• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë përgatitore për Ligjin e gjuhëve

Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë përgatitore për Ligjin e gjuhëve

Shkup, 11 dhjetor 2024 (MIA) – Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut sot vendosi të mbajë seancë përgatitore për debatin për nismat për vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve. 

Gjykatësja raportuese Elizabeta Dukovska propozoi që të mbahet seancë përgatitore, që mori mbështetjen nga më shumë gjykatës, duke përfshirë edhe Ana Pavllova Daneva, Tatjana Vasiç Bojaxhieva, Jadranka Daboviq dhe Darko Kostadinovski. Gjykatësja Dobrilla Kacarska nuk u pajtua me propozimin, duke vlerësuar se tashmë ka përgatitje të mjaftueshme. 

Mbështetësit e vendimit e theksuan rëndësinë e seancës përgatitore që të tregojnë se sundon drejtësia dhe se kushtetutshmëria nuk mbrohet në rrugë, por në gjykatë. Ata bënë thirrje për durim dhe besim në institucione dhe theksuan se vendimi do të ndihmojë në refuzimin e akuzave për politizim. 

Sipas vendimit, në takimin e parë të ardhshëm të punës do të shqyrtohen propozimet për çështje kontestuese dhe pjesëmarrësve në debat. 

Gjykata Kushtetuese sot mban seancën e 32-të ku ndër pikat e rendit të ditës janë iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, Ligjit në tërësi, si dhe 25 neneve veçmas të ligjit. Në seancë nuk marrin pjesë gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Menjëherë para votimit të rendit të ditës të propozuar për këtë seancë, gjyqtari Fatmir Skender propozoi që pika me iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve të shtyhet për shkak të mungesës së dy gjykatësve. Propozimi nuk ishte pranuar me çka gjykatësi Skender vendosi të mos merr pjesë në debatin për pikën e pare. 

Lënda për Ligjin për gjuhët përbëhet nga 13 nisma nga qytetarë të ndryshëm, parti politike, shoqata, i formuar në vitin 2019, ndërsa u bë aktual këtë vjeshtë pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias. 

Lidhur me iniciativat, Gjykata Kushtetuese mund t'i refuzojë, të vendosë ngritjen e procedurës për ligjin në tërësi ose vetëm për pjesë të tij, të ndalojë përkohësisht zbatimin e tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar ose ta dërgojë për përpunim në Kuvend.

Parashtrues të iniciativave për kontestimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve janë partitë VMRO-DPMNE dhe E Majta, Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas”, Sollza Gërçeva, Tanja Karakamisheva Jovanovska, Jove Kekenovski, si dhe Vasko Lazeski, Ivana Mitevska, Tome Todorovski, Klementina Brzanovska dhe Vlladimir Stefanovski. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë, gjashtë prej të cilëve janë maqedonas dhe tre nga bashkësitë më të vogla etnike - dy shqiptarë dhe një turk. fc/

Fotografia: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR