• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ibrahimi: Qeveria e re solli politikanë të pakorruptuar

Ibrahimi: Qeveria e re solli politikanë të pakorruptuar

Shkup, 29 tetor 2024

Zeqirija Ibrahimi, lider i Alternativës në intervistën e tij për Click Plus në pyetjen se cili është ndryshimi i parë që solli kjo qeveri, tha midis tjerash se qeveria e re solli politikan të pakorruptuar.

“Ka plot sende që mund ti them si e para, por mund që ju them që nuk kemi asnjë politikan të korruptuar në skenë. Kjo gjë mendoj se është mjaftueshëm e rëndësishme për shkak se gjatë dy dekadave të kaluara, qytetarët kanë qenë të mërzitur shumë kur kanë pasur politikan për të cilët është folur gjerësisht në media se kanë afera të korrupsionit në punën e tyre”, deklaroi midis tjerash Ibrahimi.

Gjykata Kushtetuese abuzon me vendimet për gjuhën shqipe, këtë përbërje të Gjykatës e votoi BDI - LSDM

Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, gjatë emisionit Click Plus në TV21, deklaroi se ka një tendencë për tensionim të marrëdhënieve ndëretnike e cila buron nga institucionet shtetërore, jo domosdoshmërisht nga qeveria aktuale. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese abuzon me vendimet e balancuesit dhe me disa nene të kontestuara që kanë lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe. Ibrahimi theksoi se përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese e ka votuar përbërja e kaluar qeveritare, ku rol të veçantë kishin LSDM dhe BDI.

Në Maqedoninë e Veriut BDI-ja gjuhën shqipe e bëri gjuhë të përkthyer  

Ibrahimi në intervistën e tij për Click Plus sqaroi se çfarë ka bërë BDI-ja në lidhje me gjuhën shqipe.

Ata, kanë gënjyer Edi Ramën dhe Hashim Thaçin se kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe, kur realisht shqipja në Maqedoninë e Veriut është gjuhë e përkthyer. Ka avancim sa i përket përdorimit të saj në nivel të shtetit, por zyrtare është vetëm gjuha maqedonase.

“Unë kam qenë në studion tuaj me eksponentë të BDI-së në kohën kur është votuar Ligji për gjuhën shqipe. Dhe më duhet të kthehem tash prapë! U kam thënë edhe atyre, mos e gënjeni opinionin e gjuha shqipe është bërë zyrtare. Ata jo vetëm që e gënjenin opinionin tonë vendor, por e gënjenin Edi Ramën dhe Hashim Thaçin u thoshin se shqipja është zyrtare dhe ata dy bënin aplaus për suksesin që këta e bënin këtu. Realisht e kam thënë edhe atëherë, e them edhe sot, as në Kushtetutë e as në Marrëveshjen e Ohrit, këta nuk arritën që ta bëjnë gjuhën shqipe zyrtare. Për shkak se shteti në Maqedoninë e Veriut flet në maqedonisht. E kam thënë edhe atëherë, e them edhe sot, shqipja është gjuhë e përkthyer. Këta njerëz nuk kanë arritur që të bëjnë ligj me të cilin ta bëjnë shqipen në nivel të maqedonishtes. Dhe këta e kanë bërë gjuhën shqipe gjuhë të përkthyer, për nevoja të komunikimit. Ne e gjetëm këtë gjendje, nuk është se ne e shpikëm këtë gjendje. Ne e kemi votuar në vitin 2018 ligjin për gjuhët. Dmth edhe ajo ka qenë një lloj suksesi se e ka zgjeruar përdorimin e gjuhës shqipe. Por, nuk e ka zyrtarizuar. Andaj sot, ne po përballemi me trashëgiminë e dëmshme të BDI-së, rrjedhimisht  edhe me ligjin e gjuhës. Edhe atëherë e thosha, a mund të hartohet një dokument në gjuhën shqipe në një komunë ku nuk ka asnjë bashkësi tjetër etnike. Vetëm shqiptarë janë, a lejohet të bëhet një dokument i tillë? Jo. Kur u thosha, ata atëherë reagonin si djalli prej temjanit. Ua bëja me dije se ju nuk e keni zgjidhur këtë punë. Në Maqedoni në Kushtetutë shkruan se kodi i vetëm i komunikimit është vetëm gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Kjo i bie që shteti nuk flet në asnjë gjuhë tjetër. Gjuhët e të tjerëve, këtu janë gjuhë të përkthyera. Kur ne e thoshim këtë gjë, ata na akuzonin se ne po e themi për arsye opozitare. Realisht sot e kuptojmë që ne e kemi gjetur gjendjen e këtillë. Shqipja është në këtë shkallë që e kemi avancuar, e kemi zgjeruar përdorimin e saj. Por shqipja nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi midis tjerash Ibrahimi.

BDI-ja kërkon destabilizim, e ka të vështirë qëndrimin në opozitë pas dy dekadave në pushtet

Në intervistën për Click Plus, Ibrahimi theksoi se beson se BDI-ja është duke e kërkuar destabilizimin. Arsyeja pse BDI-ja po e kërkon këtë gjë, është se e kanë tejet të vështirë qëndrimin në opozitë pas dy dekadave në pushtet.

Sipas tij, njëra prej mënyrave se si BDI-ja dëshiron që ta arrijë destabilizimin është përmes Gjykatës Kushtetuese, ku përbërja e saj është e votuar në kohën e tyre.

“Ne e dimë që ata e kanë shumë të vështirë që të rrinë në opozitë. Dhe kjo është një tmerr për njerëzit që kanë qenë dy dekada në pushtet, është vështirë të rrinë në opozitë. Ata kanë pasur edhe deklarime publike se mund të destabilizohet vendi nëse ata nuk janë në Qeveri. Nuk e kanë thënë në mënyrë taksative, por po ua them saktë si kanë thënë, sipas tyre nëse nuk respektohet legjitimiteti i votës shqiptare, kjo mund të shkaktoje destabilizim. Dhe ne kemi thënë se ata nuk janë përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve. Fjala destabilizim është fjalë që e kanë thënë ata dhe nuk e shpikëm ne. Dhe kur pastaj e ke Gjykatën Kushtetuese e cila është e votuar në kohën e qeverisjes së tyre le për të besuar se kjo është njëra prej mënyrave se si ata duan të shkaktojnë destabilizim ”, deklaroi midis tjerash Ibrahimi.

Partia Alternativa

______________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR