• e shtunë, 23 nëntor 2024

Gjermanët e konsiderojnë Francën si partneren më të rëndësishme ndërkombëtare

Gjermanët e konsiderojnë Francën si partneren më të rëndësishme ndërkombëtare

Berlin, 1 korrik 2023 (MIA) - Franca perceptohet nga 40 për qind e gjermanëve si partnere më e rëndësishme ndërkombëtare e vendit të tyre, menjëherë para SHBA-së me 37 për qind, tregojnë të dhënat e hulumtimit të cituar nga agjencia DPA.

Bashkëpunimi francez-gjerman ka qenë shtytës kryesor i integrimit evropian dhe politikëbërjes për më shumë se gjashtë dekada, por marrëdhëniet kohët e fundit janë tensionuar nga dallimet mbi çështjet kryesore politike që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen, furnizimin me energji dhe sfidat ekonomike.

Mbledhja e përbashkët e dakorduar qeveritare ishte anuluar vitin e kaluar, ndërsa kur u mbajt në janar të këtij viti, rezultati nuk i përmbushi kërkesat. 

Presidenti francez Emanuel Makron dhe bashkëshortja e tij Brizhit do të mbërrijnë nesër për  vizitë treditore në Gjermani, që përfshin një udhëtim me anije në Berlin me kancelarin Olaf Sholc. Makroni të martën do të mbajë fjalim mbi marrëdhëniet franko-gjermane në Dresden.

Edhe krahas turbulencave të fundit mes Berlinit dhe Parisit, kur nga gjermanët kërkohej që ta emërojnë "vendin më të rëndësishëm partner" nga pesë zgjedhjet - Franca, SHBA-ja, Italia, Britania e Madhe dhe Polonia, ata vendosën për Francën. 

Sipas rezultateve të hulumtimit, i cili u krye nga Instituti Jugov në emër të DPA-së ndërmjet 27 dhe 29 qershorit në mesin e një mostre përfaqësuese të popullatës gjermane, aleati i vjetër transatlantik i Berlinit në sferën e sigurisë - SHBA-ja renditet pak prapa Francës. Larg pas tyre janë Italia me 4 për qind dhe Britania e Madhe dhe Polonia me nga 3 për qind.

Trembëdhjetë për qind e të anketuarve kanë thënë se partneri më i rëndësishëm i Gjermanisë është vend tjetër jashtë pesë vende që janë ofruar. 

Rreth 46 për qind e të anketuarve i kanë vlerësuar lidhjet mes Gjermanisë dhe Francës si të mira ose shumë të mira, 39 për qind se janë mesatare, ndërsa 6 për qind i vlerësojnë si të këqija ose shumë të këqija. Një shumicë e madhe prej 68 për qind u përgjigjën se marrëdhëniet duhet të zhvillohen edhe më tutje, ndërsa 14 për qind janë kundër. 

Gjashtëdhjetë përqind besojnë se Gjermania dhe Franca vazhdojnë të jenë "motori i BE-së", për 19 për qind ky perceptim është i pasaktë, ndërsa 21 për qind nuk janë përgjigjur. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR