• e enjte, 26 dhjetor 2024

"Grupi i zjarrit" i BDI-së demanton se do t'i bashkohet Besës

Shkup, 4 prill 2023 (MIA) - Të pakënaqurit brenda BDI-së, të cilët në publik njihen si 'Grupi i Zjarrit', dhe të cilët që nga e shtuna e kaluar, funkcionojnë si fraksion brenda BDI, kanë demantuar spekulimet se ata do të kyçen në partinë Besa, kumtuan sonte nga i ashtuquajturi "Grupi i zjarrit". 

Nga grupi theksojnë se lajmin e rremë se ata do të kyçen brenda subjektit Besa, që e publikuan disa media maqedonase, është i pavërtetë, ndërsa shtojnë se "lufta për demokratizimin, transparencën, vendosjen e meritokracisë dhe të llogaridhënies brenda Bashkimit Demokratik për Integrim" do të intensifikohet në javët në vazhdim.

"Grupi i Zjarrit me përkrahjen e 1/3 së votuesve të BDI-së nuk mund ta ketë vendin jashtë BDI-së, por jashtë e kanë vendin ata që nuk kanë as votues, dhe as vepra të realizuara pas vehtes, prandaj ata duhet të largohen dhe të krijohet mundësi për kuadro të ri profesional që e njohin dhe duan BDI-në", ceket në kumtesë.

Disa mediume, duke iu referuar burimeve anonime, kumtuan se i a.q. "Grupi i zjarrit" nga BDI do të bëhet pjesë e Besës, për çka në rrjedhë ishin bisedime dhe takime. Sipas të njejtave informata, nga Besa parashtruan kusht që "Grupi i zjarrit" së pari të transformohet në parti politike, e më pas t'u bashkangjitet. ab/

Foto: MIA Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR