• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Grubi publikoi se po tërhiqet nga jeta publike

Grubi publikoi se po tërhiqet nga jeta publike

Shkup, 12 dhjetor 2024 (MIA) - Ish zëvendës kryeministri dhe anëtari i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili është vendosur në listën e zezë të SHBA-së, mbrëmë përmes rrjeteve sociale publikoi se tërhiqet nga jeta politike dhe se për këtë e ka informuar liderin e partisë, Ali Ahmeti.

Grubi njofton se është i pastër si loti, por, se ka vendosur të tërhiqet që të mos jetë, thotë ai, barë e dikujt dhe se vendimin e ka marrë për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin personal dhe politik.

"Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti", shkruan Grubi në Fejsbuk.

Ai thotë se gjithë veprimtarinë e tij publike është angazhuar pa kompromis për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për një rajon në paqe dhe të pajtuar, për integrimin e plotë në NATO, për një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

"Këto janë vlera që nuk janë vetëm udhërrëfyesi im, por edhe obligimi që i kam ndjerë gjithmonë ndaj vendit dhe kombit tim. Arritjet tona, për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë, nuk janë vetëm meritë e përkushtimit tim dhe shokëve, por edhe e mbështetjes së sinqertë dhe të vazhdueshme nga miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Fakti që sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-së dhe ka nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian është dëshmi e qartë e këtij bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët. Por, çmimi i këtij angazhimi, një çmim që ka qenë gjithmonë në shërbim të vlerave dhe të drejtës, ka qenë i rëndë për mua dhe për familjen time", shkruan Grubi.

Sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta, thotë më tej, "më kanë bërë të reflektoj për rolin tim në këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe për të ardhmen e tij".

"Edhe pse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë. Besoni tek rruga e tij e drejtë, një rrugë që ka qenë dhe mbetet shpresa më e madhe për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Unë mbetem gjithmonë i përkushtuar ndaj këtyre vlerave dhe do të jem në krah të tyre, si qytetar dhe si mbështetës i së mirës së përbashkët", qëndron në publikimin e ish zëvendës kryeministrit në publikimin e tij në Fejsbuk.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dje në deklaratë për mediume tha se partia nuk i konteston vendimet e Departamentit të Shtetit dhe se Grubi do ta bëjë procesin me fakte, duke potencuar të drejtën e tij të ankimimit. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR