• e enjte, 26 mars 2026

Gjykimi për "Puls": Në regjistrin komunal diskoteka nuk ekzistonte, pagesat për licenca i kryenin "Klasik DM" dhe "MMMM"

Gjykimi për

Shkup, 25 mars 2026 (MIA) – Në regjistrin komunal tatimor të Koçanit diskoteka “Puls” nuk figuronte si person juridik, por detyrimet për licencë dhe firmë i shlyenin subjektet juridike të Sektorit komunal për çështje financiare, në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në diskotekën e Koçanit. 

Duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë Publike, Rashkovi sqaroi se Komuna nuk ka kompetenca për dhënien e licencave për klub nate ose kabare, por këtë e bën Ministria e Ekonomisë, ndërsa pagesat ndahen në gjysmë ndërmjet buxhetit qendror dhe lokal. 

“Personi juridik duhet të marrë vendim për të paguar ato para. Vendimi është nga Ministria e Ekonomisë, pas atij vendimi pagesa bëhet llogari pagese. Llogaria bëhet nga Ministria e Financave në mënyrë që 50 për qind të shkojnë në llogarinë e Komunës së Koçanit, 50 për qind në Buxhet”, tha Rashkovi.

Ai theksoi se për rastin konkret u paguan 246.000 denarë, gjysma e të cilave shkuan në llogarinë e Komunës, por nuk mundi të specifikonte nëse shuma ishte për licencë kabareje apo diskotekë. Kur u pyet nëse kishte pagesa direkt nga diskoteka ”Puls”, dëshmitari ishte i bindur se një entitet i tillë nuk ekzistonte në të dhënat e tyre.

“Kur ndodhi ngjarja, ne bëmë inspektim dhe kontrolluam të gjithë taksapaguesit dhe përcaktuam se nuk ekzistonte si person juridik”, theksoi dëshmitari.

Në deklaratë Rashkovi tha edhe se nuk e di sa diskoteka ka në Koçan, as sa kabare ka në qytet. Ai theksoi edhe se për “Klasik DM” e ka marrë vesh madje pas ngjarjes tragjike, kur, siç tha, e ka marrë vesh edhe se “MMMM” është ndjekës juridik i “Klasik DM”. 

Në deklaratën e tillë reaguan prindërit e të ndjerëve në zjarrin të cilët e ndjekin procesin gjyqësor, duke theksuar se, sipas tyre, dëshmitari për çdo ditë e ka vizituar kafenenë “Klasik” në qendër të Koçanit. 

Në lidhje me pyetjet për mbikëqyrje eventuale inspektuese në objekt, Rashkovi, i cili në periudhën e janarit 2022 deri në dhjetor të vitit 2023 ishte edhe sekretar i Komunës Koçan, theksoi se inspektorët komunalë veprojnë të pavarur dhe përgjigjen vetë, para kryetarëve të komunave, por nuk janë nën kompetencë të sekretarit. 

“Shërbimet inspektuese veprojnë në mënyrë të pavarur dhe autonome, ato mund të miratojnë procesverbale, të nënshkruajnë dhe të miratojnë vetë vendime, kanë licenca përkatëse për të nënshkruar procesverbalet, vendimin dhe të gjithë dokumentacionin në lidhje me Ligjin për mbikëqyrje inspektuese. Sipas Ligjit, inspektorët dhe drejtuesit e shërbimeve inspektuese i përgjigjen kryetarit të komunës”, tha Rashkovi dhe shtoi se nuk ishte në dijeni nëse është kryer mbikëqyrje në objektin “Puls” gjatë asaj periudhe.

Gjatë marrjes në pyetje nga avokatja mbrojtëse e të akuzuarës së parë, Ivana Kocevska, Rashkovi konfirmoi se Komuna përcakton shumën e kompensimit dhe se personat juridikë "Klasik DM" dhe "MMMM" kanë bërë pagesa mbi këtë bazë. Në të njëjtën kohë, ai u pajtua me përfundimin e mbrojtjes se pronari i objektit nuk është i detyruar të njoftojë Komunën për organizimin e një ngjarje në kabare ose diskotekë.

Në seancën e sotme gjyqësore, më parë dëshmoi edhe udhëheqësi i Departamentit për Rregullimin e Tokës Ndërtimore në Komunën e Koçanit, i cili tregoi se Komuna i ishte drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT) që të mos lëshonte licencë për funksionimin e diskotekës "Puls" sepse objekti ndodhej në zonë për industri të lehtë dhe jo ndotëse.

Sipas deklaratës së dëshmitarit, kryetari i atëhershëm Ratko Dimitriovski ka kërkuar informacion nga Ministria e Ekonomisë nëse për kompaninë është dhënë licencë, por pasi nuk kishin marrë përgjigje, ishte dërguar drejtpërdrejt kërkesë në Inspektoratin Shtetëror të Tregut. 

Procedura gjyqësore për zjarrin në diskotekën "Puls" do të vazhdojë me thirrjen dhe dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë, pasi që mbrojtja në seancën e sotme në sallën gjyqësore në "Idrizovë" nuk u dakordua me propozimin e Prokurorisë publike për tërheqjen e tyre masive nga lista për marrje në pyetje.

Vendimi i këtillë i mbrojtjes do të thotë se në periudhën në vijim do të duhet të mbahen më shumë seanca në mënyrë që të shteret lista e dëshmitarëve të cilët duhet të deklarohen para Gjykatës.

Pasi që të gjithë mbrojtësit u deklaruan lidhur me propozimin e Prokurorisë, Gjykata konstatoi se është arritur dakordimi për tërheqje të dëgjimit të vetëm katër personave - Ana Karova, Trajçe Trajçov, Angellço Angellkov dhe Martin Josifov.

Zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë performancës së grupit DNK dhe paraqet një prej tragjedive më të rënda në historinë më të re të vendit. Në të jetën e humbën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Gjykimin e udhëheqë gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa prokurorinë e përfaqëson ekipi prej 15 prokurorëve publikë. fc/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR