• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Hapet edicioni i 18-të i FNT “Skupifestival”

Hapet edicioni i 18-të i FNT “Skupifestival”

Shkup, 15 tetor 2024 (MIA)- Mbrëmë në skenën e Teatrit shqiptar në Shkup u hap edicioni i 18-të i FNT Skupifestival. Në hapjen e solemne morën pjesë numër i konsiderueshëm artdashësish sidomos atij teatror, si dhe mysafirë të festivalit nga vendi dhe jashtë.

Në hapjen solemne drejtori i Skupifestival Muzbajdin Qamili- Muçi, shpalosi programin e këtij edicioni, falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e vazhdueshme ndër vite, si dhe sponsorët e mbështetësit  FNT Skupifestival: Teatrin shqiptar Shkup ku edhe do të mbahet i gjithë programi i këtij edicioni, Ministrinë e Kulturës së RMV-së, Qendrën kulturore informative bullgare në Shkup, Telekomin e Maqedonisë, gazetën Koha, televizionin Alstat-M, si dhe  RTM2. 

Programi  vazhdoi me shfaqjen  “1984”, vepër nga autori Xhorxh Oruell, me regji të francezit Igor Menxhiski, shfaqje që e solli në Skupifestival Teatri kombëtar i Kosovës. Shfaqje e cila  flet për fuqinë, identitetin, vetminë dhe kërkimin për veten përmes kërkimit për të tjerët, ku në të eksplorohet dashuria, politika, fëmijëria dhe telashet e saj.

Ky këndvështrim është një satirë, e cila me kalimin e viteve është shndërruar në një roman pritjeje, një afresk metafizik, të gjallë, të frikshëm dhe prekës.

Si çdo roman i madh, ky rrëfim mban brenda vetes të gjitha temat kryesore të gjendjes njerëzore, ndoshta me një dëshirë për të parandaluar të keqen. Sipas konceptit  regjisorial të Menxhiskit, fokusi në këtë shfaqje është  historia e dashurisë mes Uinstonit dhe Julias. Por e gjithë satira dhe parashikimi që e karakterizojnë këtë vepër, janë  pothuajse gjatë gjithë kohës në këtë shfaqje, ku flitet për politikën, për fuqinë, për ligjin, për këtë histori dashurie. 

Në role janë Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Flaka Latifi, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci dhe Ylber Bardhi. Skenograf në shfaqje Mentor Berisha, kostumografe Yllka Brada, kompozitor Trimor Dhomi.

Sonte në natën e dytë të Skupivestival në orën 20:00 , po në Teatrin shqiptar Shkup do të vazhdoj shfaqja teatrore "Nyja e Gidionit", përshtatur nga vepra e dramaturges amerikane Xhona Adams dhe regji të Selma Alispahiq, inskenuar nga Produkuksioni Intermeco & Mess Sarajevë- Bosnje e Hercegovinë. 

Foto: Skupi festival

 

QËNDRONI TË LIDHUR