• e enjte, 09 prill 2026

Gjykimi për rastin "Puls": Komuna ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë dhe ISHT të mos japin licencë për shkak të objektit joadekuat

Gjykimi për rastin

Shkup, 25 mars 2026 (MIA) - Komuna e Koçanit me kohë e ka anuluar njoftimin për përdorimin e një vend-parkimi dhe ka kërkuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut të mos japë leje pune për diskotekën "Puls", sepse objekti ndodhej në një zonë për industri të lehtë dhe jondotëse. Këtë e deklaroi dëshmitari Dragi Ilievski, drejtues i Departamentit për zhvillimin e tokës ndërtimore në seancën e sotme në sallën e gjyqit në "Idrizovë" për zjarrin ku jetën e humbën 63 persona.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Prokurorisë publike, Ilievski i cili e ushtron këtë pozicion që nga viti 2012, sqaroi se objekti ndodhej në zonën G2 e destinuar për industri të lehtë dhe jondotëse, ku nuk lejohet konvertimi për aktivitete hotelierike të këtij lloji.

"Pra, zonat nuk mund të ndryshohen. Më pyetët nëse është bërë ndryshim, nuk është bërë ndonjë ndryshim i atij objekti, as zona nuk mund të ndryshohet dhe i gjithë ai lokalitet është një industri e lehtë dhe jondotëse", tha Ilievski.

Dëshmitari theksoi se fillimisht, më 3 tetor 2012, Komuna e Koçanit dha një njoftim pozitiv për kërkesën e Dejan Jovanovit nga SHPKNJP "Klasik DM" për përdorimin e parkingjeve publike në atë zonë, por më vonë ai u tërhoq pasi mësuan për qëllimin e vërtetë të objektit.

"Pas informacioneve të caktuara se do të hapet një diskotekë ne e kemi anuluar këtë njoftim. Aty deklarojmë se ato parkingje janë industri e lehtë dhe jondotëse G2, jo për diskoteka ose bare që do të hapen. Kjo i është dorëzuar Dejan Jovanovit nga SHPKNJP "Klasik DM"", theksoi dëshmitari.

Sipas Ilievskit, Komuna e Koçanit iu drejtua edhe institucioneve shtetërore për të parandaluar hapjen e një klubi nate në zonën industriale. Kryetari i atëhershëm Ratko Dimitrovski kërkoi informacion nga Ministria e Ekonomisë nëse është lëshuar licencë për kompaninë, por pasi nuk mori përgjigje, një kërkesë e drejtpërdrejtë iu dërgua Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT).

"Po është dorëzuar edhe deri te drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Kryetari i atëhershëm Ratko Dimitrovski kishte informacion se do të hapej një diskotekë ose klub nate, kishte dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë për informacion nëse kompanisë "Klasik" ka lëshuar licencë për të hapur diskotekë apo jo. Kjo ka qenë më 19.10.2012. Pritëm një periudhë të caktuar kohore për të marrë reagime mbi këtë kërkesë për licencë, nuk morëm përgjigje dhe në marrëveshje me kryetarin e komunës i shkrova drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut kërkesë për të mos lëshuar licencë për diskotekë. Arsyet ishin, ne e anuluam vendimin për një vend parkimi, këto vende parkime janë të destinuara për industrinë e lehtë, atje nuk kemi zona A1 ose A2 ose zona të tjera", theksoi Ilievski.

I pyetur se nga komuna ka pasur dijeni për qëllimet e investitorit, dëshmitari u përgjigj "kjo flitej nëpër qytet, jo vetëm nga një person apo diçka e tillë, por flitej nëpër qytet, kështu që pyetja është; si mund të hapet një diskotekë në atë lokalitet që është menduar për industri të lehtë".

Lidhur me pyetjen nëse komuna kreu inspektim apo ndërmori veprime të tjera pasi diskoteka filloi me punë, Ilievski theksoi se sektori i tij nuk ka kompetenca të tilla. "Siç theksova, sektori ynë nuk ka kompetenca dhe nëse dikush tjetër e mori përsipër, nuk kam informacion", shtoi Ilievski.

Zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan shpërtheu më 16 mars të vitit 2025, gjatë një shfaqjeje nga grupi DNK, dhe është një nga tragjeditë më të këqija në historinë e kohëve të fundit të vendit. Në të humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan. Gjykimin e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska – Ilievska, ndërsa Prokurorinë e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorëve publikë. 

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR