• e mërkurë, 25 shtator 2024

Hovenier, ambasada gjermane dhe BE-ja në përvjetorin e sulmit në Banjskë: Autorët e krimit të mbajnë përgjegjësi

Hovenier, ambasada gjermane dhe BE-ja në përvjetorin e sulmit në Banjskë: Autorët e krimit të mbajnë përgjegjësi

Prishtinë, 24 shtator 2024 (MIA) - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Xhefri Hovenier, kërkoi përgjegjësi të plotë të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës, që ishte kryer para një viti në ditën e sotme, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Hovenier në një publikim në platformën "X" shprehu nderime për reshterin e policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në këtë sulm.

"Sot u bashkova me Qeverinë e Kosovës dhe kolegët diplomatikë për të nderuar kujtimin e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë, sot një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëria jonë, që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës”, ka shkruar Hovenier.

Thirrje që të dënohen përgjegjësit e këtij sulmi kanë bërë edhe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, si dhe Bashkimi Evropian.

Përmes një publikimi në faqen zyrtare në Fejsbuk, ambasada gjermane përkujton se një vit pas sulmit në Banjskë, udhëheqësi i grupit serb, Millan Radoiçiq edhe më tutje është i lirë në Serbi, që "e minon paqen në rajon dhe dërgon porosi të rrezikshme".

"Një vit më parë në sulmin e tmerrshëm në Banjskë humbi jetën polici kosovar Afrim Bunjaku. Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Milan Radoiçiq, autori i supozuar pas këtij krimi, pavarësisht se ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi. Dështimi për t'i kërkuar llogari përgjegjësve, pavarësisht pranimeve të qarta të fajit, minon paqen në rajon dhe dërgon një porosi të rrezikshme. Drejtësia duhet të vendoset. Nuk ka më vonesa dhe justifikime", thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja përsërit thirrjen që të ndiqen përgjegjësit e sulmit në Banjskë dhe bëri thirrje të vazhdojnë përpjekjet për ruajtjen e sigurisë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

"Një vit pas sulmit në Banjskë. BE-ja përsërit thirrjen për ndjekje të shpejtë të përgjegjësve dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie. Është rikujtim i nevojës për përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur sigurinë dhe avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë", ka shkruar Stano.

Ai ka shpërndarë reagimin e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ku e kishte dënuar sulmin në Banjskë.

"Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti një polic i vdekur e dy të tjerë të plagosur", kishte shkruar Borrell në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian.

Ai bërë thirrje që të zbardhet sulmi i 24 shtatorit, duke ftuar qe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.fc/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR