• e enjte, 26 dhjetor 2024

Graf: Shpresojmë që Maqedonia e Veriut do t'i thjeshtësojë procedurat burokratike

Graf: Shpresojmë që Maqedonia e Veriut do t'i thjeshtësojë procedurat burokratike

Shkup, 14 mars 2023 (MIA) - Kompanitë gjermane e shohin vendin si mundësi të mirë për investim, por jo edhe si vend adekuat për transferimin e prodhimtarisë së tyre nga ato vende të cilat janë të pasigurta për shkak të konfliktit rus-ukrainas. Megjithatë, ende kanë vërejtje për procedurat jo aq të shpejta burokratike.

Siç tha sot u.d. ambasadori i Gjermanisë, Oto Graf, secili që udhëheq biznes dhe prodhon, ka interes që procedurat të jenë më efikase. Ai vend që do ta ofrojë këtë, do t'i tërheqë investitorët. 

"Shpresojmë se Maqedonia e Veriut do të thjeshtojë dhe përshpejtojë të gjitha procedurat. Për të gjitha kompanitë gjermane këtu, Maqedonia e Veriut është vend i shkëlqyer për prodhim. Agresioni rus bëri që prodhimi të zhvendosej diku tjetër. Maqedonia e Veriut është vend i preferuar për transferimin e prodhimit dhe një nga arsyet është se është anëtare e NATO-s dhe ka  avantazh të caktuar në aspektin e sigurisë", tha Graf pas takimit të delegacionit të biznesit gjerman me zëvendëskryeministrin Fatmir Bytyqi në Qeveri.

Në lidhje me nevojën për fuqi punëtore, u.d. ambasadori theksoi se të gjithë duhet të japin kontribut - Qeveria, institucionet arsimore dhe ndërmarrjet gjermane. 

"Nëse doni të prodhoni diçka ose të jeni aktivë, mund të shihni çka ka në treg ose ta merrni përgjegjësinë dhe kjo është ajo që bëjnë firmat gjermane - e mbështesin arsimin profesional dual, nuk presin numër të mjaftueshëm të fuqisë punëtore, por vetë kontribuojnë në atë drejtim që të sigurohen se do të ketë kuadër mjaftueshëm të kualifikuar edhe në të ardhmen", nënvizoi Graf. 

Edhe ai edhe Bytyqi u pajtuan se të dyja vendet kanë bashkëpunim ekonomik intensiv. Për momentin qendra është në industrinë e automobilave dhe në shëndetësi, por me tendencë që të thellohet në të gjitha sferat.

"Gjermania është partner i rëndësishëm ekonomik dhe tregu ynë kryesor i eksportit. Nga ana tjetër, në vend punojnë më shumë se 200 kompani me kapital gjerman dhe punësojnë rreth 20 000 persona. Tregues i bashkëpunimit të mirë është riinvestimi i kompanive gjermane në vendin tonë. Ato që janë tashmë këtu, rrinë dhe rrisin prodhimin dhe numrin e punëtorëve. Ato gjithashtu përhapin fjalën e mirë për vendin, por edhe kushtet e mira të investimit të kompanive të tjera që zgjedhin Maqedoninë e Veriut si partner të tyre. Një e katërta e tregtisë totale të vendit është me Gjermaninë dhe ne kemi suficit të konsiderueshëm, gjegjësisht më shumë eksportojmë se sa importojmë", deklaroi Bytyqi.

Ai përkujtoi se vendi ofron klimë të parashikueshme biznesi, e hapur për bashkëpunim, si dhe mbështetje të shkëlqyer për investitorët. 

"Vetëm dosja në Kabinetin tim është e përbërë prej mbi 600 kompani të cilat i mbështesim në investime", theksoi Bytyqi.

Në takimin në Qeveri delegacionin e biznesit gjerman të Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane e përbënin kompani nga fusha e energjetikës, industrisë kimike, shëndetësisë, bankave, shërbimeve konsultuese, arsimit, aviacionit,...fc/

QËNDRONI TË LIDHUR