• e diel, 12 janar 2025

Ilon Mask e quan ish komisarin e BE-së Tieri Breton “tiran evropian”

Ilon Mask e quan ish komisarin e BE-së Tieri Breton “tiran evropian”

Bruksel, 11 janar 2025 (MIA) - Miliarderi amerikan Ilon Mask sot e ka quajtur ish komisarin evropian për digjitalizim, francezin Tieri Breton, tiran evropian.

Kjo vjen pas një polemike të re onlajn midis tyre mbi mbështetjen e Maskut për të djathtën ekstreme gjermane.

Në fund të dhjetorit, Masku në një mesazh në X tha se vetëm Alternativa e ekstremit të djathtë (AfD) mund ta shpëtojë Gjermaninë. Komenti i tij shkaktoi dënime të ashpra në Evropë, me çka Bretoni në atë kohë e quajti deklaratën e tij "ndërhyrje nga jashtë".

“Njeri, ‘ndërhyrja e huaj’ amerikane është e vetmja arsye që ti sot nuk flet gjermanisht apo rusisht”, u përgjigj Masku, duke aluduar në zbarkimet amerikane në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Debati u riaktualizua këtë javë pas ndërhyrjes së Bretonit në televizionin BFMTV/RMC.

"Le ta ruajmë gjakftohtësinë tonë dhe të zbatojmë ligjet tona në Evropë kur ato rrezikohen të anashkalohen. Ne e bëmë atë në Rumani dhe duhet ta bëjmë në Gjermani nëse është e nevojshme", ka thënë Breton.

Masku sot në X u përgjigj ndaj siç thekson ai "absurditetin e pabesueshëm të Tieri Bretonit, tiranit të Evropës".

Si përgjigje të mesazhit të Maskut, Bretoni shkroi edhe në rrjetin X: “Tirani i Evropës. Prisni. Por jo Ilon Mask: BE-ja nuk ka mekanizëm për të përmbysur çfarëdo zgjedhje kudo në BE”.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR