• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi dispozitat nga Metodologjia për Regjistrimin, nuk do të ketë më popullsi "rezidente" dhe "jorezidente"

Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi dispozitat nga Metodologjia për Regjistrimin, nuk do të ketë më popullsi

Shkup, 26 qershor 2025 (MIA) – Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa pjesë të Metodologjisë për Regjistrimin nga viti 2021 të cilat kanë të bëjnë me popullsinë “rezidente” dhe “jorezidente” sepse vlerësoi se nuk janë në përputhje me vlerën themelore të rendit tonë kushtetues – sundimin e drejtësisë, si dhe se drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe me akt nënligjor ka kryer kategorizim të popullsisë rezidente dhe jorezidente, për çka nuk ka autorizim ligjor. Vendimi nuk do të vlejë në mënyrë retroaktive për regjistrimin tashmë të zbatuar nga viti 2021. 

Ai do të zbatohet nga momenti kur do të publikohet në Gazetën Zyrtare, për aktet nënligjore të cilat do të miratohen në të ardhmen. 

“Në lëndën U.nr.251/2025, e cila përfshin dispozita nga Metodologjia e zbatuar për regjistrimin e popullsisë nga viti 2021, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, shfuqizoi: Pjesën II ‘Pjesa e përgjithshme’ pika 5 nënpika 1 në pjesën ‘Popullsia totale rezidente’ përbëhet nga personat e mëposhtëm - njësitë e Regjistrimit’ dhe nënpika 2 në pjesën ‘Popullsia totale jorezidente’ përbëhet nga personat e mëposhtëm - njësitë e Regjistrimit’ nga Metodologjia për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e regjistrimit të popullsisë, amvisërive  dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021”, informojnë sot nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata vlerësoi se pjesët e shënuara nga Metodologjia, nuk janë në përputhje me vlerën themelore të rendit tonë kushtetues – sundimin e drejtësisë, i cili është rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe detyrimi kushtetues që të gjitha regjistrimet të harmonizohen me ligjet dhe Kushtetutën, i rregulluar me nenin 51 të Kushtetutës, pastaj nenet 6, 7 dhe 17 paragrafi 2 alineja 1 të Ligjit për regjistrim të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021. 

“Gjykata Kushtetuese vlerësoi se drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe me akt nënligjor (Metodologjia) ka bërë kategorizim në popullsi rezidente dhe jorezidente, për çka nuk ka autorizim ligjor, sepse Ligji për regjistrim të popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021, nuk parashikon që kategorizimi i popullsisë të përgatitet me akt nënligjor. 

Nga Gjykata Kushtetuese sqarojnë se për shkak të faktit që bëhet fjalë për vendim shfuqizues, ndërsa jo vendim anulues, Vendimi do të zbatohet nga momenti kur do të publikohet në Gazetën Zyrtare (për aktet nënligjore të cilat do të miratohen në të ardhmen), por nuk do të vlejë në mënyrë retroaktive – për regjistrimin tashmë të zbatuar në vitin 2021. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR