• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Hiseni: Pranimi i fajit nga Memeti dhe Georgiev - dëshmi e hidhur e uljes së mëtejshëm të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë

Hiseni: Pranimi i fajit nga Memeti dhe Georgiev - dëshmi e hidhur e uljes së mëtejshëm të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë

Shkup, 17 gusht 2024

Pranimi i fajit nga Ixhet Memeti, një individ me përvojë të gjatë dhe me ndikim në sistemin tonë shtetëror, trondit themelet e drejtësisë së brishtë në këtë vend.

Gjatë qeverisjes 22-vjeçare të BDI-së, z. Memeti ka mbajtur poste të rëndësishme si Ministër i Drejtësisë, Gjyqtar Kushtetues dhe Avokati i Popullit, duke u shndërruar në një figurë të përfaqësimit të drejtësisë në vendin tonë. Por ky rast i fundit e dëshmon atë që ne si koalicion e kemi dënuar prej kohësh: korrupsionin e pandërprerë dhe të thellë në sistemin gjyqësor.

Pranimi i fajit nga z. Memeti, së bashku me gjyqtarin e Gjykatës Supreme, z. Naqe Georgiev, për ryshfet prej 10 mijë eurosh, me qëllim të uljes së dënimit të ish kryetarit të komunës së Novosellës, z. Boro Stojçev është një dëshmi e hidhur e rënies së mëtejshme të besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Prokuroria "abaziane" për të shpëtuar kokën ka zgjedhur të bëjë një marrëveshje me këta persona, duke lehtësuar procedurat dhe dënimet e tyre, ndërsa gjyqësori pranoi  "pazarin" me të njëjtën indiferencë dhe mungesë morali.

Z. Memeti, dikur njeriu i dytë më me ndikim në Këshillin e Prokurorëve Publikë, vetëm tre muaj më parë deklaroi se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme dhe na siguroi se e vërteta do të dalë në shesh. Dhe këtu, sot është e qartë se e vërteta ishte krejtësisht ndryshe.

Në këtë vijë kanë qenë edhe deklaratat për dy dekada të BDI-së, e cila sa herë qy u kapte në skandale ftonte që ato të denoncoheshin në prokurori. Te cila prokurori, te ajo “abaziane”.

Kur BDI flet për veting, le të jemi të qartë: kjo është një farsë. Kur ajo flet për drejtësi, kjo është një gënjeshtër. E ardhmja jonë nuk mund të ndërtohet mbi themelet e një drejtësie të korruptuar dhe të komprometuar.

Në këto kushte, Koalicioni VLEN ndjen detyrën e tij për të reaguar dhe për të ngritur zërin kundër këtij akti të turpshëm, që përfaqëson një pikë kthese në luftën kundër korrupsionit dhe për ndërtimin e një shteti të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

Konferencë shtypi e zëdhënësit të "Vlen", Fari Hiseni 

_____________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR