• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos ngritë procedurë për dy ligjet kontestuese

Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos ngritë procedurë për dy ligjet kontestuese

Shkup, 10 janar 2024 (MIA) - Gjykata Kushtetuese në seancën e parë për vitin 2024 e cila u mbajt sot vendosi që të mos ngritë procedurë në lidhje me rastin ku kontestohen ndryshimet ligjore të Ligjit për marrëdhënie obligative dhe Ligjit për sanksione dhe ka konstatuar shkelje të lirisë së shprehjes së mendimit dhe shprehjes publike në lidhje me kërkesën për liri dhe të drejta nga ana e gazetares Dushica Mërgja për ngjarjet e 27 prillit 2017.

Siç thekson zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Bellovska, procedura për ndryshime ligjore të Ligjit për marrëdhënie obligative dhe Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve nuk është iniciuar sepse Gjykata konsideron se të dy ligjet janë konform Kushtetutës, që nënkupton se nuk janë pranuar pretendimet e 15 iniciuesve të nismave që për këtë lëndë u dorëzuan deri te Gjykata Kushtetuese.

"Sipas Gjykatës është i papranueshëm pretendimi në iniciativat se cenohet e drejta e pronësisë së kreditorëve nga fakti se ligjvënësi, pra Kuvendi, ka parashikuar kufizimin e masës së interesit penal kur të arrihet shuma kryesore. Gjykata konsideron se neni 4 nga Ligji për marrëdhënie obligative nuk ka veprim retroaktiv, sepse i referohet procedurave të cilat ende zgjasin, pra nuk kanë përfunduar dhe jo atyre procedurave që para hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë përfunduar më parë.

Ndër të tjera, Gjykata vlerëson se nuk është shkelur parimi i ndarjes së pushtetit siç pretendohet në iniciativat", thekson Bellovska në konferencën për media pas mbledhjes së sotme.

Në lidhje me rastin e gazetares Dushica Mërgja, Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të lirisë së shprehjes dhe shprehjes publike konform nenit 110 paragrafi 3 i Kushtetutës.

"Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ajo në Kuvend ka qenë prezente si gazetare dhe është dashur të informojë për zgjedhjen e kryetarit, por është penguar në këtë dhe shteti sipas Gjykatës është i detyruar të sigurojë kushte që gazetarët të raportojnë lirishëm", theksoi Bellovska.

Iniciuesja e kërkesës, Dushica Mërgja siç thuhet ndër të tjera në kumtesën e Gjykatës Kushtetuese, konsideron se të dy gjykatat e kanë shkelur të drejtën për lirinë e shprehjes duke lëshuar mundësinë në aktgjykimet të konstatojnë se si gazetare më 27 prill 2017, shteti së pari nuk ka garantuar sigurinë gjatë kryerjes së detyrës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është pamundësuar që të raportojë lirshëm mbi ngjarjet që janë zhvilluar atje.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR