Gjykimi për rastin "Target - Fortesa" është shtyrë për 4 tetor
- - Me kërkesë të Prokurorisë Publike, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot u shtye gjykimi për lëndën për përgjimet masive "Target - Fortesa".
- Post By Fitore Curri
- 17:19, 19 shtator, 2023
Shkup, 19 shtator 2023 (MIA) - Me kërkesë të Prokurorisë Publike, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot u shtye gjykimi për lëndën për përgjimet masive "Target - Fortesa".
Në seancën e sotme gjyqësore, gjykatësi Ilia Tërpkov ka informuar se në gjykatë ka mbërritur një njoftim nga Prokuroria Publike në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, të cilat kanë ndikuar në kualifikimin juridik të veprave penale dhe të aktakuzës.
"Duke i pasur parasysh dispozitat nga Ligji për ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal, gjegjësisht çështjet juridike të cilat dalin nga i njëjti dhe ndikimi i tyre në kualifikimin e veprave penale për të cilat akuzohen të akuzuarit është marrë vendim adekuat i prokurorisë publike, të paktën që të shtyhet debati i caktuar", qëndron në njoftimin e Prokurorisë.
Pas kësaj gjykatësi e ka caktuar seancën e ardhshme për 4 tetor, duke i lënë hapësirë Prokurorisë Publike që të precizojë dhe t'i referohet kualifikimit juridik.
Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, me të cilat ishin ulur dënimet për veprat penale "keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit", "shoqërim kriminal", u hap mundësia për vjetërsimin e disa veprave penale për të cilat akuzohen të akuzuar në lëndët të cilat i hapi ish Prokuroria Speciale, në mesin e të cilave edhe në lëndën "Target - Fortesa", e cila gjykohet për të dytën herë pasi Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktvendimin e shkallës së parë.
Në aktgjykimin fillestar për përgjimet masive të paligjshme, të akuzuarit janë dënuar gjithsej 55 vjet burgim, prej të cilave 12 vjet për ish-kreun e DSK-së, Sasho Mijallkov, për veprën penale "shoqërim kriminal", "keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autoritetit" dhe "pranim i shpërblimit për ndikimin e paligjshëm". Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski morën 15 vjet burgim, gjashtë vjet iu dhanë Toni Jakimovskit, katër vjet Gordana Jankullovskës dhe tre Nadica Nikoliq. Dënime me kusht me dy vjet burg u shqiptuan për Marian Shumulikoski, Vladimir Varelov, Vasil Isakoski, Valentina Simonoska dhe Silvana Zllatovë.
Sipas aktakuzës fillestare, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015 jashtëligjshëm ishin ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët nuk ishin dhënë urdhra gjyqësorë. Përgjimi drejtpërdrejt dhe tërthorazi ka përfshirë rreth 20 mijë qytetarë.
Procesi gjyqësor nga procedura fillestare filloi më 22 dhjetor në vitin 2017 kundër 11 personave. Ishin mbajtur 53 seanca gjyqësore, në të cilat u përgjuan 123 dëshmitarë, janë nxjerrë 887 prova materiale dhe pesë ekspertiza, Ishin marrë në pyetje edhe mbi 200 persona të dëmtuar.
Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të kaluar e shfuqizoi aktvendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ktheu në rigjykim në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s