• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Grubi dhe biznesmenët debatuan për ndërtimin e korridoreve, u bëri thirrje që të përfshihen në projektin

Grubi dhe biznesmenët debatuan për ndërtimin e korridoreve, u bëri thirrje që të përfshihen në projektin

Grubi dhe biznesmenët debatuan për ndërtimin e korridoreve, ai i bëri thirrje që të përfshihen në projekt

Shkup, 25 prill 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri Artan Grubi sot njoftoi se brenda ditë së  nesërme do t'i dërgojë letër Kuvendit për të konvokuar Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale për prezantimin e Marrëveshjes për korridoret dhe raportin përfundimtar të negociatorëve. Këtë ai e deklaroi sot në aktivitetin në Odën  Ekonomike , duke iu përgjigjur pyetjes së biznesmenëve në një situatë ku nuk e dinë përmbajtjen e Marrëveshjes, duke shtuar se vetëm disa pjesë mund të publikohen me pëlqimin e kontraktorit.

“Nëse kontraktori është dakord, sigurisht që mund të publikohen. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë dhe sot, maksimumi nesër, do t'i dërgojmë një letër Kuvendit për të konvokuar Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale, ku së bashku me anëtarët e Komisionit Drejtues, me mbikëqyrje para deputetëve , do të paraqesim Marrëveshjen dhe raportin përfundimtar të negociatorëve dhe do t'u përgjigjemi absolutisht të gjitha pyetjeve të tyre”, tha Grubi.

Marrëveshja, përsëriti ai, nuk është absolutisht sekret shtetëror, por përmban informacione të natyrës konfidenciale dhe vetëm klauzolat specifike të saj nuk mund të publikohen. Të tilla, për të sqaruar, janë pothuajse të gjitha kontratat e lidhura nga NPRSH-ja, sepse ka sekrete biznesi.

“Çdo kompani ka sekretet e veta të biznesit. Është informacion konfidencial për të mbrojtur projektin e tij nga konkurrenca dhe jo krimi apo korrupsioni. Një marrëveshje e tillë ekziston në ZZHTI me kompanitë e listuara në bursë. Kjo nuk është marrëveshja e parë e tillë në vendin tonë. Dhe ne duhet të respektojmë sekretet e biznesit të kompanive, por kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton  se Qeveria po fsheh diçka që është me interes publik, diçka që do të kishte efekte negative për qytetarët. Momentet kyçe që janë me interes për qytetarët nuk kanë qenë asnjëherë sekret. Nuk ka qenë asnjëherë sekret se cila ishte vlera e projektit dhe si do të realizohej kontrata dhe si do të shpenzoheshin fondet e qytetarëve. Në Marrëveshje nuk ka gjoba dhe as opsion për pagesën e gjobave”, tha Grubi.

Ai sot iu drejtua Odës Ekonomike dhe iu përgjigj pyetjeve të bizneseve, në prani të Ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski, Ministrit të Financave Fatmir Besimi, Ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, Drejtorit të Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore Ejup Rustemi dhe krerëve të tjerë të institucioneve që janë të lidhura me projektin.

Siç tha ai, tashmë mbi 40 kompani vendase janë takuar me konsorciumin “Behtel dhe Enka” për mundësinë e bashkëpunimit në projektin për ndërtimin e autostradave në korridoret 8 dhe 10d, si dhe përfshirjen e kompanive dhe punëtorëve nga vendi në këtë projekt do të jetë mbi 51 për qind. Të gjitha kompanitë, shtoi ai, janë të mirëseardhura të kontaktojnë NPRSH-në, në mbikëqyrjen e projekteve edhe “Behtel dhe Enka”.

“Odat kanë vendosur që ndërtimi i autostradave është me interes strategjik të shtetit, është vendimi dhe detyra juaj që na e keni dhënë. Ne e kuptojmë vetëm atë që ju kërkoni nga ne”, tha Grubi i pyetur se pse nuk u konsultua biznesi për një nga projektet më të vlefshme në vend.

Ai gjithashtu u shpjegoi biznesmenëve se përse, për projektin,  janë sjellë ndryshime në tetë ligje me procedurë të shkurtuar, duke theksuar se kjo ka qenë me kërkesë të deputetëve dhe pas bisedave me kolegët për projekte të ngjashme në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Rumani, kur, siç u tha, u bë e qartë se ku ka "krisje" në legjislacionin tonë dhe se si Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, Kadastra, Administrata për Çështjet Juridike Pronësore dhe institucionet e tjera mund të jenë shumë më efektive në përmbushjen e kërkesave të kontraktorëve.

Ai mbështet që ndryshimet ligjore të vlejnë edhe për të gjitha projektet e tjera me interes kombëtar, si hekurudha, gazsjellësi... dhe shprehu gatishmërinë për ndryshime shtesë në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, të cilat me pakon e propozim-amendamenteve ligjore i referohen punës jashtë orarit.

Amendamentet e propozuara ligjore janë përshtatje të ligjeve ekzistuese të cilat, siç tha ai, do të sigurojnë performancë më të shpejtë dhe më të mirë të projekteve strategjike si ky.

Siç tha Grubi, nga buxheti i shtetit do të ndahen 250 milionë euro në vit për ndërtimin e autostradave në korridoret 8 dhe 10d dhe padyshim që kompanitë vendase do të përfitojnë nga përfshirja e tyre në të gjithë procesin e ndërtimit. Me Marrëveshjen, 51 për qind e burimeve duhet të jenë vendase dhe nga vlera totale mbi 1.3 miliardë euro, 600 milionë euro do të mbeten në vend me kompanitë vendase. Kjo, theksoi ai, është një mundësi e jashtëzakonshme për të forcuar kapacitetet e kompanive vendore dhe për të krijuar vende të reja pune.

Ai po ashtu informoi se deri më tani nuk i janë paguar fondet kontraktorit. Ai bëri të ditur se pagesa e parë do të jetë parapagimi për fillimin e punëve ndërtimore dhe se çdo denar i paguar do të publikohet në portalin “Financa të Hapura”.

Ai tha se nuk njeh një politikan që do t'i lejonte vetes të angazhohej në veprime korruptive me kompani si Behtel dhe Enka, apo me vende si SHBA-ja dhe Turqia. “Jemi gati që ky të jetë projekti më i pastër, më prestigjioz në vend. Unë me shumë përgjegjësi pohoj se përndjekja është vetëm për politikë ditore dhe për kalkulime partiake dhe nuk ka asnjë motiv tjetër. As unë, as Boçvarski, as Besimi, e më së paku kryeministri Kovaçevski, nuk do t'i lejonim vetes të hynim në ndonjë veprim korruptiv. Ky është projekti ynë i jetës dhe ne duam që ai të jetë i suksesshëm. Nëse i përvetësohet qoftë edhe një denar nga ky projekt apo korruptohet ndonjë nga ne politikanët, le të dergjemi në burg të përjetshëm”, tha Grubi.

Ai në fjalimin e tij para biznesmenëve iu referua kontakteve që kishte lidhur me projektin me VMRO-DPMNE-në opozitare. Për ta pasur pasqyrën e plotë, ai në disa raste është takuar edhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Micoski, i cili, siç tha ai, ka takuar edhe përfaqësuesit e “Behtel dhe Enka”.

“U takova edhe me Misajllovskin, ish-ministrin e Transportit dhe me Aleksdandar Nikollovskin për ligjin special dhe ndryshimet e tjera ligjore. Të gjithë u pajtuan se ato duheshin dhe se kishin propozimet e tyre për përmirësimin e zgjidhjeve ligjore, por ato nuk na u dorëzuan asnjëherë. Z. Mickoski dha mbështetjen e tij të qartë për ligjin special duke siguruar kuorum në seancë por duke mos e votuar ligjin. Po ashtu, pas formimit të Komisionit, u takova sërish me të dhe i ofrova të jetë pjesë e projektit, Komitetit Drejtues, negociatave dhe vendimit të Qeverisë, ku më tha: “Bëjeni punën tuaj, është projekti juaj, kemi dhënë mjaftueshëm mbështetje, firmoseni dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, tha Grubi.

Ai iu përgjigj edhe pretendimeve lidhur me zbatimin e ligjit për Marrëveshjen, duke theksuar se do të zbatohet në përputhje me legjislacionin vendas. Nëse ka nevojë për arbitrazh, shtoi ai, do të arbitrohet në Paris, nëse ka nevojë për interpretim të dispozitave atëherë zbatohet ligji anglez.

Ai tha se projekti për ndërtimin e autostradave është ambicioz dhe me rëndësi kombëtare dhe për ndërtimin e 109 kilometrave në 57 muaj. Ai tha se është katër herë më i shpejtë se mesatarja e ndërtimit në vendin tonë në 32 vitet e fundit, përmes një modeli të ri të përdorur nga kompanitë më të mëdha dhe më me përvojë të ndërtimit në botë.

“Ky realizim i shpejtë përdor përvojën e mëparshme të gjerë të kompanive më të mëdha të ndërtimit në botë për projektim, ndërtim dhe ekzekutim të njëkohshëm për të kursyer kohë dhe për të ofruar një produkt të sigurt cilësor për zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe lidhje rajonale me korridoret evropiane. Arritja e këtij qëllimi kërkon njëfarë fleksibiliteti dhe kreativiteti në projektimin rigoroz dhe procesin e ndërtimit të projektit pa kompromentuar cilësinë e lartë të autostradës, vuri në dukje Grubi.

Në këtë aktivitet foli edhe Katica Nikollovska nga Komisioni Kundër Korrupsionit, ku është hapur rast lidhur me pretendimet për përzgjedhjen e mbikëqyrjes në projekt, për të cilën ka treguar se janë duke mbledhur dokumente dhe informacione. Ka vend, tha ajo, për lloje të tjera të përgjegjësive, para së gjithash, siç tha ajo, për mënyrën e shkurtuar të miratimit të tetë ligjeve, pasuar me njoftime për punësim.

Për këtë, Grubi u përgjigj se inkurajon inspektimin e gjithë procedurës, përkatësisht KSHPK-në dhe Prokurorinë Publike të ndërmarrin çfarëdo hapi sepse, siç tha ai, ne insistojmë që ajo të jetë absolutisht transparente.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR