• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Gjykata Kushtetuese: Autoritetet duhet të përcaktojnë nëse thika në garazhin e kryetares Kacarska ishte kërcënim apo rastësi

Gjykata Kushtetuese: Autoritetet duhet të përcaktojnë nëse thika në garazhin e kryetares Kacarska ishte kërcënim apo rastësi

Shkup, 15 maj 2024 (MIA) - Nga Gjykata Kushtetuese konfirmuan se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska gjatë ditës së djeshme në stacionin policor ka raportuar për rrezikim të mundshëm të sigurisë pasi në vendin e saj të parkingut privat afër vendbanimit të saj është gjetur një thikë dhe sende tjera.

Siç kumtoi në konferencën e sotme për shtyp në Gjykatën Kushtetuese, zëdhënësja Hristina Belovska, u mbetet autoriteteve të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për kërcënim apo rastësi.

"Ajo që mund të konfirmoj është denoncimi i saj duke pasur parasysh se në pronën e saj, në parkingun e saj privat i cili ndodhet në një garazh nëntokësor të tipit të mbyllur dhe në të cilin ndodhen rreth 50 automobila të tjera rreth e rrotull, është gjetur një thikë therëse e cila ishte vendosur në prizën e dritës e cila përdoret pikërisht për ndriçimin e pjesës mbi automobilin e saj dhe sende tjera për të cilat më shumë informata me shumë gjasa do të mund të merrni nga hetimi, tha Belovska.

Lidhur me kërcënimet, ajo shtoi se ka pasur më shumë shqetësime në vazhdimësi.

"Disa incidente të vogla në opinion, ka kërcënime në rrjetet sociale drejtuar asaj personalisht të cilat janë ende të disponueshme dhe besoj se edhe ato do të kontrollohen, megjithatë kryetarja nuk ka dashur të reagojë për asnjë nga ato incidente deri në momentin kur dje është është gjetur edhe një thikë në pronën e saj personale", shtoi ajo.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme më parë konfirmuan se është njoftuar prokurori publik, sendet janë marrë për ekspertizë dhe po ndërmeren masa për zbardhjen e rastit. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR