• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gjykata e Apelit i miratoi pjesërisht ankesat e pronarit të portalit "DokazM"

Gjykata e Apelit i miratoi pjesërisht ankesat e pronarit të portalit

Shkup, 30 maj 2023 (MIA) - Gjykata e Apelit në Shkup e ka refuzuar si të pabazë ankesën e Prokurorisë Themelore Publike Shkup në lidhje me rastin “DokazM”, ndërsa pjesërisht i ka pranuar ankesat e të pandehurit Marjan Stamenkovski, pronar i portalit me të njëjtin emër.

Në seancën e mbajtur më 19 maj në Gjykatën e Apelit në Shkup, Prokuroria Publike kërkoi dënim më të lartë, ndërsa mbrojtja kërkoi përsëritjen e procedurës për rastin.

"Gjykata e Apelit në Shkup, duke vepruar në lëndën penale KZh-357/23, pas seancës publike të mbajtur më 19.05.2023, ka marrë aktgjykim me të cilin e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore Publike Sh. si të pabazë dhe ankesat e të pandehurit M. S. nga Sh., i pranoi pjesërisht. Pas ankesave dhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale Shkup K. nr.429/23 i datës 04.04.2023 është ndryshuar në pjesën e vendimit për sanksion penal në atë mënyrë që të pandehurin M. S. e ka dënuar me burgim të vetëm prej dy vjet e gjashtë muaj dhe me gjobë në shumë prej 5.000 euro në shumë prej 308.450,00 denarë", thuhet në njoftimin e sotëm nga Gjykata e Apelit.

I pandehuri M. S., siç thuhet në njoftim, dënohet edhe me “ndalim të ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës lidhur me vepra penale”, pra ndalim regjistrimi të një domeini dhe paraqitjes si regjistrues apo pronar i një portali për një periudhë prej gjashtë vitesh dhe ndërprerjen e regjistrimit të të gjitha domeneve të regjistruara në të cilat i pandehuri shfaqet si pronar i portalit.

"Aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale Shkup K. nr.429/23 i datës 04.04.2023, në pjesën për veprën penale “shantazh” nga neni 259 paragrafi 1 neni 19 i KP, ka anuluar çështjen në atë pjesë dhe e ka kthyer për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, për arsye se gjykata e shkallës së parë nuk ka konstatuar me siguri faktet vendimtare që kanë ndikim në zbatimin e drejtë të së drejtës materiale, në lidhje me elementin e të qenurit të krimit të “shantazhit”, thuhet në njoftim.

Nga Gjykata e Apelit në Shkup njoftojnë se Vendimi do të publikohet i plotë në ueb faqen e gjykatës në afatin e përcaktuar me Ligjin për menaxhimin e lëvizjes së lëndëve nëpër gjykata.

Marjan Stamenkovski, pronar i portalit "Dokaz M", është dënuar nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit me një dënim të vetëm prej tre vjet e një muaj. Stamenkovski u akuzua për pesë vepra penale, përkatësisht dy akuza për përhapjen e materialit racist dhe ksenofobik përmes një sistemi kompjuterik, shantazh, pirateri të një vepre audiovizive dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

Përveç dënimit me burg, Stamenkovski është dënuar edhe me gjobë prej 5.000 euro për keqpërdorim të të dhënave personale, si dhe me ndalim të ushtrimit të profesionit apo veprimtarisë lidhur me vepra penale, përkatësisht i ndalohet regjistrimi i domeinit për një portal për një periudhë 10 vjeçare dhe atij i ndërpritet regjistrimi i domeneve që ka regjistruar.

Policia gjatë kontrollit në banesën e të dënuarit tashmë ka sekuestruar dokumentacion, pajisje elektronike dhe 90 mijë euro. Prokuroria dyshon se kjo shumë vjen nga krime të tjera dhe për ato është hapur një procedurë e re hetimore. sa/

Foto Arkivi i MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR