• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hellga Maria Shmid: Forcimi i sundimit të ligjit - lufta kundër korrupsionit për një shoqëri më të drejtë

Hellga Maria Shmid: Forcimi i sundimit të ligjit - lufta kundër korrupsionit për një shoqëri më të drejtë

16 qershor 2023  

Çfarë nevojitet për të caktuar termin për mjek në ditën e sotme? Apo të gjesh një apartament, një punë, një patent shoferi? Këto mund të jenë telash madje edhe në rrethanat më të mira, por për shumicën, ekzistojnë pengesa shtesë që paraqesin sfida serioze, ndonjëherë kërcënuese për jetën. Korrupsioni gjithashtu nxit krimin e organizuar dhe është një pengesë reale për përpjekjet e qeverisë për të garantuar siguri, stabilitet dhe prosperitet për njerëzit e tyre.

Kjo nuk është një problem i vogël. Në Barometrin e tyre më të fundit të Korrupsionit Global, Transparency International zbuloi se një e katërta e të gjithë të intervistuarve kanë deklaruar se duhej të paguanin ryshfet brenda vitit të kaluar. Dhe për të gjithë ata që mund të jenë të gatshëm të zbulojnë përvojën e tyre, ne e dimë se shumë të tjerë mund të mos jenë të gatshëm ose në gjendje të raportojnë korrupsionin që hasin. Korrupsioni është një problem kudo, dhe pasojat janë të gjera –duke ndikuar tek individët, familjet, komunitetet, vendet dhe rajone të tëra. Lufta kundër korrupsionit është jetike jo vetëm për të mbështetur lirinë dhe sigurinë e individëve, por edhe qëndrueshmërinë e shoqërive dhe sistemeve në të cilat ata mbështeten. 

Si organizata më e madhe e sigurisë në botë, OSBE angazhohet me 57 shtete pjesëmarrëse në të gjithë Evropën, Euroazinë dhe Amerikën e Veriut, dhe ndjekja e një qasjeje gjithëpërfshirëse për sigurinë dhe luftimin e korrupsionit është një pjesë e rëndësishme e punës sonë. Ne punojmë njësoj me vendet dhe shoqërinë civile për të arritur një ekuilibër të të drejtave dhe privilegjeve, si dhe për të siguruar barazi të vërtetë për të gjithë. Në qendër të këtyre përpjekjeve është nevoja urgjente për të forcuar shtetin e së drejtës, si bazë për demokracinë pjesëmarrëse dhe qeverisjen e mirë. 

Duke punuar ngushtë me autoritetet dhe institucionet shtetërore, OSBE promovon në mënyrë aktive shoqëritë rrezistuese.

Maqedonia e Veriut – kryesuesja e OSBE-së për vitin 2023 – po udhëheq si shembull me përkushtimin e vet për të luftuar korrupsionin. Misioni i OSBE-së në Shkup ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në një numër iniciativash të rëndësishme për të forcuar përpjekjet kundër korrupsionit. Në muajin mars, Misioni i OSBE-së dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit përvijuan angazhimin e tyre të përbashkët për identifikimin dhe trajtimin e drejtpërdrejtë të rreziqeve të korrupsionit, avokimin e politikave anti-korrupsion të bazuara në prova, si dhe forcimin e sistemeve të integritetit të vendit.

 Si rezultat, ne publikuam një Vlerësim të Rreziqeve të Korrupsionit në Gjyqësor në fillim të kësaj jave. Kjo përpjekje e përbashkët ndërmjet Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve Publikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ofron një udhërrëfyes për politikëbërjen e ardhshme dhe hartimin e strategjive më efektive kundër korrupsionit – mjete këto që do të jenë çelësi për arritjen e përparimit në këtë luftë.

Një nga fushat ku jemi veçanërisht të fokusuar është fakti se korrupsioni nuk është neutral sa i përket gjinisë. Hulumtimet tregojnë vazhdimisht se zyrtaret publike femra kanë shumë më pak gjasa të përfshihen në praktika korruptive sesa homologët e tyre meshkuj. Dhe, kur bëhet fjalë për ata që preken negativisht nga korrupsioni, gratë mbajnë një barrë joproporcionale, si në aspektin personal ashtu edhe në atë ekonomik.

Kur bëhet fjalë për gratë në politikë, Maqedonia e Veriut ka një histori të mirë për të treguar; 42 për qind e deputetëve të saj janë gra, një hap i jashtëzakonshëm në krahasim me katër për qind në vitin 1994. Dhe lidhur me ndikimet negative mbi gratë, Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë trajtuar problemin e "zhvatjes seksuale", veçanërisht pasi ka të bëjë me institucionet publike. Kjo praktikë e neveritshme përfshin zhvatjen e favoreve seksuale në këmbim të shërbimeve nga institucionet publike dhe ne po punojmë së bashku për të mundësuar zbatimin e Kodit Penal.

 Një aspekt tjetër pozitiv është se Misioni në Shkup dhe Ministria e Drejtësisë kanë punuar shumë për të siguruar mbrojtje më të madhe për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës seksuale, përfshirë nëpërmjet ndryshimeve më të fundit të Kodit Penal në këtë vit, të cilat u zhvilluan përmes mbështetjes së gjerë të Misionit në procesin e hartimit të legjislacionit.

Këto janë shembuj të rëndësishëm të angazhimit tonë të përbashkët për barazinë gjinore dhe drejtësinë.

 Në Maqedoninë e Veriut, në të gjithë Evropën Juglindore dhe më gjerë, OSBE ofron mbështetje qenësore për qeveritë që punojnë për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar korrupsionin, si dhe për të përmirësuar barazinë gjinore. Kjo është thelbësore, duke pasur parasysh se sa gërryes mund të jetë korrupsioni – duke minuar besimin tek qeveritë dhe institucionet, dhe duke shqyer strukturën e shoqërive tona. Ne kemi treguar se është e mundur të luftohet korrupsioni duke punuar së bashku. Nuk është një detyrë e lehtë, por ne kemi mjetet që na duhen për të nxitur besimin, për të rigjallëruar institucionet tona, si dhe për të ndërtuar një të ardhme ku korrupsioni nuk përbën më pengesë për sigurinë dhe prosperitetin për të gjithë.

 Hellga Maria Shmid

Sekretare e përgjithshme e OSBE-së

 Foto: OSBE

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR