• e shtunë, 23 nëntor 2024

Hapet studio e re për inovacione mediatike në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë"

Hapet studio e re për inovacione mediatike në Fakultetin Juridik

Shkup, 8 tetor 2024 (MIA) - Në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë" në Shkup sot u hap studio e re në kornizat e Qendrës për Inovacione në Media e cila ka për qëllim ta përmirësojë mësimin praktik në studimet e gazetarisë dhe të tërheqë një numër të madh të studentëve.

Dekani i Fakultetit Juridik "Justiniani i Parë"-Shkup, Sasho Gjeorgievski në ngjarjen e sotme me rastin e hapjes së studios theksoi se ky është një projekt i cili është përkushtuar në avancimin e arsimit mediatik.

"Një projekt që erdhi në një kohë kur ne vetë po mendonim seriozisht se çfarë të bënim me studimet për gazetari. Studimet për gazetari janë në rënie, nuk ka interes për to. Jam i sigurt se përmes qendrës, brezave të ardhshëm do t'i ofrojmë punë praktike me pjesëmarrjen e miqve tanë të përkushtuar, gazetarëve profesionistë të cilët do të na ndihmojnë të avancojmë studimet tona. Qëllimi i projektit është më i gjerë, që përmes punës së qendrës të ndërgjegjësohet për rëndësinë e profesionit të gazetarit", tha ai.

Ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Anxhela Ageler, theksoi se një nga aspektet kyçe të mbështetjes së SHBA-së, përveç gjyqësisë, janë mediat. Ajo u bëri thirrje studentëve të mentorohen në mënyrë proaktive.

"Të gjithë e dimë se një gazetar me aftësi dhe njohuri të përkushtuara është thelbësor. Gazetaria e mirë është diçka që të gjithë mund ta njohim. Strukturat dhe platformat e medias kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Nëpërmjet kësaj studioje do të krijohen profile të gazetarëve dhe do të frymëzohen gjeneratat e ardhshme dhe ata që angazhohen të jenë shembull i një raportimi të vërtetë dhe transparent", tha ambasadorja.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, theksoi se ky është një hap shumë domethënës për modernizimin e studimeve dhe gazetarisë në përgjithësi.

"Sot, derisa po hapim dyert e kësaj studioje në Qendrën për Inovacion Mediatik, dua të besoj se po hapim edhe një faqe të re në mënyrën e studimit të profesionit të gazetarit. Një moment historik që do të sjellë kreativitet, kërkim dhe risi në botën e medias", tha ministri.

Rektorja e Universitetit "Shën. Cirili e Metodi" Shkup, Biljana Angelova, theksoi se duke pasur parasysh faktin se gazetarët janë krijues të opinionit publik, është e nevojshme gazetari profesionale, e cila do të jetë sa më transparente dhe e përgjegjshme.

Don Gilpin nga Universiteti shtetëror në Arizonë, Volter Kronkajt shkolla për gazetari dhe komunikim masiv ndau njohuri se në ditët e sotme është e nevojshme ta kuptojmë teknologjinë.

Udhëheqësja e Qendrës për inovacione në media, Fakulteti Juridik "Justiniani i Parë" Shkup, Jasna Baçovska Nediq, e tregoi procesin e krijimit të studios dhe tha se qëllimi i parë është plotësimi i studimeve të gazetarisë, ndërsa e dyta tërheqja e studentëve të rinj.

Studioja është e pajisur me pajisje moderne për krijimin dhe redaktimin e projekteve mediatike, me qëllim të promovimit dhe modernizimit të studimeve të gazetarisë në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë" në Universitetin "Shën Cirili dhe Metodi" në Shkup, me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një projekti të përbashkët me Volter Kronkajt shkolla për gazetari dhe komunikime masive pranë universitetit shtetëror në Arizonë. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR