• e enjte, 26 dhjetor 2024

Grupi Parlamentar Ndërpartiak mbajti takim me shoqatat e qytetarëve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë

Grupi Parlamentar Ndërpartiak mbajti takim me shoqatat e qytetarëve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë

Shkup, 17 maj 2023 (MIA) – Grupi Parlamentar Ndërpartiak (GPNP) për avancimin e të drejtave të personave LGBTI, e ka shënuar sot 17 majin – Ditën Ndërkombëtare për Luftën kundër Homofobisë dhe Transfobisë.

Evenimentin, siç njofton shërbimi për shtyp i Kuvendit, e hapi deputetja Maja Moraçanin, koordinatore e GPNP-së për avancimin e të drejtave të personave LGBTI, e cila theksoi se ky grup ndërpartiak që prej formimit e ka përkujtuar vazhdimisht këtë ditë dhe mbetet e përkushtuar në avancimin e të drejtave të personave LGBTI, të cilat janë në thelb të drejtat e njeriut.

Në këtë eveniment foli Angela Ageler, ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila theksoi se vitet e fundit gjërat në vend kanë ndryshuar në të mirë për sa u përket të drejtave të personave LGBTI. Ageler e mbylli fjalimin e vet me mesazhin se një shoqëri mund të vlerësohet nga mënyra se si i trajton anëtarët e saj më të cenueshëm.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Dejvid Gir, në fjalimin e tij iu referua Deklaratës për të Drejtat e Njeriut, ku thuhet se të gjithë njerëzit lindin të barabartë. Gir theksoi se vlerat kryesore të Bashkimit Evropian janë barazia dhe mosdiskriminimi.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Lila Miliq nga Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen dhe Avancimin e të Drejtave të Personave Transgjinorë “TransFormA”, e cila foli për gratë transgjinore, të cilat janë më të ekspozuara ndaj dhunës dhe vrasjeve në mbarë botën. Miliq, si grua transgjinore, ndau përvojën e saj me institucionet e sistemit që nuk e njohin identitetin e saj. Ajo u bëri thirrje deputetëve që të mbështesin ndryshimet në Ligjin për evidencën e amzës, i cili duhet të hyjë në procedurë parlamentare.

Në diskutimin e mëtutjeshëm të pranishmëve iu drejtua Koço Andonovski nga Qendra për Mbështetje LGBTI, Ismail Kamberi, kryetar i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Bekim Asani nga LGBTI Junajted; Rosana Duxhak, koordinatore e përhershme e Kombeve të Bashkuara, si dhe deputetet Snezhana Kaleska-Vançeva dhe Sanella Shkrijel.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR