• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hulumtuesja e ITSHKSH, Lindita Ahmeti, fituese e Çmimit Shtetëror "11 Tetori"

Hulumtuesja e ITSHKSH, Lindita Ahmeti, fituese e Çmimit Shtetëror
Shkup, 12 tetor 2022 (MIA) - Ashtu si çdo vit, edhe sivjet me rastin e festës shtetërore të “11 Tetorit”, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i ndau çmimet shtetërore që jepen për veprimtari jetësore. Në mesin e fituesve të sivjetmë të këtij çmimi ishte edhe hulumtuesja e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Lindita Ahmeti. Siç theksohet në kumtesn e ITSHKSH, Lindita Ahmeti është e lindur më 26.04.1973 në Prizren – Republika e Kosovës. Shkollën fillore dhe të mesme i mbaroi në Shkup, ndërsa studimet i vazhdoi në Fakultetin Filozofik – Instituti i Studimeve Klasike në Shkup në grupin e Filologjisë Klasike (greqishte e vjetër dhe latinisht), që i përfundoi më 2007. Më 2020 po në këtë institucion arsimor e ka mbrojtur edhe temën e magjistraturës me titull “Erosi dhe Amori si paradigma letrare në lirikën antike” dhe e ka marrë gradën shkencore/titullin “Magjistër i filologjisë klasike”. Deri në dhjetor të vitit 2019 ka qenë e angazhuar me kontratë në vepër si bashkëpunëtore e jashtme në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, ndërsa nga dhjetori i atij viti është punësuar në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup si asistente e re hulumtuese në Departamentin e Muzeologjisë. Lindita Ahmeti është autore e 8 vëllimeve me poezi, është përfshirë në disa antologji poetike në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja, ndërsa disa vepra të saj janë botuar edhe në maqedonisht. Pos kësaj, poezia e saj është përkthyer edhe në shumë gjuhë të huaja, ndërsa edhe ajo vetë është përkthyese e disa veprave. Ajo poashtu është pjesëmarrëse e shumë festivaleve të poezisë, siç janë “Ditët e Naimit”, “Mbrëmjet strugane të poezisë” etj., ndërsa në këto dhe ngjarje të ngjashme ajo është shpesh shpërblyer edhe me çmime e mirënjohje të veçanta. Përveç poezisë, kandidatja Lindita Ahmeti është edhe autore e shumë eseve, që janë botuar në shtypin ditor, periodik dhe elektronik në gjuhën shqipe. Çmimi Shtetëror “11 Tetori”, që edhe sivjet u nda pikërisht në këtë datë, ndahet me motivacionin “për vepër jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë dhe veprimtarive të tjera me interes publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ndërsa përveç asaj sivjet me këtë çmim janë laureuar edhe mjeku Metodi Çepreganov, shkrimtari Tomislav Osmanli dhe artisti Micko Jankullovski. bs/

QËNDRONI TË LIDHUR