• e shtunë, 23 nëntor 2024

"Hajde vajzë, shko bli diçka të bukur, nuk je ti për politikë" - edhe në fushatën zgjedhore, kandidatët përballen me gjuhën e urrejtjes, komente seksiste dhe ofendime

Shkup, 19 prill 2024 (MIA) - "Ku do të shkoni pa mua, ministre, në Evropë do të shkoni?", "Lepureshe seksi", "Bukuroshe", "Çfarë të qeshure si aktore me qëllime të sinqerta","Bukuroshja (luanesha) maqedonase", "Hajde vajzë shko bli diçka të bukur, nuk je ti për politikë", "E qelbur, nga të gjitha anët del erë", "Patë e vërtetë, marionetë", "Nuk besoj se me këtë kandidate dhe këtë politikë do të fitoni"... Këto janë vetëm disa nga komentet e mbetura nën postimet në Fejsbuk të vetëm disa prej kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje. Pas komenteve, mund të vërehet se ato janë shkruar kryesisht për politikanët e rinj, profilet e të cilëve i kemi analizuar dhe janë lënë edhe nga burrat edhe nga gratë.

Dhuna verbale ndaj grave në politikë nuk ndalet, megjithëse në bazë të të dhënave të caktuara ajo zvogëlohet, por kurrë nuk mund të hulumtohet deri në fund sepse analizat nuk përfshijnë profilet private të politikaneve femra, por ajo që vumë re në hulumtim në disa nga rrjetet sociale përjashtohet nga mundësia për lënien e komentit nën postimet.

Në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni marrin pjesë dy gra për president të vendit dhe 753 kandidate për deputete. Përballë tyre, sipas statistikave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, janë pesë kandidatë presidencialë dhe 1.002 kandidatë burra për deputetë.

Rrjedha aktuale e fushatës vlerësohet si demokratike me disa përjashtime, duke përfshirë rastet e komenteve të papërshtatshme dhe gjuhës së urrejtjes ndaj disa prej kandidateve, por edhe kandidatëve në zgjedhje.

Shembulli më i freskët që u dënua nga shumë parti është kur për Gordana Siljanovska Davkova, kandidate për presidente të shtetit e mbështetur nga VMRO-DPMNE, u tha në një ngjarje publike se "Nga gjyshja nuse nuk bëhet".

Nga ajo që kemi parë, një nga deputetet në komente merr edhe ofertë për donacion, por ky mesazh vepron si pjesë e një sulmi ose virusi të hakerëve.

Nga janari deri në fillim të prillit të këtij viti, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), janë identifikuar 3.380 komente të gjuhës së urrejtjes në artikuj ose postime në Fejsbuk që përmendin politikanet. Nga kjo shifër, 71 për qind respektivisht 2.388 janë ndaj vetëm pesë politikaneve. Komentet përfshijnë seksizmin, thirrjet për dhunë (kërcënime me vdekje) dhe shqetësime të tjera rreth pamjes fizike, fesë ose përkatësisë etnike.

Është e vështirë të jesh grua politikane, lotët e fëmijëve janë më të vështirat

Deputetet dhe kandidatet aktuale për deputete para do kohë në promovimin e fushatës "Rrumbullako JO për dhunën ndaj grave në politikë" të NDI-së e ndanë përvojën e tyre me gjuhën e urrejtjes, ofendimet, kërcënimet, komentet seksiste, madje edhe kërcënimet ndaj tyre dhe familjarëve të tyre.

Arbana Pasholi nga BDI, e cila me profesion është psikologe, shprehet se para se të bëhej deputete nuk kishte “armiq”, por nëse bën një listë se çfarë nënkupton armik, kjo do të thotë se këta janë njerëz që

nënvlerësojnë punën tënde, mendojnë se nuk po bën sa duhet se shërben si reklamë. Kjo, thekson ajo, është një lloj dhune psikologjike që bëhet veçanërisht ndaj grave që janë pjesë e jetës publike, që merren me politikë.

"Në njëfarë mënyre, është e kuptueshme sepse njerëzit do t'ju shikojnë pa ju dëgjuar, por nga ana tjetër, nuk është e pranueshme sepse ne duhet të kuptojmë dhe në përgjithësi duhet të flasim më shumë për faktin se çdo grua që vendos të merret veçanërisht me politikën në një vend si i yni ka guxim të madh dhe ajo me të vërtetë ka mbështetjen e familjes dhe miqve të saj, të njerëzve që besojnë në të", tha Pasholli.

Më e vështira, thekson ajo, është të provohet dhuna psikologjike. "Sa herë që thua se diçka nuk është kështu, do t 'ju thonë se kjo është politikë. Për mua, kjo nuk është përgjigje e pranueshme", bën të ditur deputetja e BDI-së e cila është kandidate për mandat të ri. Mbështetja, shton ajo, për ne duhet të vijë nga kudo sepse ne jemi nëna, gra, vajza, shoqe, bashkëpunëtore...Në këtë nivel, nuk mundemi, bën të ditur Pasholi, të ndahemi - ne jemi politikania dhe kjo është e gjitha, por ne jemi gjithçka përnjëherë.

Deputetja Snezhana Kalevska Vançeva nga LSDM-ja ndau mesazhe të ndryshme ofenduese, madje edhe kërcënuese që kishte marrë ndër vite, duke përfshirë periudhën kur u ndryshua emri i shtetit. Sipas saj, është djallëzisht e vështirë të jesh grua në politikë edhe kur je e re, edhe kur je më e moshuar dhe kjo është identike.

Sa herë që ka pasur sukses, kjo ka qenë falë bashkimit të grave nga partitë e ndryshme politike dhe sektorit joqeveritar", shprehet ajo.

"Por, për fat të keq, nganjëherë edhe ne harrojmë veten dhe i nënshtrohemi politikave të larta mashkullore dhe përkulim kokën. Të lutem, hajde të mos e përkulim kokën. Varet nga ne", tha Kalevska Vançeva.

Është koha e fundit, shprehet ajo, të ndryshojmë politikën tonë arsimore për aq më tepër që shumica e popullsisë në shtet janë gra.

Zhaklina Peshevska, deputete dhe kandidate për edhe një mandat e cila vjen nga VMRO-DPMNE-ja, ndau përvojën e saj edhe kur nuk punonte në politikë, por edhe si deputete, e veçanërisht traumatike për të ka qenë përvoja kur gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet kishin të bëjnë me anëtarët e familjes së saj.

"Veçanërisht theksohet gjuha e urrejtjes ndaj politikanëve, më së shumti ndaj grave në politikë. Duke komentuar pamjen e saj, rrobat, grimin, diçka që mua më ka penguar më së shumti", tha Peshevska. Ajo shtoi se pas një nate pa gjumë kur fëmija i saj ishte i sëmurë, ajo u përball me sulme në rrjetet sociale sepse shkoi në Parlament me flokët e mbledhura në një bisht të zakonshëm, por shprehet, sulmi ka qenë nga gratë.

Sipas saj, gjuha e urrejtjes pengon shumë burra dhe gra të përfshihen në politikë sepse nuk mund t'i rezistojnë presionit mbi veten dhe familjen e tyre.

Gjuha e urrejtjes shkakton jo vetëm frikë dhe pasiguri, për fat të keq, ata që e shkruajnë atë nuk janë të vetëdijshëm se mund të shkaktojnë një lloj tjetër dhune që mund të shkojë në ekstrem, deri në një thirrje për të linçuar një person ose grua të caktuar.

"Pasojat e këtyre ngjarjeve janë afatgjata dhe edhe pse kanë kaluar gjashtë vjet nga kjo ngjarje, ka ende ndonjë shok i fëmijëve të mi që thotë se nëna e tyre ka qenë në burg, e unë megjithatë isha në arrest shtëpiak. Problemi është se fëmija juaj vjen në shtëpi duke qarë dhe i mërzitur, dhe si prind t'i shqetësohesh", shprehet Peshevska.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së shprehet se gjëja më e rëndësishme është solidariteti midis grave politikane, pavarësisht se cilës parti i përkasin.

"Nëse do të ishim të bashkuar si në momentet më të vështira kur nuk kishte mundësi për dialog midis partive politike në Maqedoni, të parat që u ulëm në Kuvend ishim gratë nga Klubi i deputeteve. Takime që nuk ishin fare të lehta, me shumë lot, me shumë zemërim, por është e rëndësishme që u ulum dhe kështu hapëm rrugën", theksoi Peshevska.

Dinjitetin, do ta ruajmë, shprehet deputetja, kur si gra do të mësojmë të themi "jo".

Më shumë se 230.000 njerëz e kanë parë fushatën "Rretho JO për dhunën ndaj grave në politikë", përmes Fejsbukut dhe Instagramit

Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) në vend nisi këtë fushatë, e cila do të zgjasë gjatë fushatës zgjedhore dhe mbështetet nga Suedia. Qëllimet e kësaj fushate janë të sigurojë mjedis politik ku gratë kanë mundësi të barabarta në politikë, të rrisë vetëdijen midis palëve të interesuara, të edukojë rreth mekanizmave të denoncimit të incidenteve me dhunë dhe të nxisë veprimin kolektiv kundër dhunës.

Që nga fillimi i fushatës, siç theksohet nga NDI-ja në krahasim me fushatën e Zgjedhjeve Lokale 2021, ka pasur një rënie të dukshme të gjuhës së urrejtjes dhe ofendimeve që janë përgjigje ndaj përmbajtjeve të fushatës si koment.

"Kjo s'do të thotë që s'ka. Hulumtimi aktual tregon se mbi 15% e gjuhës totale të urrejtjes që ka ndodhur që nga fillimi i fushatës u drejtohet grave", informojnë për MIA-n nga NDI-ja.

Kjo shifër, theksojnë ata, nuk është përfundimtare duke qenë se profilet private nuk janë objekt i këtij hulumtimi për shkak të politikës së privatësisë, e deri më tani kemi më shumë kandidatë meshkuj sesa gra, së paku për zgjedhjet presidenciale.

Gjithashtu, ajo që kemi vërejtur është se në mediat sociale, kur publikohet një foto, një postim që është ose gjuhë e urrejtjes, nënçmim ose ofendim, gjatë këtyre zgjedhjeve ka shumë më tepër komente që dënojnë gjuhën e urrejtjes, nënçmimin ose ofendimin, sesa ofendimet shtesë", bëjnë të ditur nga ND-ja.

Zgjedhjet presidenciale mbahen të mërkurën më 24 prill, ndërsa ato parlamentare më 8 maj. Të dyja fushatat janë në aktivitet të plotë.

Në fjalimin e tij të promovimit të fushatës, kreu i NDI-së në Shkup Robert Skot Hejzell theksoi se viti 2024 quhet "Viti i zgjedhjeve" sepse 49 për qind e popullsisë së botës do të duhet të votojnë, duke përfshirë edhe në 27 vendet anëtare të BE-së dhe në Maqedoninë e Veriut.

"Pjesëmarrja dhe angazhimi i barabartë i grave në zgjedhje është me rëndësi thelbësore. Zgjedhjet nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjen e liderëve, ato kanë të bëjnë me përcaktimin e politikave dhe përparësive që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën, të drejtat dhe mundësitë tona", tha Hejzel.

Elizabeta Veljanovska Najdeska

Vidoe: Asllan Vishko

Foto: MIA/ND/Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR