• e enjte, 26 dhjetor 2024

Grubi: Me apo pa ndryshime ligjore, autostradat do të ndërtohen, interes i yni është të ndërtohen më shpejtë dhe më lirë

Grubi: Me apo pa ndryshime ligjore, autostradat do të ndërtohen, interes i yni është të ndërtohen më shpejtë dhe më lirë

Shkup, 12 prill 2023 (MIA) - Me apo pa ndryshime kushtetuese të tetë ligjeve që janë në procedurë kuvendore, autostradat e korridoreve 8 dhe 10d do të ndërtohen, ndërsa interesi i ynë është të ndërtohen sa më shpejtë dhe më lirë, porositi zëvendës kryeministri i parë dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Artan Grubi, i cili njëheri është edhe koordinator për ndërtimin e këtyre autostradave.

Nëse java e punës së punëtorëve që do të punojnë në realizimin e tyre, është 60 orë në javë, siç kërkon realizuesi "Behtel dhe Enka", shtoi Grubi, projekti do të realizohet për 4,7 vite dhe do të kushtojë më lirë, ndërsa nëse është 40 orë në javë, do të zgjat mbi gjashtë vite dhe do të kushtojë më shtrenjtë. Nuk bëhet fjalë, siç tha Grubi, për pagesën e penaleve nëse koha e punës nuk është 60 orë, por për realizim më të ngadalshëm të projektit.

Sipas tij, gjithkund ku kanë punuar "Behtel dhe Enka", java e punës ka qenë 60 orë, ndërsa punëtorët kanë nënshkruar marrëveshje me shkrim që të punojnë aq kohë dhe u është paguar çdo orë pune.

"Interesi i ynë si shtet është që këto autostrada të kushtojnë më pak dhe të realizohen më shpejtë. Pikërisht nga miratimi i tetë ligjeve varet nëse do të ndërtohen më shpejtë dhe më lirë ose më gjatë dhe më shtrenjtë. Me miratimin e tyre do të mundësohet të përshpejtohet shpronësimi dhe të ndërtohet shumë më shpejtë dhe më lirë", tha Grubi në takimin e sotëm me gazetarët.

Ai saktësoi se marrëveshja me realizuesin "Behtel dhe Enka" është klasifikuar me kërkesë të konzosrcoiumit dhe për këtë shkak nuk guxojnë të publikohen hollësira. Në mënyrën e njëjtë kanë punuar edhe gjatë ndërtimit të autostradave në rajon, më saktë në Kroaci, Serbi, Kosovë dhe Shqipëri. Tek ne, siç tha Grubi, marrëveshjen me "Behtel dhe Enka" tashmë e ka edhe Prokuroria publike, e cila ngrit procedurë sipas informatës së marrë për projektin për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d.

Sipas ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, marrëveshja është e klasifikuar pasi është sekret afarist mënyra e punës së konzorciumit, i cili radhitet në bursa dhe me publikimin eventual të pjesëve të marrëveshjes, mund të ndikojë në radhitjen e tij në bursë. Ai shtoi se marrëveshje të tilla vendi ka nënshkruar edhe për pothuaj të gjitha investimet në ZTZHI.

Drejtori i NP Rrugët shtetërore, Ejup Rrustemi tha se marrëveshje të tilla të cilat nuk janë publike, kanë edhe me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe se zgjedhja e realizuesve bëhet në bazë të kritereve të BERZH-it.

Llogaritja se projekti do të kushtojë 1,3 miliardë euro është bërë në bazë të pjesës së rrugës, së propozuar nga "Behtel dhe Enka", ku parashihet të ndërtohen autpostradat, për të cilat është bërë fizibiliti studimi nga "Grant Torton", i cili tregon se 55 për qind  nga toka ku planifikohet ndërtimi është pronë private, ndërsa 45 për qind e shtetit. Në pajtim me këtë edhe çmimin mesatar, u vlerësua sa para do të nevojiten për shpronësim.

Realizuesi "Behtel dhe Enka" do të përgatit projekte për një pjesë të autostradave, ndërsa paralelisht do të bëhet edhe shpronësimi i tokës. Çdo projekt të posaçëm duhet ta miratojnë NP për Rrugë shtetërore dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Projekti do të miratohet pasi të bëhet shpronësimi.

Nëse miratohen zgjidhjet ligjore, "Behtel dhe Enka" parashikojnë të ndërtojnë nga 23 kilometra autostradë në vit, ndërsa tek ne deri tani kanë ndërtuar nga 5,8 kilometra në vit. Për realizuesin janë paraparë pagesa shtesë, nëse nuk e respektojnë afatin e ndërtimit. Në Korridorin 8 në fillim do të ndërtohet autostrada Tetovë-Gostivar, e pastaj Gostivar - Bukojçan dhe pjesa e autostradës Kërçovë - Ohër, që do të çojë drejt vendkalimit të ri kufitar me Shqipërinë në Radolishtë, në vend se në Qafë të Thanës, ku është tani.

Siç theksoi zëvendës kryeministri Grubi, manifestimi me të cilin u shënua fillimi i realizimit të projektit për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d në pikëpagesën në autostradën Tetovë-Gostivar, e ka paguar realizuesi i projektit. Për më 22 prill ai e ka paralajmëruar fillimin zyrtar të ndërtimit të Korridorit 8, ndërsa për 12 maj të Korridorit 10d. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR