• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Hovenier tek Osmani në bisedime për ndalesën e dinarit serb në Kosovë

Hovenier tek Osmani në bisedime për ndalesën e dinarit serb në Kosovë

Prishtinë, 22 shkurt 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e priti sot ambasadorin amerikan në vend, Xhefri Hovenier, me të cilin bisedoi për situatën e krijuar pas hyrjes në fuqi të Rregullativë së Bankës qendrore të Kosovës (BQK) për ndalesë të dinarit serb si mjet për pagesë në vend, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas kumtesës së shërbimit për informim të Presidencës së Kosovës, në takimin e Osmanit me diplomatin amerikan u bisedua për ngjarjet e fundit në vend, "me theks të posaçëm në propozimet të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për implementimin e rregullativës së BQK-së".

"Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, Presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës", thuhet në njoftimin për media.

Mes tjerash, në kumtesën nga Kabineti i Osmanit thuhet se në takim u bisedua edhe për "bashkëpunimin lidhur me agjendën ndërkombëtare në muajt në vijim, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes".

Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullativa e BQK-së, e cila parasheh e për pagesë në vend do të përdoret vetëm valuta euro, me çka hiqet përdorimi i dinarit serb, me të cilin autoritetet nga Beogradi ua paguajnë pensionet, ndihmën sociale dhe kontribute të tjera serbëve në Kosovë.

BQK kumtoi plan tranzicioni, i cili do të zgjasë tre muaj, për adaptim të popullatës serbe ndaj rregullave të reja, megjithatë BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë periudhë më të gjatë para zbatimit përfundimtar të ndalesës për përdorimin e dinarit.

Reagimet nga SHBA-ja ishin mjaft të ashpra, aq sa ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms O'Brajan deklaroi se refuzimi i Prishtinës ndaj kërkesës së Uashingtonit lidhur me ndalesën e dinarit e sjellë në pikëpyetje partneritetin mes dy shteteve. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR