombëtare; emëron dhe shkarkon bartës të tjerë të funksioneve shtetërore dhe publike; jep dekorata dhe mirënjohje në përputhje me ligjin; jep falje në pajtim me ligjin dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara në bazë të Kushtetutës.

Presidenti i Republikës e njofton Kuvendin për çështjet e kompetencës së tij të paktën një herë në vit. Kuvendi mund të kërkojë nga presidenti i Republikës mendim për çështjet që janë në juridiksionin e tij.

Presidenti i Republikës është kryetar i Këshillit të sigurisë, ndërsa e përbëjnë: presidenti, kryetari i Kuvendit, kryetari i Qeverisë, ministrat që udhëheqin organet e administratës shtetërore në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe punëve të jashtme dhe tre anëtarë të cilët emërohen nga presidenti i Republikës.

Këshilli i shqyrton çështjet të lidhura me sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës dhe jep propozime në Kuvend dhe Qeveri.

Presidenti i republikës është përgjegjës për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve në kryerjen e të drejtave të detyrës së tij. Procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë së presidentit të Republikës e ngrit Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Përgjegjësia e presidentit vendoset nga Gjykata Kushtetuese me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton përgjegjësi të presidentit të Republikës, funksioni i tij pushon në bazë të Kushtetutës. rq/

Foto: MIA

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR