• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Hetim kundër tre vëllezërve për vrasje nga hakmarrja në Debresh të Gostivarit

Hetim kundër tre vëllezërve për vrasje nga hakmarrja në Debresh të Gostivarit

Shkup, 27 korrik 2024 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike në Gostivar mori vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër tre personave sepse ekziston dyshimi se si bashkëekzekutues kanë kryer vepër penale "vrasje".

Siç informon Prokuroria Publike, tre vëllezërit nga fshati Debresh më 23 korrik 2024 me paramendim dhe për hakmarrje të pamëshirshme privuan nga jeta një bashkëfshatar me të cilin kishin keqkuptime afatgjata.

Në ditën kritike, së pari pati përleshje fizike në mes të njërit prej vëllezërve dhe viktimës. Pas zënkës, i dyshuari i kishte thirrë vëllezërit e tij, të cilët të revoltuar nga shtëpitë e tyre kishin marrë armë zjarri - kallashnikov dhe pistoletë. Që të tre me automobil "Vollvo" me targa të Zvicrës ishin nisur drejt shtëpisë së të ndjerit. 

Kur e kishin gjetur, kishin qëlluar drejt tij edhe me pistoletën edhe me pushkën automatike, duke i shkaktuar shumë plagë me armë zjarri prej të cilave viktima menjëherë kishte ndërruar jetë. 

Pas ngjarjes, siç bëhet e ditur, tre të dyshuarit ishin mbajtur në paraburgim 48-orësh me qëllim që të kryhen të gjitha ekspertizat. 

"Me fillimin e hetimeve, prokurori publik kompetent në Gjykatën Themelore në Gostivar ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit, për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë për rrezik të arratisjes dhe frika se do të pengojnë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët të cilët eventualisht do të duhej të merren në pyetje" thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR