Gjatë një bastisjeje në Rio de Zhanejro jetën e humbën nëntë persona, dy policë janë plagosur
- Nëntë persona e humbën jetën, ndërsa dy policë janë plagosur në një këmbim zjarri gjatë bastisjes policore në një favelë në Rio de Zhanejro.
- Post By Arta Bunjaku
- 08:12, 3 gusht, 2023
Rio de Zhanejro, 3 gusht 2023 (MIA) - Nëntë persona e humbën jetën, ndërsa dy policë janë plagosur në një këmbim zjarri gjatë bastisjes policore në një favelë në Rio de Zhanejro.
Në kumtesën e policisë ceket se fillimisht kanë shtënë kriminelët e dyshuar në lagjen Vila Kruzeiro, me ç'rast janë lënduar policët, të cilët janë kundërpërgjigjur.
Një ditë më parë 16 persona u vranë në operacionin policor në qytetin bregdetar Guarua në shtetin fqinj Sao Paolo, që është numri më i madh i viktimave të vrara në bastisje që prej vitit 2006 në atë shtet.
Banorët e Guaruas protestuan kundër policisë, duke mbajtur transparente dhe gjuanin kukulla të mëdha që i paraqisnin të vdekurit në tokë.
Gjatë fundjavës, tre operacione policore të kahëzuara drejt kontrabandistëve të drogës në shtetin verilindor Baija rezultuan me vdekjen e 19 personave, kumtuan mediumet lokale.
Protestat për shkak të brutalitetit policor në favelat braziliane shkaktuan vendosjen e kamerave policore në disa shtete, posaçërisht në Sao Paolo. Numri i vrasjeve nga policët në Sao Paolo ra në 256 në vitin 2022, që është ulje për 61 për qind prej vitit 2020, para se të vendoseshin kamerat. ab/
Foto: МIА arkivi