• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Gjorgievska në takime në Abu Dabi

Gjorgievska në takime në Abu Dabi

Shkup, 15 mars 2023 (MIA) - Bashkëshortja e presidentit, Elizabeta Gjorgievska, e cila po e shoqëron shefin e shtetit, Stevo Pendarovski në vizitën zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, sot në Abu Dabi ka takuar drejtoreshën e përgjithshëm të Unionit të përgjithshëm të grave, Nura bin Kalifa Al Suvaidi dhe Rem bin Abdullah Al Falasi, Sekretaresha e Përgjithshme e Këshillit Suprem për mëmësinë dhe fëmijërinë.

Gjorgievska, siç kumtoi kabineti i presidentit, mori pjesë edhe në forumin “Inovacionet, ndryshimet teknologjike dhe edukimi në epokën digjitale për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave”, ajo pati mundësinë të njihet me disa zanate që kultivohen në Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe ekspozita vizitore të ngritura në Departamentin e Trashëgimisë dhe Artizanatit të Unionit të Përgjithshëm të Grave të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në takimin me Rem bin Abdullah Al Falasi, Sekretaresha e përgjithshme e Këshillit Suprem për mëmësi dhe fëmijëri, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha me interes të përbashkët përmes formave të ndryshme të aktiviteteve dhe iniciativave. Duke pasur parasysh se 15 marsi shënohet si Dita Kombëtare e Fëmijëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjorgievska u njoftua edhe për përpjekjet që po bëhen në EBA për të siguruar kujdes adekuat shëndetësor për fëmijët, edukimin parashkollor, proceset arsimore, si dhe promovimin e ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut. 

 

Gjeorgjievska në takimin me drejtoreshën e përgjithshme të Unionit të Përgjithshëm të Grave, Nura bin Kalifa Al Suvaidi, u njoh me vizionin, misionin dhe fushat e veprimit të këtij fondacioni fokusi i të cilit është fuqizimi dhe sipërmarrja e grave në EBA përmes miratimit të politikave, përcaktimit të planeve dhe programeve, nisja e iniciativave dhe ofrimi i mbështetjes së nevojshme për pjesëmarrjen aktive të grave në zhvillimin e qëndrueshëm.

Bashkëshortja e presidentit mori pjesë edhe në forumin “Inovacionet, ndryshimet teknologjike dhe edukimi në epokën dixhitale për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave” organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme dhe ON Gratë.

Gjatë vizitës Gjorgievska pati mundësinë të shqyrtojë mirënjohjet nga organizatat ndërkombëtare, arabe dhe vendore që nga viti 1973, si dhe të mësojë më shumë për punën dhe përpjekjet e vazhdueshme të Sheika Fatima bin Mubarak për avancimin e grave dhe aktiviteteve humanitare.

Gjithashtu, Gjorgievska pati mundësinë të mësojë për zanatet që kultivohen në EBA dhe llojet e ndryshme të zejtarisë gjatë vizitës në punëtoritë nga sfera e trashëgimisë kulturore dhe ekspozitën e prodhimeve artizanale kombëtare në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë dhe Zejtarisë pranë Unionit të përgjithshëm të grave. ls/

Foto Kabinet i Presidentit të shtetit

QËNDRONI TË LIDHUR