• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Gjykatësja e Gjykatës së Lartë, Cvetanka Periq e tërhoqi kandidaturën për pozitën e anëtares së Këshillit Gjyqësor, por do të mbetet në fletëvotimin

Gjykatësja e Gjykatës së Lartë, Cvetanka Periq e tërhoqi kandidaturën për pozitën e anëtares së Këshillit Gjyqësor, por do të mbetet në fletëvotimin

Shkup, 3 qershor 2024 (MIA) - Në seancë urgjente sot Këshilli gjyqësor e shqyrtoi njoftimin për tërheqje të kërkesës nga kandidatja për zgjedhje të anëtarit të Këshillit nga radhët e Gjykatës së lartë, Cvetanka Periq dhe miratoi përfundimt me të cilin konkludoi se listat e kandidatëve për votimin e ardhshëm mbeten të pandryshuara.

Me nëntë vota “për”, Këshilli Gjyqësor në seancën urgjente të 489-të njëzëri e miratoi përfundimin, pasi gjashtë ditë para zgjedhjeve për anëtar të Këshillit, gjykatësja e Gjykatës së Lartë, Periç, dërgoi një njoftim në Këshillin Gjyqësor se për arsye shëndetësore po e tërheq kërkesën.

Anëtarja e Këshillit, Antoaneta Dimovska tha se është befasuar për keq nga njoftimi për tërheqjen e Periqit nga kandidati për anëtar të Këshillit Gjyqësor.

"Më duhet të them se jam e befasuar për keq, sepse e gjithë kjo po ndodh në një fazë kur e gjithë procedura ka përfunduar. Këshilli Gjyqësor nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim, sepse ne i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet, i kemi përcaktuar listat e kandidatëve, është formuar Komisioni Zgjedhor dhe kjo për mua është më së paku e çuditshme. Nuk e di se për çfarë arsye shëndetësore bëhet fjalë, por bëhet fjalë për gjykatës të Gjykatës së lartë. Duhet të jesh i shëndetshëm për të kryer funksionin edhe në Gjykatën e Lartë, si dhe në punën e Këshillit Gjyqësor", tha Dimovska.

Sipas anëtarit të Këshillit, Selim Ademi, kjo situatë që është krijuar nuk është e rregulluar me ligj, ndërsa Këshilli e ka përcaktuar tashmë listën me dy kandidatët dhe e ka dorëzuar në Komisionin për zgjedhje.

"Kjo ndodh për herë të parë dhe nuk është parashikuar me ligj. Këshilli Gjyqësor ka përcaktuar një listë me dy kandidatë dhe e ka dorëzuar në Komisionin për zgjedhje dhe më pas është punë e Komisionit. Nga raportet e Komisionit për zgjedhje që i kemi thuhet se materialet janë shtypur, janë pranuar dhe ka implikime financiare. Tani Këshilli Gjyqësor në këtë fazë nuk mund të ndërhyjë dhe të ndryshojë një listë tjetër kandidatësh", tha Ademi.

Lidhur me tërheqjen e kërkesës, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Besa Ademi, tha se nuk është e njohur në detaje me arsyet e tërheqjes së gjykatëses Periq.

"As une, as gjykatësit nuk jemi njohur në detaje me arsyet për tërheqje. Do të kishte qenë thelbësore që në seancën e gjyqtarëve të informoheshim për hapin e tillë të gjykatëses, duke qenë se procesi zgjedhor tashmë ka nisur dhe janë ndërmarrë një sërë veprimesh procedurale, përkatësisht procesi ka arritur në fazën e votimit. Gjithmonë duhet t'i kushtohet vëmendja e duhur të gjitha aspekteve, sepse kryerja e funksionit të gjykatësit dhe kryerja e funksionit të anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e Gjykatës së lartë është një punë publike që lidhet drejtëpërdrejtë me interesin publik", thotë Ademi.

Theksoi se anëtari i Këshillit Gjyqësor gjithmonë duhet të udhëhiqet nga qëllimi më i rëndësishëm, që është mbrojtja e pavarësisë, integritetit dhe reputaconit të gjyqësorit. Thotë se anëtarët e mundshëm nga radhët e gjykatësve të Gjykatës së Lartë duhet të kenë një vizion të qartë për rolin e tyre në Këshill, si dhe rolin e tyre në të gjithë procesin e reformës në gjyqësor.

"Gjithmonë gjatë zgjedhjeve të tilla, është mirë të ketë më shumë kandidatë, ky është kuptimi i sistemit zgjedhor. Në këtë drejtim janë edhe rekomandimet e misionit vlerësues, të cilat konstatojnë se janë të nevojshme përmirësime në zgjidhjen ligjore në këtë pjesë", tha Ademi.

Anëtarja Tanja Çaçarova-Ilieva apeloi që gjatë dorëzimit të kërkesës kandidatët të kenë analiza më të thella të gjendjeve të tyre personale, si dhe nëse mund t'i përgjigjen ushtrimit të funksionit anëtar i Këshillit Gjyqësor.

"Për momentin në listë janë dy kandidatë dhe procedura është në fazën përfundimtare. Fletëvotimet e kandidatëve janë shtypur dhe janë pranuar në Këshill, kurse tërheqja e Cvetanka Periqit është dorëzuar më 30.5.2024, një ditë para se t'i pranojmë fletëvotimet në Këshill. Ne nuk kemi obligim të vendosim dhe vetëm do të konstatojmë, por më duhet të them se është një hap joserioz nga një gjykatës i Gjykatës së Lartë, duke pasur parasysh përmbajtjen e njoftimit dhe arsyet e theksuara", thotë Çaçarova-Ilieva.

Në seancën e sotme njëzëri është miratuar edhe Plani financiar i dorëzuar nga Komisioni për zbatimin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, theksoi se Plani Financiar është përgatitur nga nevoja për zbatimin e plotë të procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, e cila do të zbatohet më 6 qershor. Sipas Planit financiar janë paraparë shpenzime në vlerë të përgjithshme prej 47.500 denarëve. Dameva theksoi se shpenzimet kanë të bëjnë me materialin zgjedhor, si dhe shpenzimet e udhëtimit. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR