• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hapet "Dajmond moll", qendër e re tregtare në Shkup, investim i "Limak”-ut turk

Hapet

Shkup, 20 tetor 2023 (MIA) - Në Shkup sot zyrtarisht u hap "Dajmond moll", qendër e re tregtare e kompanisë turke "Limak" si pjesë e projektit "Dajmond of Skopje", investim prej 350 milionë euro me 1.000 të punësuar të rinj. Në mollin që kapë 48 mijë metra katrorë ka mbi 150 dyqane, dyqane ushqimore dhe një zonë ëndrrash të destinuara për fëmijët dhe të rinjtë.

"Dajmond moll" e konsideroj për investim që do të ringjallë ekonominë dhe do të kontribuojë në hapjen e vendeve të reja të punës jo vetëm për Shkupin, por në përgjithësi do t'i japë shtysë ekonomisë së vendit dhe Ballkanit", tha kryetari i nderit të grupit “Limak” Nihat Ozdemir në fjalimin përshëndetës.

Theksoi se qendra tregtare ka dyqane të mbi 150 markave ndërkombëtare, dyqane ushqimore që siç tha ai, do t'u ofrojë mysafirëve shije të ndryshme si dhe zonë të parë të ëndrrave në Ballkan për fëmijët dhe të rinjtë e cila shtrihet në 3.500 metra katrorë dhe që do të ndërlidh mësimin dhe imagjinatën në një vend.

"Dajmond moll" me këtë koncept unik do të jetë shumë më tepër se një qendër tregtare. Qendra tregtare për inaugurimin e së cilës jemi mbledhur sot është hallka e fundit e projektit 'Dajmond of Skopje' vlera e të cilit arrin 350 milionë euro dhe ofron punësim për mbi një mijë persona nga sektorë të ndryshëm", tha Ozdemir dhe shtoi se bëhet fjalë për një nga hapat më emocionues të projektit "Dajmond of Skopje" i përbërë nga ndërtesa, një hotel, zyra dhe qendër tregtare.

Ai tha se në kuadër të "Dajmond of Skopje" në prill të vitit 2022 është hapur hoteli "Limak" i cili ka një kapacitet prej 142 dhomash dhe apartamentesh, të dyja kullat me 772 rezidenca dhe 24 zyra shtëpiake tashmë janë gati dhe i gjithë projekti, siç tha ai, do të përfundojë në fund të vitit 2024.

Ambasadori turk në vend Hasan Mehmet Sekizqok theksoi se Shkupi fiton një qendër të re tregtare në ndërtimin e së cilës janë zbatuar standardet më të larta dhe moderne për ndërtimin e objekteve të tilla. Ai theksoi se në të ardhmen arkitektët do të mund të mësojnë nga ky projekt për dizajnin modern dhe funksionalitetin e tij.

Në hapjen zyrtare të "Dajmond moll" morën pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski, disa ministra, përfaqësues të bankave dhe kompanive turke në vend dhe biznesmenë vendas. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR