• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Gjykata Penale: Përgjegjësia për arratisjen e Blerim Ramadanit duhet kërkuar nga organi që kryen mbikëqyrjen

Gjykata Penale: Përgjegjësia për arratisjen e Blerim Ramadanit duhet kërkuar nga organi që kryen mbikëqyrjen

Shkup, 19 gusht 2024 (MIA) - Gjykata Themelore Penale - Shkup përmes një komunikate ka paraqitur pesë fakte lidhur me procedurën e ekstradimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, ku përgjegjësinë për arratisjen e tij nga arresti shtëpiak ia drejton Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke theksuar se mbikëqyrja e arrestit shtëpiak, konform vendimit, i është besuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjegjësisht stacionit policor kompetent.

Nga Gjykata thonë se Ramadani ka qenë në paraburgim aktiv për 15 ditë me vendim të gjyqtarit në procedurë paraprake, duke theksuar se kjo është koha maksimale që një person ka kaluar në paraburgim ekstradues.

Me rastin e marrjes së vendimit për arrest shtëpiak, sqaron Gjykata Themelore Penale, gjyqtari ka pasur parasysh praktikën tashmë të krijuar gjyqësore për veprimet e organeve tona gjyqësore në raste të njëjta, gjegjësishtë, "të personave që fillimisht u është caktuar paraburgimi, në të gjitha vendimet e Këshillit Penal pranë gjykatave kompetente është konstatuar se nuk janë plotësuar prezumimet ligjore për ekstradim, ndërsa këto vendime janë vërtetuar nga Gjykata e Lartë, sipas dispozitave ligjore mund të parashikohen masa më të buta si arrest shtëpiak, masa për sigurimin e prezencës apo garantimit, ndërsa mbikëqyrja e arrestit shtëpiak, sipas vendimit i është besuar Ministrisë së Brendshme, përkatësisht stacionit kompetent”.

Për këtë arsye, shtojnë ata, përgjegjësia (sistematike apo individuale) për arratisjen duhet kërkuar nga autoriteti që kryen mbikëqyrjen.

"As MPB-ja, as partitë politike dhe as ekspertët nuk e komentojnë vendimin e gjykatës për caktimin e arrestit shtëpiak, ndonëse i njëjti është publikuar nga media të caktuara, ndoshta për funksionalitetin e tij si dhe për vendimet e shumta ndaj shtetit pikërisht për shkak të “keqpërdorimit” të paraburgimit. Në fund personi ikën nga arresti shtëpiak, i cili mbikëqyret nga MPB-ja, pas së cilës vijojnë reagime dhe akuza të shumta në kurriz të gjykatës", thonë nga Gjykata. 

Sistemi gjyqësor në vendin tonë nuk ndikohet drejtpërdrejt nga rezultati i kësaj procedure, thonë nga Gjykata Penale, duke qenë se ky person nuk po gjykohet në vend dhe asnjë shtetas i Maqedonisë nuk është dëmtuar. Megjithatë, detyrimi i shtetit, shtojnë ata, është të respektojë të drejtën ndërkombëtare në procedurën e ekstradimit që tashmë është vendosur.

Blerim Ramadani, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Interpolit nga Serbia, u arrestua më 17 korrik të vitit 2024 në vendkalimin kufitar Jazhincë dhe u dërgua në burgun e Shutkës për 30 ditë paraburgim ekstradues. Përmbajtja e fletarrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani, si ish-ushtar i UÇK-së, ka kryer krime lufte në rajonin e Neredimës.

Më 1 gusht, masa e arrestit të Ramadanit nga Gjykata kompetente e RMV-së ka ndryshuar nga “paraburgim” në “arrest shtëpiak” dhe ai sipas vendimit është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte parashikuar që ai të qëndronte në “arrest shtëpie” deri më 16 gusht. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR