• e shtunë, 29 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Gjyqësori nuk është e vetmja përgjigje ndaj dhunës në baza gjinore, por ofron mundësi për personat e mbijetuar të fitojnë drejtësi

Gjyqësori nuk është e vetmja përgjigje ndaj dhunës në baza gjinore, por ofron mundësi për personat e mbijetuar të fitojnë drejtësi

Shkup, 7 mars 2025 (MIA) - Çështja e barazisë gjinore, dhunës në të gjitha format dhe femicidit si shkelje më flagrante e së drejtës për jetë dhe praktikës dhe standardeve të Gjykatës evropiane të të drejtave të njeriut dhe reagimi i gjyqësorit në vendet e rajonit ndaj këtyre problemeve do të jenë në fokus të Forumit të tretë gjyqësor për barazinë gjinore dhe drejtësinë në Ballkanin Perëndimor që mbahet sot në Shkup në prag të shënimit të 75 vjetorit të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut.

"Sot kemi mundësinë të flasim të gjithë për dhunën me bazë gjinore, por jo vetëm me kolegët dhe gjyqtarët e mi nga Gjykata e Strasburgut, por edhe me kolegët lokal. Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut ka krijuar një praktikë gjyqësore të zhvilluar për mbrojtjen e barazisë gjinore, mbrojtjen nga dhuna në të gjitha format dhe nga femicidi si cenimi më flagrant i së drejtës për jetë. Në jurisprudencën tonë, ne kemi zhvilluar parime të rëndësishme që shtetet palë në Konventë duhet t'i zbatojnë. Zbatimi i tyre është në radhë të parë nga gjykatat kombëtare dhe sensibilizimi i të gjithë shoqërisë është që t'i kuptojë ato standarde sepse ato burojnë nga vlerat e përbashkëta që ne të gjithë ndajmë", tha nënkryetari i Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, gjyqtarja Ivana Jeliq në konferencën për shtyp para fillimit të forumit.

Detyra kryesore e GJEDNJ-së, shtoi ajo, është interpretimi dhe zbatimi i Konventës evropiane për të drejtat e njeriut dhe kërkon që të gjitha vendet nënshkruese të kenë kornizat e tyre ligjore dhe nga ana tjetër, të kenë të vendosura procedura parandaluese operacionale, si dhe të gjitha mundësitë për kryerjen e hetimeve efektive në raste të tilla. Ajo posaçërisht përmendi se edhe pse gjatë gjithë kohës flasim për barazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore, në fakt ne po flasim për të drejtat e përgjithshme të njeriut dhe kjo vlen për të dy gjinitë, si për burrat ashtu edhe për gratë, edhe për gjinitë, edhe pse në këtë rajon theksi është më shumë në mbrojtjen e grave.

Biljana Brejtveit, drejtoreshë e Programit për Ballkanin Perëndimor në Qendrën AIRE e cila është një nga organizatorët e këtij forumi, theksoi se drejtësia nuk është e vetmja përgjigje ndaj dhunës me bazë gjinore, por ajo ende luan një rol shumë të rëndësishëm, sepse u jep mundësinë të mbijetuarve të dhunës me bazë gjinore që të kërkojnë dhe të fitojnë drejtësinë e tyre.

"Na mbetet të shqyrtojmë dhe të përmbledhim gjithçka që kemi arritur ndërkohë, por edhe të vlerësojmë të gjitha këto rezultate, sepse e dimë që ligjet nuk mjaftojnë dhe nuk mund të arrijmë gjithçka, por duhet të shohim saktësisht se si zbatohen ato ligje në terren. Duam të themi se duhet të përsërisim atë porosi se dhuna me bazë gjinore nuk është një çështje kulturore, por se është një vepër penale. Pra, ne do të diskutojmë këtë temë dhe do të shohim se çfarë kemi bërë me të gjithë pjesëmarrësit në këtë të ashtuquajtur ekosistem, duke filluar nga punonjësit social, pastaj përmes policisë, përmes prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sidomos tani, në prag të 8 Marsit, le të themi se një theks dhe prioritet i veçantë duhet t'i kushtohet kësaj çështje", tha Brejtveit duke theksuar rolin e medias, në radhë të parë në ndërgjegjësimin e publikut dhe alarmimin e vetë shoqërisë për këtë problem që duhet çrrënjosur.

Daniel Filer, zëvendës shef i misionit të Ambasadës britanike në Maqedoninë e Veriut, theksoi se kjo ngjarje dërgon një mesazh të fortë se drejtësia duhet të jetë e kënaqur dhe drejtësia duhet t'u shërbejë të gjithëve. Barazia gjinore nuk është vetëm çështje sociale, është edhe çështje ligjore, çështje e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

"Të gjithë e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se vetëm ligjet nuk mjaftojnë. Progresi që arrihet matet jo vetëm përmes legjislacionit, por edhe vetë realitetit, matet me aftësinë e gruas për të kërkuar dhe marrë drejtësi pa asnjë frikë. Matet gjithashtu nga mundësia e së drejtës së tyre për t'u dëgjuar, matet me aftësinë e sistemit për t'i mbrojtur dhe jo për t'i traumatizuar", theksoi Filer. 

Forumi organizohet nga Qendra AIRE  (AIRE Centre), në partneritet me Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut (GJEDNJ) dhe Ambasadën britanike në Maqedoninë e Veriut. Forumi mbledh së bashku gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të qeverisë dhe ekspertë ligjorë vendas dhe ndërkombëtarë për të diskutuar mbi rolin e gjyqësorit në trajtimin e dhunës me bazë gjinore dhe femicideve. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR