Gjykata Kushtetuese nuk do të komentojë qëndrimet e askujt, seanca për Ligjin për përdorimin e gjuhëve më 11 dhjetor
- Gjykata Kushtetuese thotë se nuk do të komentojë qëndrimet e askujt lidhur me çështjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Seanca e Gjykatës ku do të diskutohet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve është caktuar për më 11 dhjetor.
- Post By Fami Bajrami
- 15:20, 6 dhjetor, 2024
Shkup, 6 dhjetor 2024 (MIA) - Gjykata Kushtetuese thotë se nuk do të komentojë qëndrimet e askujt lidhur me çështjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Seanca e Gjykatës ku do të diskutohet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve është caktuar për më 11 dhjetor.
“Pas përfundimit të seancës do të mbahet konferencë e rregullt për media ku do të jepen përgjigje rreth të gjitha çështjeve”, kumtoi sot Gjykata Kushtetuese.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim sot dolën me paralajmërim se çdo përpjekje për të shfuqizuar cilëndo dispozitë të këtij ligji nuk është thjesht një veprim juridik, por është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit dhe paqes që ky vend ka ndërtuar me shumë sakrifica.
“Ky ligj është produkt i një kompromisi të ndërlikuar, i arritur pas viteve të mundimshme negociatash dhe është themeli i barazisë ndëretnike dhe respektit të ndërsjellë. Një vendim që do të cenonte këtë ligj do të përfaqësonte një shkelje të rëndë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një kthim pas drejt një të ardhmeje të pasigurt dhe të trazuar", thuhet në kumtesën e BDI-së.
Nga partia u bëjnë thirrje qytetarëve, liderëve politikë dhe bashkësisë ndërkombëtare që të veprojnë menjëherë për të parandaluar këtë akt që rrezikon stabilitetin e vendit dhe të rajonit.
Opinioni po diskuton për ligjin për përdorimin e gjuhëve për shkak të zgjidhjeve jo të plota dhe politikave të mëparshme të cilat i ka udhëhequr Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), vlerësoi madje sot zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
"Tani përballen me përgjegjësinë dhe para përgjegjësisë u duhet mjegull, u duhet destabilizim. Por, nëse në shtet dikush nuk ka të drejtë për këtë çështje, ajo është BDI. Për shkak të zgjidhjeve të tyre gjysmake, jo të plota, dhanë mundësinë që dikush sot të merret me këtë çështje. Kjo çështje të ishte zgjidhur siç duhet, të kishte një ligj për gjuhën shqipe, sipas të gjitha modeleve sot nuk do të ishte temë e diskutimit. Temë e diskutimit është për shkak të zgjidhjeve gjysmake dhe jo të plota të BDI-së", theksoi Mexhiti.
Sipas tij, kjo është një çështje e ndjeshme dhe duhet të trajtohet në mënyrë të arsyeshme, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të diskutojë për përdorimin e gjuhëve.
"I bëj thirrje opinionit, të gjithëve do të thotë, kjo është një çështje e ndjeshme. Marrëveshja e Ohrit është pjesë e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të mirën e shtetit, të mirën e marrëdhënieve ndëretnike, stabilitetit, duhet t'i qasemi në mënyrë të arsyeshme kësaj marrëveshjeje. Nuk do të hyj në çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Unë vetëm po bëj thirrje që kjo nuk është çështje juridike, por edhe çështje politike që ndikon në stabilitetin e shtetit", tha Mexhiti.
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai në konferencën e djeshme “Miqtë e Evropës” në Bruksel tha se gjyqtarët jashtë komuniteteve shumicë në Maqedoninë e Veriut nuk do të marrin pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese, ku duhet të diskutohet kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut disa nga ligjet miratohen sipas parimit të shumicës së dyfishtë të Badenterit, por sipas vlerësimit të tij, Gjykata Kushtetuese disa herë e ka vënë veten në rolin e vendimmarrjes për çështje politike dhe ka fuqi të rrëzojë ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Në këtë aspekt presim vështirësi për Ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili u kontestua në vitet e tetëdhjeta në Maqedoni dhe do të shohim se çfarë do të dalë prej tij tani”, tha Fetai dhe shtoi se informacioni i tij i fundit është se gjyqtarët jashtë komuniteti shumicë nuk do të marrë pjesë në seancë.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski në një intervistë për MIA-n ka thënë se me Ligjin për gjuhët, politika ka krijuar një lloj kaosi juridik i cili rezulton me kaos politik, mosbesim dhe dilema.
"Opinioni e ka parë tashmë raportin e Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese e ka fjalën për të marrë një vendim të argumentuar kushtetuto-ligjore dhe të arsyeshme. Çfarë mund të vendoset, nuk e di dhe nuk mund ta di dhe nuk do të komentoj", ka thënë Kostadinovski.
Lënda e Ligjit për gjuhët përbëhet nga 13 iniciativa nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme, ndërsa është formuar në vitin 2019 dhe është aktualizuar këtë vjeshtë pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Foto: arkivi i MIA-s