• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Gostivari dhe Vitia së bashku do të punojnë në projektin me vlerë prej një milion euro

Gostivari dhe Vitia së bashku do të punojnë në projektin me vlerë prej një milion euro

Gostivar, 3 korrik 2024 (MIA) - Në kuadër të projektit "Lidhje të rajoneve" në komunën e Gostivarit dhe komuna e Vitisë, do të përmirësohet infrastruktura dhe kushtet e jetesës për afër njëqind e tridhjetë mijë banorë.

Në prezantimin e sotëm në Gostivar, u tha se në fund të vitit të ardhshëm duhet të ndërtohen disa kilometra shtigje për këmbësorë rreth brigjeve të lumenjve Vardar dhe Morava, ura për këmbësorë, gropa për pastrimin e ujërave të zeza dhe përmirësimin e mjedisit jetësor.

Ushtruesi i detyrës kryetar i komunës së Gostivarit, Valbon Limani në prezantim përmendi se investimi më i madh në Gostivar do të jetë ura për këmbësorë, e cila do të ndërtohet afër amfiteatrit veror, që do të përshtatet për personat me nevoja të veçanta.

"Ky investim vjen përmes projektit 'Lidhja e rajoneve: ura të gjelbërta-ardhmëri më e ndritshme', i cili financohet nga Bashkimi Evropian përmes programit ndërkufitar IPA II për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Përmes tij, sigurohen edhe pajisje për rekreacion, por dhe ndërgjegjësimi i popullatës për mbrojtjen e mjedisit jetësor", tha Limani.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Mediana Bislimi, menaxhere e projektit, sqaruan se në komunën e tyre me këtë projekt do të ndërtohen: 1.300 metra shtigje përgjatë lumit Moravë, shtrimi i shtratit të lumit në gjatësi prej 760 metrave, ndërsa do të ndërtojnë edhe pesë gropa për filtrimin e ujërave të zeza.

Dashmir Osmani, menaxher i projektit në komunën e Gostivarit tha se në urë do të vendosen pajisje me softuer, ndërsa një pjesë e mjeteve do të përdoren për përgatitjen e studimit fizibiliti dhe pilot projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Gostivar.

Projekti, i cili ka filluar në janar të këtij viti, duhet të përfundojë në dhjetor të vitit të ardhshëm. Buxheti për aktivitetet është një milion euro, nga të cilat pothuaj 70 për qind sigurohet nga Bashkimi Evropian. rq/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR