• e shtunë, 23 nëntor 2024

Gjykatësi suprem Nake Georgiev dërgohet në Gjykatën Penale, do të vendoset për paraburgimin e tij

Gjykatësi suprem Nake Georgiev dërgohet në Gjykatën Penale, do të vendoset për paraburgimin e tij

Shkup, 21 maj 2024 (MIA) - Gjykatësi suprem Nake Georgiev sot pasdite është dërguar në Gjykatën Themelore Penale Shkup ku duhet të vendoset për masën e propozuar paraburgim nga Prokuroria Publike.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sot solli Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër Georgievit dhe anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Ixhet Memeti, të cilët dyshohen për "pranim të shpërblimit për ndikim të paligjshëm".

Hetimi është hapur pas aksionit të MPB-së i cili vijoi pas denoncimit paraprak nga biri i një të akuzuarit në lëndën që udhëhiqet në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

"Dje në orët e pasdites MPB-ja ka realizuar aksion ku nga liria është privuar një gjykatës aktiv. Bazuar në njoftimin e dërguar nga MPB, BSP, Departamenti i policisë kriminale, Sektori për krim ekonomik dhe korrupsion, prokurori publik në fjalë nga Prokuroria Themelore Publike për Prokurorinë e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj dy personave për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale "Marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm nga neni 359 i Kodit penal", thuhet në njoftimin e PP-së.

Sipas informacioneve të marra nga denoncuesi, siç shtojnë nga PP i dyshuari i parë duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe ndikimin rrejshëm ka premtuar favore për të akuzuarin (babanë e ankuesit) në një procedurë tjetër që udhëhiqet pranë Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në mënyrë të rrejshme kanë premtuar se do të ushtrojnë ndikim së bashku me të dyshuarin e dytë”, theksohet në kumtesën e PP-së.

"Prokurori i lëndës, mbrëmjen e djeshme, përveç propozimeve për bastisje në disa lokacione, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar edhe propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë. Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një gjyqtar në gjykatën më të lartë në vend – Gjykatën e Lartë i cili gëzon imunitet dhe i cili u kap në flagrancë në kryerjen e veprës penale, propozimi përmes Gjykatës Themelore Penale i është dorëzuar për vendim Këshillit Gjyqësor të RMV-së të cilit gjatë natës i është hequr imuniteti me çka sot Gjykata Themelore Penale Shkup do të vendosë për masën e propozuar", shtojnë nga PP.

Nga atje thonë se provat e grumbulluara dhe kontrollet e deritanishme të kryera ofrojnë bazë ligjore që prokurori publik në fjalë të propozojë masën e paraburgimit vetëm për të dyshuarin e parë i cili është kapur në kryerjen e veprës penale, ndërsa në lidhje me të dyshuarin e dytë, deri në këtë moment provat nuk japin bazë për të sugjeruar masën më të rreptë të sigurisë.

"Hetimi vazhdon deri në verifikimin e plotë të të gjitha rrethanave dhe pretendimeve", thonë nga PP. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR