• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Grubi: Opozita e keqpërdori vizitën e Albin Kurtit për agjendën e saj politike

Grubi: Opozita e keqpërdori vizitën e Albin Kurtit për agjendën e saj politike

Gostivar, 16 gusht 2023 (MIA) - Ngjarjet lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në komunat Tetovë dhe Çair, sipas zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi janë patriotizëm dhe folklor dhe përpjekje që të keqpërdoret prania e Kurtit për përfitimin e pikëve politike.

Ai pas vizitës në panairin për punësim të "Behtel dhe Enka", u përgjigj edhe në pyetjet e gazetarëve lidhur me situatën aktuale në vend e cila rrodhi pas vizitës së Kurtit dhe akuzave të opozitës për ndjekje politike dhe revanshizëm.

"Sigurisht që ne duhet të respektojmë institucionet e vendit tonë. Duhet të respektojmë edhe flamurin, himnin dhe obligimet ligjore gjatë organizimit të ngjarjeve. Unë besoj se ajo që po vihet në skenë është një teatër absolutisht i panevojshëm. E bëjnë për mungesë projektesh, për mungesë idesh. Në mungesë të realizimit, po i drejtohen njëfarë patriotizmit të rrejshëm folklorik, i cili në vitin 2023 është absolutisht i panevojshëm", deklaroi Grubi.

Ai theksoi se kryeministri Kurti është i mirëseardhur dhe shpesh vjen në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa dy ngjarjet kishin karakter lokal dhe në organizim të dy komunave, liderët e të cilëve bënë përpjekje që ta keqpërdorin praninë e tij që të promovohen. 

"Ata që e kishin ftuar Kurtin dhe u përpoqën ta keqpërdorin për agjendën e tyre të përditshme politiko-partiake për të fituar një pikë. Por është e qartë se kanë përfituar, sepse emrin e rrugës nuk e ka ndërruar komuna, por qyteti i Shkupit dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Rrugën Tetovë - Prizren nuk mund ta ndërtojë komuna e Tetovës, por Qeveria e vendit tonë me Qeverinë e Republikës së Kosovës", tha Grubi. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR