• e premte, 27 dhjetor 2024

Gjykimi për Llaskarcën vazhdon më 8 qershor

Gjykimi për Llaskarcën vazhdon më 8 qershor

Shkup, 30 maj 2023 (MIA) – Gjykimi për fatkeqësinë me autobus në Llaskarcë vazhdon më 8 qershor pasi në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot u mor në pyetje dëshmitari Jakup Mamuti, pjesë e ekipit që e përgatiti superekspertizën në komunikacion.

Në pjesën e parë, prokurori publik, Darko Jakimovski, e mori në pyetje ekspertin Jakup Mamuti lidhur me superekspertizën, për të cilën, eksperti deklaroi se e kanë përpunuar për më pak se një vit. Pas pauzës, vazhdoi marrja në pyetje e ekspertit të njëjtë me pyetje të cilat në pjesë të madhe ishin refuzuar nga Gjykata, ndërsa kishin të bëjnë me licencën e ekspertit Mamuti.

Krahas Jakup Mamutit dhe Lupço Postollovit, pjesë e ekipit që e përgatiti superekspertizën është edhe eksperti Nezat Zeqir.

Superekspertizën të cilën e urdhëroi Gjykata në dhjetor të vitit 2021 ishte refuzuar nga fakultetet në shtet, me sqarimin se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme, ose nuk janë kompetentë për të njëjtën. Pasi fakultetet refuzuan, lënda ishte dërguar në Byronë e Ekspertizës Ligjore e cila ka mundësi të formojë ekipin e ekspertëve të licencuar të cilët do të bëjnë superekspertizë. Superekspertiza mbërriti në Gjykatën Penale në dhjetor. Pastaj vijoi fillimi formal i procesit pas të cilit filloi marrja në pyetje e ekspertëve të cilët e përgatitën superkspertizën mekanike, e cila sipas ekspertëve ka përcaktuar se fatkeqësia e autobusit nuk është e natyrës mekanike.

Të akuzuar në rastin për fatkeqësinë në Llaskarcë, që ndodhi më 13 shkurt 2019 janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë "Durmo turs", përgjegjësi për transportin në kompani Remzi Miftari dhe drejtuesi i autobusit, Manoil Trifunovski, të cilët ngarkohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërsa, tre të punësuarit në stacionin e kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, ngarkohen për bashkëpjesëmarrje në veprën e njëjtë.

Procesin gjyqësor për fatkeqësinë i cili filloi në shtator të vitit 2019, e udhëheqë gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik, Darko Jakimovski.

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR