• e premte, 27 dhjetor 2024

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Saracin në Shkup me takime me pushtetin dhe opozitën

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Saracin në Shkup me takime me pushtetin dhe opozitën

Shkup, 11 shtator 2023 (MIA) - I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin sot dhe nesër do të qëndrojë në Shkup, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të qeverisë dhe opozitës. Vizita e tij shihet si ofensivë diplomatike për ndryshimet kushtetuese, pasi gjatë vizitës së tij në vend në qershor në një intervistë për MIA-n tha se Maqedonia e Veriut nuk ka kohë për të humbur dhe se pas ndryshimeve kushtetuese rruga e saj është e pakthyeshme, por edhe theksoi se pritjet për rihapjen e Kornizës negociuese janë joreale.

Saracin sot do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa është planifikuar takim edhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickovski, me të cilin, siç është paralajmëruar, do të takohet në selinë e VRMO-DPMNE-së.

Për nesër është planifikuar takim i të dërguarit special gjerman për Ballkanin Perëndimor me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, si dhe pjesëmarrjen e tij në konferencën “Përmirësimi i procesit të Berlinit, përmes demokracisë parlamentare”.

Saracin, i cili mori pjesë në Forumin e Prespës në qershor, në intervistë për MIA-n tha se Maqedonia e Veriut nuk ka shumë kohë për të humbur, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë.

"Nëse i hapni klasteret tani pas ndryshimeve kushtetuese, rruga e vendit drejt BE-së është e pakthyeshme. Ju keni bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe të gjithë e dinë që vendi juaj do të afrohet, nuk e dimë sa shpejt, por askush nuk mund ta kthejë më vendin prapa. E shohim se çfarë po ndodh në lagjen tuaj dhe sa e rrezikshme është, ku protesta të dhunshme po përsëriten pas shumë vitesh në rrugë dhe çfarë do të thotë kjo për ndjenjat e qytetarëve të këtij rajoni. Kjo thotë: aderoni sa më shpejt, jini sa më afër Bashkimit Evropian, bëjeni këtë rrugë të pakthyeshme tani, në mënyrë që të jeni më të sigurt në zhvillimet e mundshme në të ardhmen, ndërsa ne nuk dimë çfarë të presim në javët dhe muajt në vijim", deklaroi në atë kohë diplomati gjerman.

Ai në atë kohë vlerësoi se nuk është reale të pritet që Korniza Negociatore të rihapet dhe ka shtuar se Gjermania do të jetë kundër kësaj.

"Korniza e negociatave u miratua unanimisht nga 27 vendet anëtare dhe ne nuk do ta rihapim procesin për marrjen e një vendimi të tillë. Ajo është miratuar dhe nuk ndryshohet. Ajo përfaqëson një garanci për Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të ndryshohet lehtë më pas dhe Bullgaria nuk mund të vendosë më tej kushte të reja në të. Ishte gjithashtu një nga pikat kyçe të propozimit vitin e kaluar. Prandaj, është krejtësisht joreale të pritet që ne ta rihapim atë. Gjermania do të jetë kundër rihapjes së Kornizës negociuese#, tha Saracin në intervistën për MIA-n. ls/

Foto: MIA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR