• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Han: Maqedonia e Veriut është në një rrugë të shkëlqyer drejt BE-së, interesat partiake duhet të lihen mënjanë, forcat politike duhet të punojnë së bashku për qëllimin përfundimtar

Han: Maqedonia e Veriut është në një rrugë të shkëlqyer drejt BE-së, interesat partiake duhet të lihen mënjanë, forcat politike duhet të punojnë së bashku për qëllimin përfundimtar

Shkup, 15 shtator 2023 (MIA) - Maqedonia e Veriut sot është në rrugën e shkëlqyer drejt BE-së. Por dua ta përcjell një mesazh për të gjitha forcat politike në vend - bashkëpunoni. Kjo është një detyrë ekipore, duhet të luash si ekip kombëtar i futbollit, jo si kampionat individësh. Ju duhet të punoni së bashku, përndryshe nuk do të keni sukses, tha sot Komisari Evropian për Buxhetin Johanes Han.

Në fjalimin e hapjes së Forumit Ekonomik dhe Financiar në Shkup(SEFF), Han shprehu besimin se Maqedonia e Veriut do të bëhet ndoshta anëtarja e 28-të e BE-së. Ai përsëriti se integrimi evropian mbetet një proces i bazuar në merita.

Han tha gjithashtu se nuk duhet të merren vendime ligjore, si dhe se sundimi i ligjit duhet të respektohet.

"Mund të konfirmoj vetëm se ky proces mbetet një proces i bazuar në merita. Nuk është se po presim kandidatët më të dobët apo më të prapambetur për t'u kapur me pjesën tjetër. Jo. Nëse i keni arritur gjërat që duhet të arrini, do t'ju jepet merita. Unë do të mbetem mbrojtësi dhe promovuesi juaj i vazhdueshëm, do të bëj gjithçka që është e nevojshme në të ardhmen. Është e rëndësishme që forcat kryesore politike të punojnë së bashku për qëllimin përfundimtar të Maqedonisë së Veriut. Kjo është diçka që duhet ta lini mënjanë – interesat partiake, politike. Ju mund ta diskutoni këtë për shumë çështje të ndryshme, por kjo është një çështje kombëtare, kjo është çështja kryesore në të cilën duhet të investoni gjithë mundin, të gjitha forcat në Kuvend për të arritur qëllimet tuaja. Nëse e arrin këtë, mund ta arrish atë që duhet me kohë", thekson Han.

Nga anëtarësimi në BE, plotësoi, përfitime do të kenë të gjithë, ekonomike dhe shoqërore.

"Të gjithë duhet të kuptojmë se ne duhet t'u shërbejmë qytetarëve, ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Mendoj se përfundimisht do të jemi të suksesshëm, ndoshta më shpejt se sa e presin shumë njerëz. Le të shfrytëzojmë momentin dhe të punojmë së bashku. Jam i bindur se në fund Maqedonia e Veriut do të bëhet ndoshta anëtarja e 28-të e BE-së. E di që po shkon mirë skriningu, por dua t'u përcjell një mesazh të gjitha forcave politike në vend - bashkëpunoni, kjo është një detyrë ekipore, duhet të luani si kombëtare e futbollit jo si kampionat individësh. Është e nevojshme të punoni së bashku, përndryshe nuk do të keni sukses", nënvizoi komisari evropian.

Sipas tij, bashkimi i Evropës do të përfundojë vetëm kur të gjitha vendet e kontinentit evropian të bëhen anëtarë të BE-së.

"Ju jeni pjesë e kontinentit, edhe ju duhet të bëheni një anëtar i plotë i familjes evropiane. Kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të arrijmë sa më shpejt të jetë e mundur. Duhet bërë diçka për të arritur këtë. Dua t'ju siguroj se në BE tani kemi një dinamikë të re që u stimulua nga lufta agresive ruse në Ukrainë. Ne duhet të përpiqemi si familje, dhe ju jeni pjesë e asaj familjeje. Duhet të theksojmë qartë se pa një Evropë të fortë, situata në botë do të jetë krejtësisht ndryshe, dhe ju jeni dhe në të ardhmen do të jeni një pasuri edhe më e madhe që do të ndihmojë dhe do të jeni pjesë e rëndësishme e familjes evropiane. Kështu që ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshpejtuar procesin, por duhen dy për të luajtur një lojë të caktuar për të arritur atje ku duam të shkojmë", tha Han.

Edhe BE-ja duhet, shtoi ai, të bëjë detyrat e saj në vendet e saj që nuk janë ende aty ku duan të jenë.

"Por është e rëndësishme të kuptohet se BE-ja është aderimi ndaj vlerave, interesave, perspektivave të përbashkëta dhe të kuptuarit se si ne i shohim individët. Prandaj, sundimi i ligjit nuk është obsesioni ynë, por një parakusht. Aspektet që lidhen me sundimin e ligjit duhet të zbatohen. Është e nevojshme përmirësimi i situatës në sistemin e drejtësisë, për sa i përket ligjeve dhe kodekseve të ndryshme. Është e rëndësishme që e gjithë kjo të bëhet mbi bazën e diskutimeve të gjera ku të gjithë do të kenë mundësinë të marrin pjesë. Nuk ka arsye për të nxituar vendimet apo për të nxituar procedurat, është e rëndësishme të përfshihen të gjitha pjesët e shoqërisë. Demokracia nuk është e lehtë, ndonjëherë është barrë, sigurisht që është mirë të marrësh vendime më shpejt, por më e rëndësishmja është që të gjithë të jenë dakord me të. Nëse dëgjoj se më shumë se 75 për qind e njerëzve këtu janë për Evropën, është e rëndësishme që të gjithë ju të keni përgjegjësi politike, ta përdorni këtë mbështetje të fortë si forcë reale për të zbatuar disa masa sipas synimeve tona evropiane", tha Han.

Ai po ashtu tha se nuk do të flasë për shifra sepse e përkrah plotësisht atë që kanë thënë më herët kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Financave Fatmir Besimi për përfitimet ekonomike nga anëtarësimi i vendit në BE. Në këtë kontekst, Han kujtoi edhe një herë se BE-ja nuk është bankomat, por diçka më shumë se kaq, duke aluduar në vlerat e përbashkëta.

"Rreth 70 - 75 për qind e investimeve janë nga Evropa, eksporti, importi. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të përmbushen të gjitha angazhimet. Dhe në të kaluarën kemi bërë shumë propozime, si Strategjia për Ballkanin Perëndimor në vitin 2018, ide për zhvillim të mëtejshëm. Gjatë mandatit tim si Komisar për Zgjerimin u ndjeva i vetëm, pa shumë mbështetje për zgjerimin. Prandaj më duhet të them "faleminderit Vladimir Putin", kjo situatë është një ndryshim sepse situata gjeopolitike ka ndryshuar. Tani jemi qartazi në një konkurrencë mes dy llojeve të koncepteve shoqërore, njëri është kapitalizmi dhe diktatura, dhe tjetri është ekonomia sociale dhe demokracia. Evropa nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë dhe shifrat, por edhe me vlerat. Evropa filloi si një komunitet ekonomik, por me të drejtë është kthyer në BE - është një projekt politik i bazuar në vlerat e përbashkëta, qëllimet dhe një kuptim se si një person duhet parë si individ - të ketë mundësinë për të votuar, për të zgjedhur. Mendoj se është e rëndësishme ta kuptojmë këtë, BE-ja nuk është bankomat, por diçka më shumë se kaq, janë vlerat e përbashkëta", tha Han.

Para tij u drejtuan kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Financave Fatmir Besimi. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR