• e premte, 08 nëntor 2024

Gjykata Administrative e refuzoi si të pabazë padinë e Frontit Evropian për vendimin e KSHZ-së për rivotimin në Zhelinë

Gjykata Administrative e refuzoi si të pabazë padinë e Frontit Evropian për vendimin e KSHZ-së për rivotimin në Zhelinë

Shkup, 30 maj 2024 (MIA) - Gjykata administrative në debatin publik të mbajtur mbrëmë e refuzoi si të pabazuar padinë e paraqitur nga Koalicioni Fronti Evropian në zgjedhjet parlamentare 2024, kundër vendimit të Komisonit shtetëror të zgjedhjeve të RMV-së për rivotim në vendvotimin 2101 në fshatin Llërcë në komunën e Zhelinës.

"Padia e paditës Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (Lëvizja Populli - LP, Partia Demokratike e Shqiptarëve, Partia Demokratike Evropiane PDE, Partia Demokratike e Turqve, Partia Politike Unioni i Romëve – URA, Partia Politike Lidhja demokratike e boshnjakëve – LDB) Fushata zgjedhore - Zgjedhjet parlamentare 2024, në Njësinë zgjedhore 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6, parashtruar kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut UP1.Nr.10-33 të datës 27.05. .2024, refuzohet si i pabazë", qëndron në aktgjykimin e publikuar në ueb faqen e Gjykatës Administrative.

Me këtë aktgjykim, konfirmohet Vendimi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut UP.1 NR. 10-33 nga data 27.05.2024, theksohet në kumtesën.

Vendimi i plotë me arsyetimin e të njëjtit, siç theksojnë nga Gjykata Administrative, do të publikohet në portalin e Gjykatës, sipas afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

KSHZ në seancën e mbajtur më 27 maj nuk e pranoi ankesën e Frontit Evropian për rivotimin në Llërcë, ku pas rivotimit, Fronti Evropian humbi një deputet në raport me rezultatet e 8 majit dhe koalicioni "Vlen" fitoi një deputet.

Sipas rezultateve fillestare pas rivotimit në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6 në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, Koalicioni "Maqedonia juaj" e udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbetet me 58 deputetë, Koalicioni "Fronti Evropian" i udhëhequr nga BDI ka humbur një deputet dhe ka 18, njejtë  si Koalicioni për Ardhmërinë Evropiane i udhëhequr nga LSDM. Koalicioni "Vlen" pas rivotimit fitoi një deputet më shumë dhe tani ka 14, ndërsa Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe e Majta mbeten me nga gjashtë deputetë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR