• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gjermania dhe Italia janë më tërheqëse për stafin mjekësor

Gjermania dhe Italia janë më tërheqëse për stafin mjekësor

Shkup, 3 prill 2023 (MIA) - Vendi po përballet me mungesë të profileve të caktuara të punonjësve shëndetësorë. Më së shumti mungojnë infermierët, mjekët e përgjithshëm dhe mjekët specialistë. Arsyet e mungesës janë shkuarja jashtë vendit për paga më të larta dhe kushte më të mira pune, si dhe daljet në pension.

Gjermania dhe Italia janë ndër vendet më atraktive për punën e stafit tonë mjekësor. Sipas mjekëve dhe njohësve të mirë të situatës shëndetësore në vendin tonë, këto dy vende kanë kushtet më atraktive të punës për mjekët dhe infermierët tanë.

Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale për MIA-n thotë se gjatë periudhës së pandemisë KOVID-19 ka pasur një largim gradual të infermierëve nga vendi drejt vendeve të tjera.

Krahas daljes jashtë vendit, si një nga arsyet e uljes së numrit të infermierëve, Sindikata përmend edhe ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, me të cilat përjashtohej mundësia e vazhdimit të punës edhe pas 64 vitesh. Kështu, sipas sindikatës, këtë vit 80 infermierë do të dalin në  pension.

 “Në periudhën e treguar nga sektori publik janë larguar rreth 70 infermierë, ndërsa nga sektori  privat kanë dalë rreth 120 infermierë. Në uljen e numrit të infermierëve në vendin tonë kanë ndikuar edhe ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, të cilat përjashtuan mundësinë e vazhdimit të marrëdhënies së punës pas 64 vitesh, me përjashtim të atyre punonjësve në veprimtari për të cilët Ligji për Mbrojtje Shëndetësore ofron mundësinë e zgjatjes sipas ndryshimeve ligjore. Pra, mbi këtë bazë këtë vit do të jemi pa rreth 80 infermierë që kanë ushtruar të drejtën e pensionit në përputhje me ligjin”, citojnë nga Sindikata.

Për sa i përket vendeve në të cilat shkojnë më shpesh punonjësit e shëndetësisë, ata thonë se infermierët më shpesh shkojnë në Gjermani, Zvicër dhe Itali, së fundmi edhe në Kroaci.

“Ajo që mund të themi me siguri është se në vendet ku largohen infermierët ka paga më të larta, të cilat ne e dimë se janë më të rëndësishmet për punëtorin. Për kushtet e tjera të punës në vendet e tjera dhe realizimin e të drejtave të tjera nga marrëdhënia e punës nuk mund të jepnim mendim, sepse e njëjta mund të përshkruhet në mënyrë objektive vetëm nga përvoja e një punonjësi që është larguar në një vend tjetër”, shtojnë nga Sindikata.

Ata thonë se në mungesë të normave dhe standardeve nuk mund të thuhet me saktësi nëse ka tepricë apo mungesë të një numri të caktuar punonjësish.

“Por është evidente se po përballemi me mungesë të disa profileve të stafit mjekësor. Mungesa më e madhe e punonjësve shëndetësorë vihet re në profilet e infermierëve, mjekëve të përgjithshëm dhe mjekëve specialistë. Arsyet e largimit për të punuar në një shtet tjetër janë këto tri prioritete – prioriteti ekonomik - pagë më të lartë, ai politik - aktiviteti shëndetësor ende nuk trajtohet si çështje mbipartiake dhe profesionale - kushte më të mira pune dhe avancim”, theksojnë Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sindikata propozon që përkatësitë partiake, kombëtare dhe fetare të mos ndikojnë në punësim

Sindikata beson se për të mbajtur punëtorët shëndetësorë, shteti duhet të tregojë se i vlerëson dhe respekton ata si punëtorë që punojnë në interes të qytetarëve dhe për të mirën sociale.

“Kjo mund të tregohet më së miri me valorizimin korrekt dhe real të punës së tyre, pra me paga më të larta në përputhje me kompleksitetin dhe fisnikërinë e punës që kryejnë punonjësit shëndetësorë, sidomos duke ditur faktin se paga është faktori parësor për largimin e këtij profile në shtetet e tjera. Gjithashtu, të gjithë punonjësve shëndetësorë duhet t’i njihet, respektivisht t’i vlerësohet edukimi që kanë marrë gjatë karrierës së tyre. Të përmirësohen kushtet e punës për sa i përket personelit dhe pajisjes teknike të vendeve të punës. Sindikata vë në dukje se nuk duhet të ketë kufizime në ushtrimin e të drejtave reale të punonjësve, të cilat rregullohen si në ligjet përkatëse ashtu edhe në Kontratën Kolektive për veprimtarinë shëndetësore, si e drejta e rekursit për pushim vjetor, shpërblime jubilare etj.

Gjatë punësimit edhe në vetë procesin e punës, Sindikata sugjeron që të mos ndikohen përkatësitë partiake, kombëtare dhe fetare të kandidatëve për punësim, pra të punonjësve.

Ata mendojnë se duhet të ketë përvojë apo stash përfitues edhe për profilet e tjera të punonjësve shëndetësorë, përveç mjekëve, infermierëve dhe shoferëve në ekipin e Ndihmës Urgjente  Mjekësore.

“Kjo është vetëm një pjesë e listës së gjatë të arsyeve që mund të krijojnë klimë për mbajtjen e punonjësve shëndetësorë në vendin tone”, thonë nga Sindikata.

Mosrespektimi dhe dhuna nga ana e pacientëve luan rol edhe në daljen e punëtorëve shëndetësorë, gjë që fatkeqësisht ka ndodhur mjaft shpesh.

“Nga informacionet që kemi në dispozicion, krijohet një pamje se migrimi i punonjësve shëndetësorë është një problem global, nuk ndodh vetëm këtu, por edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë. Sindikata është në luftë dhe negociata të përditshme me Ministrinë e Shëndetësisë si partner social për paga më të larta për të gjithë të punësuarit në aktivitet, që është motivi më i madh për çdo punonjës”, shtojnë nga Sindikata.

Gjermania me kushte më të mira pune dhe fitimi

Profesor dr. Goran Dimitrov, kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë, thotë për MIA-n se fatkeqësisht nuk ka një shifër të saktë statistikore për largimin e mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit.

“Por sipas disa informacioneve jozyrtare, rreth 200 mjekë largohen çdo vit nga vendi dhe rreth 150 mjekë dalin në pension ose disa prej tyre ndahen nga kjo jetë. Situata, për fatë të keq,është e ngjashme edhe me infermierët dhe personelin tjetër mjekësor. Qindra motra u larguan nga vendi për t'u punësuar jashtë vendit”, thekson Dimitrov.

Sipas njohurive të tij, Gjermania dhe Italia janë ndër më tërheqëset për personelin mjekësor.

“Njohuritë tona janë se mjekët zakonisht shkojnë në Kroaci, Slloveni, Austri, Gjermani dhe së fundmi edhe Italia është destinacioni i tyre i dëshiruar. Pothuajse të gjitha vendet në Evropë padyshim që kanë kushte më të mira pune se këtu, por, sipas njohurive të punëtorëve shëndetësorë, Gjermania u ofron atyre kushtet dhe të ardhurat më të mira”, thotë Dimitrov, duke shtuar se pothuajse asnjë nga të larguarit nuk planifikon të kthehet në vend.

Sipas Dimitrovit, mungesa e mjekëve dhe infermierëve është alarmante dhe diçka duhet bërë urgjentisht. Shëndeti publik në vend, thotë ai, është thuajse i gjymtuar sepse ka mungesë të specialistëve në të gjitha aktivitetet, ndërsa në brendësi të vendit situata është edhe më kritike.

 “Gjinekologë, anesteziologë, patologë, pediatër, ortopedë, otolaringologë, kardiologë, internistë, endokrinologë, pulmonologë... Patjetër që do të duhet të ndërmerret diçka urgjentisht edhe në  reformat edhe në sistemin shëndetësor, krahas stabilitetit ekonomik në vend, të bëhen një prioritet, sepse shëndetësia po përballet me një kolaps të vërtetë. Duhet të ndalet eksodi i mjekëve jashtë vendit, natyrisht edhe i personelit mjekësor, sepse së shpejti qytetarët tanë nuk do të kenë kush t'i trajtojë. Në brendësi të vendit situata paraqitet edhe më kritike. Në fusha të caktuara nuk ka as mjekë të përgjithshëm, familjar”, thekson Dimitrov.

Ai thotë se arsyet e largimit të mjekëve janë të ndryshme, por për shumicën prej tyre identike - kushte më të mira pune, mundësi më të mëdha dhe më të lehta për arsimim dhe avancim të mëtutjeshëm dhe vlerësim shumë më të mirë të punës.

“Mobingu nuk e ka anashkaluar as shëndetësinë, por rrallëherë flitet me zë të lartë. Deri më tani disa herë janë regjistruar raporte për mobing të mjekëve nga pacientët, por mendoj se asnjëri prej tyre nuk ka pasur fund”, shton Dimitrov.

Ai nënvizon se sipas informacioneve të tij, mungesa e mjekëve dhe personelit mjekësor është e pranishme në të gjithë rajonin, e veçanërisht në vendet e ish-Jugosllavisë - Mali i Zi, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë...

Ka prodhim të mirë të kuadrit mjekësor, por problematike është që në Shkup ka një përqendrim të madh të mjekëve.

Oda e Mjekësisë, shoqatë profesionale e të gjithë mjekëve në vendin tonë, mban regjistrin e licencave të lëshuara të punës, sipas të cilit janë 9520 licenca aktive të mjekëve.

Në përputhje me kompetencat e saj, Dhoma u lëshon mjekëve edhe certifikatën “good standing certificate”, se janë anëtarë të Dhomës dhe se ndaj tyre nuk ka asnjë procedim në Gjykatën e Nderit pranë Dhomës së Mjekësisë. Këto certifikata janë të nevojshme për mjekët për arsimim jashtë vendit, qëndrim profesional apo studimor jashtë vendit, trajnim dhe zhvillim të mëtejshëm, projekte ndërkombëtare si dhe për ata që shkojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit tonë.

“Në vitin 2020 janë lëshuar 122 çertifikata, në vitin 2021 187 certifikata, ndërsa vitin e kaluar janë lëshuar 174 certifikata. Por, dyzet nga këta mjekë e nxjerrin certifikatën një ose dy herë në vit, që tregon se ata nuk janë duke punuar jashtë vendit, por po shkojnë për trajnim”, thonë nga Oda e Mjekësisë për MIA-n.

Migrimi i mjekëve nuk është një dukuri e re dhe ka një shkallë më të gjerë, theksuan ata në përgjigjen e tyre me shkrim në pyetjet e MIA-s dhe kjo lidhet me mungesën globale të mjekëve, e cila vjen si pasojë e disa faktorëve, siç është rritja e pragut të jetëgjatësisë dhe dhe rritja e popullatës, e rrjedhimisht edhe incidenca e disa sëmundjeve, ndërgjegjësimi dhe kujdesi për shëndetin e vet etj.

“Numri prej 9520 licencash aktive dhe 435 mjekë të rinj që kanë dhënë provimin profesional vitin e kaluar tregon se kemi një prodhim të mirë të personelit mjekësor. Trendi i largimit të mjekëve është i pranishëm, por problem më i madh për ne është se kemi një përqendrim të një numri të madh të mjekëve në Shkup. Nëse do të gjenden mekanizma për rishpërndarjen e stafit ekzistues, do të përmirësohej ndjeshëm disponueshmëria e shërbimeve mjekësore në të gjithë territorin e vendit. Gjithashtu duhet theksuar se për një periudhë të gjatë, e cila zgjati dhjetë vjet dhe përfundoi në vitin 2017, specializimet shtetërore ishin shumë të pakta, gjë që vjen si pasojë e mungesës së personelit, që po ndodh tashmë në disa spitale. Presion serioz për periudhën në vijim është edhe struktura e moshës së mjekëve që tani punojnë, sidomos në disa segmente të sistemit shëndetësor dhe kjo është vendimtare.

Për të mbajtur mjekët në vendin tonë, Dhoma e Mjekësisë mendon se duhet thjeshtuar politika e punësimit në shëndetin publik.

“Për mjekët e rinj është e rëndësishme që menjëherë pas përfundimit të shkollimit t'u krijohen kushte punësimi, të cilat do t'u garantojnë të ardhura të mira, por edhe do t'u lehtësojnë kushtet për specializim, për të cilin janë bërë disa ndryshime pozitive, por procesi nuk ka  përfunduar akoma. Reformat në shëndetësinë primare, nëse miratohen, presim të kenë ndikim pozitiv edhe në këtë çështje. Mjekët e rinj janë të motivuar dhe ambiciozë për të arritur më shumë, prandaj për ta ka rëndësi të madhe ekzistenca e një mundësie për zhvillim profesional gjatë punës”, njofton Oda e Mjekësisë.

Në protestën e punonjësve të shëndetësisë para Qendrës Klinike më 22 shkurt u tha se ka një largim të madh të infermierëve dhe siç u theksua pesë deri në gjashtë mijë janë larguar nga vendi nga tre deri në pesë vitet e fundit.

Blazhe Darudov

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR