• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hulumtim: Komunat me transparencë më të madhe se para dy vjetëve, por ende jo në nivelin e duhur

Hulumtim: Komunat me transparencë më të madhe se para dy vjetëve, por ende jo në nivelin e duhur

Shkup, 18 tetor 2024 (MIA) – Në krahasim me vitin 2022 kur mesatarja e transparencës në komunat ishte 27 për qind, këtë vit ajo ka arritur 37 për qind, që është rritje për 10 për qind në dy vjet. Edhe pse kjo përqindje është rritur dukshëm, megjithatë përfaqëson indikacionin për nivel të ulët të transparencës në punën e vetëqeverisjes lokale, i tregojnë gjetjet nga Vlerësimi i qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut të përgatitur përmes Indeksit të transparencës për vitin 2024 në forumin tematik "Bashkësia e përfshirë për rezistencë ndaj korrupsionit” të Fondacionit Metamorfozis dhe Koalicionit Rural.

Në vitin 2024, gjetjet nga Indeksi i transparencës tregoi se njësitë më transparente të vetëqeverisjes lokale janë Manastiri (67%), Dellçeva (66%), Demir Hisari (64%), Velesi (60%), Vallandova  (59%), Prilepi (58%), Kriva Pallanka (58%), Berova (58%), Vasileva (56%), Koçani (55%), Gradsko (54%), Gjevgjelia (54%), Ohri (53%), Kavadari (52%) dhe Gazi Baba (52%).

Komuna më të mbyllura, sipas gjetjeve janë Sopishte me (7%), Krivogashtani (13%), Studeniçani (13%), Rosomani (14%), Çuçer Sandeva (15%), Shuto Orizare (16%), Llozova (17%), Bogovina (18%), Rankovci (18%), Vrapçishti (19%) dhe Çairi (19%). 

Sikurse në vitin 2022, edhe në vitin 2024 njësitë e vetëqeverisjes kanë notën mesatare më të lartë në fushën e transparencës (46%), dhe mesataren më të ulët në fushën e ndërgjegjësimit (21%), ndërsa mesatarja më e lartë është vërejtur në fushën e transparencës dhe integritetit, gjegjësisht rritje për 12%. Ky rezultat i ulët në fushën e ndërgjegjësimit (21%) tregon për cilësinë e dobët të planifikimit, programimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave të zbatuara nga njësitë vetëqeverisëse. Interesat publike duhet të pasqyrohen në politikat publike, gjë që e bën këtë rezultat edhe më alarmant”, thuhet në kumtesën e sotme.

Konkluzion i përgjithshëm nga Indeksi i transparencës së vetëqeverisjes lokale, shtohet, është se vetëqeverisja lokale ka ende rrugë të gjatë deri në arritjen e transparencës së vërtetë. 

“Autoritetet lokale duhet të publikojnë dokumente në formatin më të hapur në mënyrë proaktive dhe t’i përmirësojnë ueb-faqet e tyre për disponueshmëri, qasshmëri dhe cilësi më të mirë të informatave, të të dhënave dhe të shërbimeve. Gjithashtu është e nevojshme të krijohen mekanizma më efikasë për pjesëmarrjen e qytetarëve për përfshirjen thelbësore të qytetarëve në vendimmarrje dhe përmirësimin e jetës së komunitetit. Përveç kësaj, ata duhet të punojnë për të përmirësuar cilësinë e planifikimit, programimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave lokale për të siguruar që interesi publik reflektohet siç duhet në vendime, si dhe të sigurohen dhe të publikohen mekanizmat dhe politikat për integritet dhe politikat kundër korrupsionit, si dhe të sigurohet zbatimi i tyre i përkushtuar dhe etik”, thonë nga Fondacioni Metamorfozis dhe Kolicioni Rural.

Sipas tyre, është e nevojshme që në afat të shkurt njësitë e vetëqeverisjes lokale të vendosin procedura të brendshme për publikim me kohë të të gjitha informacioneve lidhur me realizimin e kompetencave të tyre, të cilat njëherësh do ta mbështesin edhe publikimin e sa më shumë të dhënave në format të hapur.  

“Njësitë e vetëqeverisjes lokale të vendosin procedura të brendshme për publikimin në kohë të të gjitha informacioneve që lidhen me ushtrimin e kompetencave të tyre, të cilat njëkohësisht do ta mbështesin edhe publikimin e sa më shumë të dhënave në format të hapur. Njësitë e vetëqeverisjes lokale duhet të publikojnë në mënyrë proaktive të gjithinformacionet që dalin nga puna e tyre, puna e kryetarit/es të/së komunës, këshillave dhe trupave punuese dhe komisioneve të tyre, si dhe të ndërmarrjeve publike, duke përfshirë edhe programet vjetore, raportet, buxhetet, furnizimet publike, të dhënat për financimin e projekteve, punësimet, rrogat e funksionarëve, kompensimet e këshilltarëve etj.

Njësitë e vetëqeverisjes lokale duhet të krijojnë dhe të publikojnë dokumente strategjike dhe programore të vetëqeverisjes lokale që përmbajnë qëllime dhe rezultate të përcaktuara qartë, me implikime buxhetore dhe tregues për matjen e rezultateve. Proceset e hartimit të politikave duhet të jenë të planifikuara paraprakisht dhe të parashikueshme, me publikimin e planeve vjetore për konsultime në ueb-faqe. Komunikimi në kohë dhe efektiv është element kyç për kontribut kuptimplotë nga palët e interesuara. Është i nevojshëm publikimi i rregullt i thirrjeve për konsultime publike, debate, si dhe raporte të detajuara me komente dhe përgjigje pas konsultimeve”, Fondacioni Metamorfozis dhe Kolicioni Rural.

Indeksi e vlerëson performancën e vetëqeverisjes lokale në fushën e qeverisjes së mirë përmes katër parimeve, transparenca i referohet politikave, aktiviteteve dhe masave që NJVL-ja i ndërmerr për të informuar qytetarët për punën e saj, vetëdijësimi i referohet cilësisë së planifikimit, programimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave që zbatohen nga ana e autoriteteve lokale, qasshmëria i referohet mënyrës se si njësia e vetëqeverisjes lokale komunikon dhe i përfshin qytetarët-së kur përgjigjet ndaj kërkesave të tyre dhe kur i plotëson nevojat e tyre, integriteti shqyrtohet në funksion të respektimit të vazhdueshëm të vlerave, parimeve dhe normave etike që synojnë prioritizimin e interesit publik ndaj atij privat.

Vlerësimi përfaqëson analizë të thellë të punës së vetëqeverisjes lokale e cila jep një përmbledhje të performancave të përgjithshme të vetëqeverisjes lokale me udhërrëfyes të rekomandimeve për avancimin e situatës. Hulumtimi ishte zbatuar nga 1 shkurti deri më 15 maj 2024. fc/

Fotografia: Fondacioni Metamorfozis dhe Koalicioni Rural 

QËNDRONI TË LIDHUR